Farsa e zgjedhjeve në universitetet publike

60
Rigels Xhemollari 
Një javë pas mbarimit të zgjedhjeve në universitete konstatohen një sërë elementesh që zhvlerësojnë standardin e zgjedhjeve të akademikëve, që do të drejtojnë universitetet katër vitet e ardhshme. Fushata nisi me baltosje, dhunë psikologjike, shantazhe dhe premtime për karrige. Procesi u shoqërua me tensione, parregullsi, vonesa dhe orientime partiake për të votuar. MAS publikisht mbajti qëndrim asnjanës, por realisht lejoi që pranë fakulteteve të qëndronin njerëz partiakë, lejoi që në lista të konkurronin njerëz partiakë, ku rasti më flagrant është ai i UT, në të cilin 4 konkurrentë për senat ishin pjesë integrale e strukturës së njërës nga tre forcat e mëdha politike në vend. Sa i përket transparencës dhe monitorimit në faqen zyrtare te MAS nuk janë shpallur as lista të fituesve, as raporti për ecurinë e procesit, përveç një premtimi të znj. Nikolla për të mbajtur politikën larg këtyre zgjedhjeve. Por këto premtime kërkojnë akte konkrete, që nuk i pamë as në parandalimin e orientimeve politike në qendrat e votimit, prezencën e njerëzve partiakë në to dhe as ndonjë përjashtim nga lista për shkak të angazhimit politik.
Studentët si fasadë
Studentët fatkeqësisht u përdorën si fasadë për kandidatët, të cilët lanë një pozicion për të marrë një tjetër dhe megjithëse pjesëmarrja në zgjedhje ishte 98 %, votat e studentëve nuk vendosën për asnjë kandidat në Shqipëri. Rektorët dhe dekanët u zgjodhën me votat e pedagogëve pa u numëruar ende ato të studentëve. Edhe ata studentë që u zgjodhën në pozicionet e anëtarëve të senatit akademik, nuk përfaqësojnë zërin e studentit, por të forcave politike që përfaqësojnë dhe ku janë pjesë e strukturave. Ministrja Nikolla, përmes një udhëzimi të datës 11 prill 2016, i cili hyri menjëherë në fuqi, zuri në befasi mësuesit dhe nxënësit e arsimit fillor shqiptar kur urdhëroi zhvillimin e testit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasave të 5-ta më 23 maj 2016. Përveç eksperimentimit dhe paqartësisë për efektet dhe pasojat që ka ky testim mbi nxënësit, udhëzimi i ministres mbart në vetvete një kundërshti ligjore të paprecedentë. Në udhëzim thuhet se baza ligjore i referohet nenit 49 të ligjit të arsimit parauniversitar, nen që parashikon hartimin e testit nga mësues të certifikuar, kompetencë të cilën udhëzimi ia ka deleguar AKP. Gjithashtu ky nen parashikon vetëm dy provime kombëtare, provimin e arsimit bazë dhe atë të maturës shtetërore. Provimi i ndërmjetëm kombëtar nuk është i parashikuar dhe nëse realizohet një i tillë sipas pikës 1 të këtij neni, kjo bëhet për një numër të caktuar nxënësish. Ky udhëzim shpreh qartë mungesën e vizionit, të profesionalizmit dhe të përgjegjësisë për të nxjerrë akte të studiuara dhe për të realizuar procese në interes të qytetarëve, të cilët i kanë besuar të ardhmen e fëmijëve këtij institucioni.