Faik Islami/ “Magna Carta” e bujqësisë shqiptare

554
Më në fund e lëshoi “Rilindja” atë që mungonte, lëshoi një “Magna Carta” (Kartën e Madhe), për bujqësinë. Tre vjet zgjati deri sa e poqi mirë e mirë, por ama ja ku e lëshoi, me firmë e vulë të vetë Kryeministrit. Bujqit, pas kësaj “Kartës së Madhe”, do t’i kenë duart komplet të zëna. Plot me pare. Mirëpo, mund të pyesë dikush se çfarë ka qenë “Magna Carta”, nga mbiu e si rrodhi ngjashmëria, gjer tek bujqësia jonë? “Magna Carta” e pati origjinën në Angli dhe pikërisht rrodhi si presion i peshkopëve anglezë dhe feudalëve, të cilët e detyruan mbretin Xhon, në vitin 1215, të njihte në “Magna Carta”, legjitimitetin e një shteti me drejtpeshim konstitucional. Si tek ne, që qeverisin bashkërisht dy forca…në drejtkandar. Jemi apo jo në “drejtpeshim”, mes dy partive qeverisëse? Njëra nga të cilat duket se është e gjitha në krah të fermerëve, u bë sebepçesha për këtë kartë. Na mungojnë vetëm peshkopët, që të mbeteshim fiks në të njëjtat shëmbëlltyra. “Magna Carta” e gati 9 shekujve më parë, në fakt ishte një lloj koncesioni ndaj Zotit, në favor të Kishës anglikane. Qysh në nenin e parë të “Magna Carta”, kishës i njiheshin të drejta të plotë dhe liri të pacenueshme, përfshirë edhe daljen nga mbretëria si dhe që peshkopët të shkonin kur të donin në Romë, pa i marrë kurrfarë leje mbretit. Kisha pra nuk ishte thjesht një nga grupet e ndryshme të pronarëve feudalë të tokave, më të organizuarit efektivisht, por se në organizimin e saj, në shkallë vendi ajo ndryshonte nga korporatat e fisnikërisë laike, me një epërsi të dukshme si një parti te ne! Kisha kishte luftuar si korpus fetar, me pikësynime dhe kërkesa specifike fetare. Kjo e jona me dashuri e qetësi vëllazërore! Mirëpo ajo nuk mundej kurrsesi t’i arrinte ato objektiva, nëse nuk do ta kishin mbështetur njëkohësisht, forcat ekonomike dhe organizative të fisnikërisë laike, si pjesa fetare e atyre forcave. Kisha anglikane doli si një entitet i pavarur, në shoqërinë agrare të Europës mesjetare. Kjo jona i bën të varur… të tjerët. Nga ajo kartë kanë rrjedhur gjithë kartat e botës si ajo e OKB, e të drejtave të njeriut, e Kopenhagenit, more dhe çdo kartë deri kjo që lezetosi përfundimisht…bujqësinë tonë. Dihet e kujt ishte merita. Ama, këta bujqit tanë gjithnjë skeptikë. Se njëri, që desh u gri me mua, kur po ja bëja të holla të mirat e kësaj karte, ma ktheu…punë kartash! 

“Magna Carta” e qeverisë sonë

“Magna Carta” e qeverisë sonë, ndryshon vetëm në nja dy gjëra të vogla, se efektin edhe kjo të madh duket se do ta ketë. Së pari, nuk u bë prej presionit të peshkopëve a feudalëve të tokave, sepse asnjërin as tjetrin “asset” të tillë nuk e kemi. Por kemi “asetin” e padiskutueshëm, partinë aleate, e cila i propozoi Ramës, me këmbëngulje e bazuar, në një “studim të mirëfilltë shkencor”, që fermerëve t’u lejohet me ligj, të mbajnë plot tridhjetëmijë lekë…nëpër duar! Kjo e qeverisë, për bujqësinë tonë, në thelb vetëm indirekt duket se do të ketë ndikim tek bujqësia, pasi ajo merret thjesht dhe vetëm me fermerin, me bujkun e bujkeshën. E kur ata janë të bujqësisë, lekët duarve, për bujqësi do t’i përdorin, pse ku dreqin tjetër. Kjo “reformë” kaq e thellë, në fakt i lejon bujqit, të mbushin duart me pare. Plot tridhjetë mijë lekë, nuk i thonë shaka, se janë të reja jo, sikundër dhe gabojnë njerëzit, që ngatërrojnë të rejat me të vjetrat. Karta e ka llafin për lekë te reja e jo më ndryshe! Cilësohet madje t’i mbajnë “katundarët” aq lekë… në duar. Sakën xhepave, portofolave apo sëndukëve! Vetëm e vetëm nëpër duar! Të shumtat, vetëkuptohet edhe pse nuk e përmend “Magna Carta”, nëpër bankat do t’i kenë, se bankat, gjer tani kanë qenë e duket se do jenë, shpirti ndihmës i bujqve, i zhvillimit të integruar të bujqësisë së “Rilindur”. Bankat! Ka një farë hezitimi në mesin e tyre, sepse kush i hyn marrëdhënies me fshatarët, për kredidhënie, atyre me projekte, kur një metër katrore toke vlerësohet më pak se një kile qershi prilli. Po të qenë tokat arë, qyteteve e gati për leje ndërtimesh atëherë ia vlente, se një metër katrore tokë truall llogaritet për kolateral sa dy e deri katër dynymë tokë arë e më shumë, bie fjala në Tërbuf. 


Por qeverisjet tona, të ndikuara nga ekonomistët e mëdhenj, demek profesorët, si ca herët, që i kishim deri anëtari bordi te Banka e Shqipërisë dhe na ruajtën paratë kokërr më kokërr të…mos i dëmtonte mola «Paret e kanë një xanxë, i ha dhe dhembi i tyre”. Profesorë të tillë i duheshin Amerikës. Dy nga ata profesorë të venë dhe e kanë bërë çirak Amerikën. Këtu u venë dëm mendjet! Do kishin kohë ata të yshtnin qeverisësit për tregun e tokës arë, e cila pastaj kërkonte goxha llogari, se japin mahlulet tokat arë tonat, nga dhjetëra pallate si vlerë prodhimesh, të përvitshme me nga dy e tre herë, krahasuar me ato që u mbollën çdo cep qytetesh. Punë të ngatërruara problemet e tokave arë! Më mirë larg, sesa duke gërmuar në to! Larg e kaq sa u kanë qëndruar qeveritë, këtë çerek shekulli! Ka një vit qeveria, që ka thënë se do japë fonde për projekte bujqësie, po është tersi që nuk lë të mbarën e tokës arë! Drejtoresha e AZHBR është për të lindur e djall bëftë inshallah, por e hëngri këtë vit bujqësia, se mbeten për vitin që vjen paret që premtoi si mbështetje, një vit e ca më pare…kreu i qeverisë! Ama, me këto që u mbushi duart…plot e pastë… kryeqeverisësi! “Karta e Madhe” e kohës së mbretit Xhon u dha ndihmesë të madhe problemeve agrare, sepse duke qenë të arsimuar mirë peshkopët dhe duke patur ndikimin e tyre politik, patën mundësi të jashtëzakonshme, për të bërë efektive drejtimet agro-administruese si dhe të gjitha llojet e detyrave fiskale. “Karta e Madhe” e partnerëve të qeverisë me siguri do arrijë të bashkojë një numër të madh bujqish rreth atyre që vranë goxha mendjet dhe ja ku ua dhuruan fermerëve kartën e madhe…të lekëve nëpër duar. Mbeten ashtu, të kënaqur “shkencëtarët” e studimit të vet “Kartës…” së lekëve nëpër duar. E kjo padyshim që nuk do jetë pa gjëkafshë! 

Shqipërinë e bënë çirak doktorët 

E pati vrarë mendjen edhe ish Ministri i Financave, në 8 vitet e shkuara, se për bujqësinë i kanë bërë mendjet “xangadhe” gjithë qeveritë, gjithë ministrat. Pse pak bëri Bodja, por ai nuk arriti gjer në nivelin e “Kartës së Madhe”. Ai vetëm TVSH – në ja u bëri 6 %, por tek e fundit, hiç fare as ai nuk i la. Në 8 vitet e periudhës së tij…për çdo 100 lekë të investuara në tërë ekonominë, …bujqësisë i patën takuar, si pjesë, plot një lekë e gjysmë…! Nga hiç fare më parë! Kjo sigurisht, që nuk do të mund ta rilindte ashtu sikundër po nis oguri, pas kësaj “Kartës së Madhe” edhe pse nisi, pas tre vite qeverisjeje. Punët e mbara në bujqësi duan me vite e madje me shekuj. Në Mesopotami dhe në hemisferën perëndimor, punët e mbara në bujqësi nuk i kanë nisur shkencëtarët por ushtarakët, pas betejave të mëdha. Për habi, në këtë qeverisje iniciatorë u bënë doktorët e partisë aleate se… Shqipërinë e bënë çirak doktorët! Ka dalë vetëm një vështirësi të vogël, e cila me siguri edhe mund të kapërcehet…me ndihmën e mjekëve. Me kusht që ata të mbeten dakord brenda komunitetit të tyre. Se deri tani dhe këta, nuk po merren edhe aq mirë vesh e krijohet përshtypja e gabuar tek “fermerët sikur ça thotë njëri nuk e thotë tjetri. Dr. Dilaveri i spitalit të Gjirokastrës thotë: “sakën se prekni gjë ushqimore, po mbajtët paret duarve…! Nuk ka gjë më të pistë, më me mikrobe! Propozuesi i kësaj reforme është edhe ai doktor, dha rekomandimin “paret në dorë” dhe jo pako gjë, por plot 30 mijë lekë! Tani kujt t`i besojë fermeri i varfër, me aq pakë shkollë sa i kanë mbetur, në këtë çerek shekulli? Sigurisht “Kartës së Madhe” se ajo ka fermanin e kryeministrit! Dhe e keqja vjen gjithnjë… pas. Ndaj fshatari i hershëm thoshte si shprehje “më ha e pasmja”. Fare pak ditë shkuan nga gëzimi i “Kartës së Madhe” kur fap doli kryetari i opozitës, që tha se…”kur të vi unë në qeverisje, do jap një miliard euro si mbështetje për fermerë”! Hajde tani, mendo tërë ato pare, të mbahen duarve, ku do vejë filli i fermerëve nga shiriti i atyre mikrobeve, që thotë doktor Dilaveri. Ai vërtet që është mjek në spitalin e Gjirokastrës, e ky tjetri ka qenë edhe goxha ministër, por studimet shkencore të Dilaverit botohen revistave shkencore amerikane! Ndaj dy gjëra ka si mangësi të vogla kjo “Karta e Madhe” e bujqësisë sonë: Nuk na sqaron udhën e mbërritjes së pareve, tek duart e fermerëve dhe si do zgjidhet problemi i mikrobeve, që do sulmojnë duart nga… vandakët e shumtë të pareve? Po qe se do zgjidhen të dyja këto halle të “Kartës së Madhe” do të quhet më e madhja e të gjitha kartave… 
Sigal