Fatin nuk e kemi të keq, por s’dimë ta vlerësojmë. Çfarë mendonte Pangalos?

Nga Dr. Nuri DRAGOJ

Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, përherë në udhëkryqe të historisë

Kanë filluar sërish bisedime midis Shqipërisë dhe Greqisë për disa çështje që mbajnë pezull marrëdhëniet dypalëshe. Kaloi në heshtje Kreta, sërish do të ketë takime të tilla dhe ekuilibri kërkohet të zhvendoset përherë në dobi të Athinës, e cila ka mbi 170 vjet që punon për zgjerimin e trojeve në dëm të Shqipërisë, gjë të cilën e ka arritur. Një historian evropian, në një libër të tij shkruan, se Greqisë iu deshën 2000 vjet për të marrë Artën e Gjirin e Ambrakisë, 100 vjet për të marrë Janinën dhe tri dekada për të hyrë në Jugun e Shqipërisë. Ndërsa një historian shqiptar tregonte, se në një takim që kishte pasur me homologë të tij grekë, u kishte thënë se edhe Athina dikur fliste shqip, se deri në Peloponez kanë qenë shqiptarë, duke përmendur dhe shumë këngë të vjetra që qanin të rënët në betejat me ushtrinë osmane, të rënët për pavarësisë e Greqisë, për humbjen e trojeve, deri te “Janinës ç’i panë sytë…”. Qetësisht historian grek i qe përgjigjur: “Ashtu është, kini të drejtë. Ju mbani këngët e trimërisë, ne mbajmë trojet”. 

Politika shqiptare nuk duhet të harrojë përpjekjet e bëra nga shteti fqinjë për të marrë dy prefekturat e Jugut të Shqipërisë, të Korçës e Gjirokastrës, jo vetëm gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, por edhe më pas, në Konferencën e Paqes së Versajës 1919-1920 dhe atë të Parisit 1946. Por edhe sot. Greqia i bën presion qeverisë shqiptare, se nuk do ta votojë për në BE, nëse nuk i hapet rruga për të plotësuar objektivat e hershme të saj, në funksion të helenizmit të Shqipërisë së Jugut, veprime që mund të demaskoheshin me lehtësi, nëse do të kishte vullnet dhe vendosmëri nga klasa politike shqiptare, nëse ajo do të bashkohej kur bëhej fjalë për çështje madhore të Shqipërisë. Interesat e larta të kombit shkojnë tej integrimit të Shqipërisë në BE. Lidhur me mosmarrëveshjet me fqinjët, qeveritë shqiptare kanë punuar pak për të sensibilizuar Brukselin apo Uashingtonin, pasi përballemi me një problematikë të çmendur. Athina tallet duke karikuar herë pas here Ligjin e Luftës, por edhe Tirana nuk e ka denoncuar me forcë mbajtjen e Ligjit të Luftës. Nëse nuk do të pranohej të nënshkruheshin një sërë marrëveshjes me Athinën, ligji në fjalë do të qe hequr vite më parë. Shprehjet “e di Evropa” apo “do të shkojmë në Evropë”, “kemi NATO-n e SHBA-në” dhe “S’na gjen gjë”, e të tjera, janë vetëm në dëm të shqiptarëve. BE dhe SHBA nuk do të pajtoheshin me Athinën, nëse do të dinin që Greqia nuk e njeh “de jure” kufirin e miratuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1924, në Protokollin e Firences, dhe refuzon dhe sot e kësaj dite nënshkrimin e tyre. BE mbase nuk do të miratonte as uzurpimin e kishës orthodokse shqiptare, duke shkelur me të dyja këmbët parimet e shenjta, kanonet e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të vendosura që në 1921, nëse politika shqiptare do të shprehej në një zë.

Kërkesa e Tiranës për të pasur marrëdhënie të mira me shtetin grek është normale dhe e domosdoshme. Pa marrëdhënie të mira me shtetin grek, progresi ekonomik dhe integrimi do të ishte më i vështirë. Mirëpo, nëse qeveria shqiptare e kërkon këtë miqësi duke pranuar pretendime absurde të qeverisë greke, ka pasoja të rrezikshme për të nesërmen e Shqipërisë. Shqipëria dëshiron të shkojë në Evropë, për të cilën i duhet ndihma e Greqisë dhe vendeve të tjera, por, në radhë të parë, do të shkojë si një komb me dinjitet, si shqiptar, dhe nuk do të shkojmë, siç na propozohet, duke dhënë pjesë të territorit.

Vlerat e reciprocitetit
Kryeministri Rama u shpreh se në marrëdhënie me Greqinë e çdo vend tjetër, duhet të mbahet parasysh reciprociteti. Është i pari kryeministër që e thotë një gjë të tillë, kur nuk munguan politikanë e analistë që e anatemuan, duke lënë të nënkuptohet se me Greqinë nuk bëhet shaka dhe se duhet ulur koka. Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe në atë të Greqisë, theksohet që në marrëdhëniet me shtetet e tjera, parimi i reciprocitetit është parim bazë. Ky parim me rëndësi në marrëdhënie midis shteteve është shkelur me të dyja këmbët. Ne e njohim minoritetin grek në Shqipëri që nga koha kur ai është vendosur këtu. Edhe në periudhën e komunizmit janë respektuar të drejtat e tij, madje që nga viti 1921, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. U njohën për të e drejta e arsimimit, e organizimit etj. Nuk mund të ketë reciprocitet midis dy vendeve, kur Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për njohjen dhe mbrojtjen e minoritetit, ndërsa Greqia nuk e ka nënshkruar një konventë të tillë. Kjo tingëllon vërtet ironike dhe sarkastike. Athina insiston dhe këmbëngul pranë qeverisë shqiptare që të zgjerohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar dhe gjëra që shkojnë përtej një kërkese reale dhe të pranueshme, në një kohë që Athina zyrtare nuk pranon as të përmendësh fjalën Çamëri në bisedime dypalëshe, le pastaj të diskutosh si partner për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi të madh, pa të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim dypalësh. 

Me presionin që ushtrohet gjoja për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, të cilin e shtrijnë edhe në Himarë, me që atje banojnë dy familje minoritare, mbase nesër mund të quajnë minoritet edhe Tiranën, pasi edhe aty mund të gjenden disa familje të tilla, ata synojnë ta mbajnë politikën shqiptare të nënshtruar. Pra, ata duan të na imponojnë që Shqipëria të mos interesohet fare për popullsinë shqiptare të përfaqësuar nga çamët, të cilët mund të shkojnë në rreth 200 mijë. Teorikisht Greqia ka pranuar që të trajtohet çështja çame në marrëdhëniet dypalëshe. Pas vitit ’92, këtë problem e ka shtruar Serreqi, ministri i Jashtëm i asaj kohe, duke e trajtuar çështjen me insistim dhe patriotizëm. Atëherë pala greke nuk guxoi të deklaronte se nuk e njihte këtë çështje. Këto 25 vite të demokracisë, në vend të avancohej në zgjidhjen e këtij problemi, nga politika shqiptare është pranuar diktati grek dhe çështja në fjalë është shuar. Edi Rama e ka rizgjuar dhe, nëse do të tregohet konsekuent, do t’i sjellë dobi, jo vetëm Shqipërisë, por të dy vendeve. Politika shqiptare duhet të vihet në lëvizje edhe nga shoqata “Çamëria” dhe Partia Bashkimi Demokrat për Integrim, të cilat nevojitet të jenë më agresive në parashtrimin e problemit çam në kancelaritë evropiane dhe botërore. Është në të drejtën e tyre që ta paraqesin problemin me forcën e duhur. Nëse ata heshtin, problemi nuk do të zgjidhet kurrë. Bota ka nevojë të shohë shqetësimin e vet çamëve, ta prekë atë, ta jetojë këtë shqetësim dhe pastaj të interesohet dhe të mësojë më shumë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare, gjë e cila është një e drejtë e ligjshme e çamëve. Natyrisht kjo kërkon durim, guxim e përgjegjësi. Kishat e ndërtuara në tërë jugun e vendit, jo me karakteristika të kishës shqiptare, por me karakteristika të kishës greke, apo memorialë si ai i Këlcyrës, të krijojnë pështjellim, të krijojnë përshtypjen sikur ndodhesh jo në tokë shqiptare, por në tokë greke. Kjo tregon se kishat ecin sipas një projekti, sipas një stili, i cili absolutisht nuk është në stilin e kishave autoktone ortodokse shqiptare. Ato riprodhojnë modelin origjinal që është në Greqi, pra janë kisha me arkitekturë të kishave greke dhe janë të ngritura me shumicë në një vijë, që është vija imagjinare e Vorio-Epirit, e përcaktuar që në vitin 1913 nga Venizellos. Ato janë ngritur që nga derdhja e Vjosës në vazhdimësi, në fshatra, në qytete, madje edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë siç është p.sh. Memaliaj, në Këlcyrë e në vazhdimësi deri në Korçë, një koncentrim objektesh fetare, të cilat synojnë, me sa duket, të zëvendësojnë piramidat e kufirit, që grekët nuk i njohin në vendin e tyre të ligjshëm, në kufirin e njohur në vitin 1913 dhe rizyrtarizuar në vitin 1924 nga Protokolli i Firences. Dhe në kushtetutën greke thuhet se ushtari helen varroset në tokën e vet. Lind pyetja: Mos edhe tokën ku janë ngritur këto varreza, Athina e quan greke? Patjetër që po. Karrolio Papulas, kur vite më parë vizitoi Shqipërinë, gjatë një takimi në Fier, pyetjes së një gazetari grek, se çdo të bëhet me eshtrat e Shën Kozmait, u përgjigj: Lëreni të prehet në tokën e vet!

- Vijon -