Fatmir Mëneri/ Vaçe Zela, tej kornizës së një “In memoriam”

804
Sigal

Askush si ajo…!

Edhe pse kemi kaluar mbi një çerek shekulli si të ishim një familje – shtëpia ime, një përdhese tipike tiranase me oborr të madh, ishte mu nën ballkonin e shtëpisë së saj në pallatin përballë – asnjëherë nuk më kishte shkuar ndërmend se do të vinte një ditë që të shkruaja për të. Për një arsye të thjeshtë: një diva si ajo kish personalitetin e sharmin që për ‘të, të shkruhej deri në detajin më të vogël, duke “zbrazur” tërësisht atë që mund të kisha konservuar në kujtesën time. Por, ka ndodhur tërësisht e kundërta. Pas një “pritjeje” të gjatë, ndieja përditë e më shumë se, përkundër një duzine emisionesh, intervistash, madje dhe librash, ajo kish mbetur e paskalitur si duhet. Guxoj të them edhe në pikëpamjen profesionale, ani pse jam një injorant i fushës. Është pikërisht për këtë që pata shtysën e parezistueshme të ulem të shkruaj për të. Detyrueshëm e modestisht më duhet të them se:

Askush nga profesionistët e muzikës nuk ka thënë se, deri në ditën që e la të kënduarit e skenës, Vaçe Zela nuk ka “rënë” as një gjysmë toni nga aty ku arrinte qysh në ditën e parë të interpretimit!

Askush nuk ka thënë se, përkundër ndonjë tendence mjerane të shfaqur prej liliputësh të muzikës, Vaçe Zela e ka refuzuar me neveri të qenit një këngëtare oborri e përfituese servile!

Askush nuk ka thënë se, përgjatë gjithë kohës që ishte aktive në skenë, ajo ka qenë simboli i limitit: e vetmja gjë që mund të bënin të tjerët ishte të përpiqeshin t’i afroheshin, por kurrë për ta arritur e aq më pak për ta parakaluar!

Askush nuk ka thënë se, përkundër thashethemnajës se, zgjidhte këngën që donte, ajo sfidonte edhe sistemin, duke kënduar “Mesnatë” të Shpëtim Kushtës e duke detyruar jurinë që të jepte dy çmime të para, meqë nuk kishin ku “çonin” një këngë me titull “Shtëpia, ku u themelua Partia”!

Askush nuk ka thënë se, Vaçe Zela bënte art edhe me tekste këngësh të tipit: “Jo, ti nuk ke vdekur, por jeton gjithmonë, re mbi trase për të mbetur…”.

Askush nuk ka thënë se, vetëm një interpretuese si ajo bënte që një këngë si ajo për dëshmoren Fato Berberi të këndohej e të kishte suksesin e gjithhershëm edhe në skenën e Estradës së Shtetit!

Askush nuk ka thënë se Vaçe Zela është e vetmja këngëtare – të paktën e deritanishme – së cilës i është marrë vesh gjatë këngës edhe bashkëtingëllorja më e humbur!

Askush nuk ka thënë deri më sot se ajo ka qenë këngëtarja më e përgjegjshme para publikut! Askush nuk ka dalë “dëshmitar” për të rrëfyer emocionin e jashtëzakontë të saj para se të dilte në skenë, qoftë edhe në një shfaqje në fshat!

Askush nuk ka patur kurajon që, në vend të tekave të trumbetuara nga zvarranikë të muzikës, të pohojë se ajo është shfrytëzuar si një kafshë pune në skenë për t’ju përgjigjur bis-eve të panumërt të publikut që mbushte sallat vetëm e vetëm se ishte ajo që e “tundte”!

Askush nuk ka thënë se, pikërisht prej këtyre bis-eve të panumërt, ajo ishte e detyruar të këndonte vetëm në fund të shfaqjeve; në të kundërt, spektakli mund të mbetej në mes, ngaqë publiku në salla kurrë nuk ngopej së dëgjuari engjëllorin zë të saj!

Askush si ajo është përthyer nga kënga klasike si përkufizim i asaj kohe, deri te kantata dhe “miniera e pazbuluar” e këngës popullore e asaj të përpunuar, të cilave u dha një shkëlqim kozmik!

Askush nuk ka thënë se zëri i saj kishte forcën të bënte deri të pavlerë mjetin bazë të “punës” së qindra këngëtarëve mashtrues: mikrofonin!

Askush nuk ka thënë se, në turneun e fundit të saj – ka qenë në Zvicër në vjeshtën e tretë të vitit 1993 – ajo ka kënduar në salla gjigante me një fuqi të instaluar që nuk e kalonte mjerimin e 500 vatëve, ndërkohë që, sot edhe më amatori këngëtar nuk ngjitet në skenë pa të paktën dhjetëfishin!

Askush nuk ka thënë se, Vaçe Zela është përjashtimore edhe në kuptimin e jetëgjatësisë në skenë: është unikale që në moshën 54-vjeçare ka mbajtur një recital të tërë me 15 këngë dhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë!

Askush nuk ka thënë se, me talentin e aftësinë e saj, Vaçe Zela bënte himn një këngë me bulëz “mikroskopike” si “Gjyshja”, ashtu sikurse “zbriste në tokë” një himn si “Rrjedh në këngë e ligjërime”!

Askush nuk ka thënë se, përkundër asaj që çdo krahasim nuk është asnjëherë tërësisht i vërtetë, ka qenë krejt e natyrshme, madje, e bazuar edhe profesionalisht, thënia e asaj kohe që Vaçe Zela ishte në nivelin e një Mine, apo Edit Piafi!

Askush nuk ka vërejtur se regjistrimet e filmimet e saj janë krejt të kufizuara në numër dhe pasuria është katandisur më së shumti në regjistrime nga salla, teknikisht mjerane. Por kjo neglizhencë e artistes ishte lehtësisht e shpjegueshme: Vaçe Zela, këngët që interpretonte, qoftë edhe në nivele të larta siç kanë qenë festivalet, apo dekadat e majit, ndërgjegjshëm nuk i regjistronte, ngaqë… s’mund të ndahej prej tyre. Ngaqë secilën prej tyre e kishte si Irmën e vet, që gjithherë kërkonte ta rriste, pasuronte e përsoste! Ndoshta – dhe këtu besoj se më falet aludimi – e ka bërë enkas këtë: duke e lënë të paravijëzuar plotësisht pushtetin e saj artistik, Vaçe Zela, që në gjallje të saj, “u shkëput nga toka” e ka marrë përmasat e një legjende!

Askush nuk ka thënë se ajo nuk ka qenë thjesht një këngëtare, sado e madhe të ketë qenë; nuk ka qenë thjesht një interpretuese, sado mikluese të ketë qenë; nuk ka qenë thjesht një artiste, sado madhështore të ketë qenë: Vaçe Zela ishte një fenomen! Një kometë që fatlumturia jonë ishte që ceku tokë shqiptare! Dhe gjithaq, fatlumturia ime, që jam dëshmitar i epokës së saj!