Faik Islami: Cipëplasurit… e cipës publike

273
Me cipë publike mund të kuptohet një tërësi normash, të pranuara me mirëkuptim nga shoqëritë e civilizuara, të cilat shprehin një kufi të pakapërcyshëm në përdrorimin e fjalëve me peshë të rëndë, në komunikimin mes dy a më shumë njerëzve, veçanërisht në mjediset me kolektiv më të gjerë, në menduimet publike apo në ato të rangjeve më të larta shtetërore. Shoqëritë e civilizuara i kanë kthyer ato në kode morale, për masën e përdorimit të atyre fjalëve, të cilat edhe pse i përmban fjalori i gjuhës, ato nuk mund të gjejnë përdorim, gjatë komunikimit të përditshëm, gjatë bisedimit, marrëveshjeve, debateve, por edhe në rastet e grindjeve e sherreve. E ushqyer qysh në vogëli, në gjirin e familjes, shkollës dhe jetës në kolektivitet, ky kufizim i përdorimit të fjalëve me peshë të rëndë, ka pas përbërë edukatën e vetë individëve, të familjeve, nga rrjedhin e të marra sëbashku edhe të, bashkësisë qytetare. Kjo perde e tejkdukshme, frenuese, madje ndaluese, në mospërdorimin e fjalëve me peshë rënduese, fyese, përbën atë që njerëzit i kanë thënë “cipë publike”, që është njëherësh tërësia e cipës individuale të secilit pjestar të një shoqërie.

 Shkurt qenka si një cipë e tejdukshme, si një cipë hollë dëbore, në faqe të malit e cila qysh në lashtësitë e formimit të kulturës qytetare, është ruajtur si gjë e shenjtë. Pse ëshët ruajtur si gjë tepër e shenjtë populli, shkelësit e këtij kodi moral i ka quajtur “të pa cipë”, cipëplasur, “dellballi të plasur” etj, ndëshkime që presupozojnë të tilla emërtime. Pse është ruajtur me fanatizëm cipa publike, ndaj i vogëli nuk mund të përdorë fjalë rënduese para të madhit, burri faqe fëmijëve, grave, para disa njerëzve bashkë, në melecizet, në vakitë e kudo. Nuk mund të përdoreshin as në dasmat e davetet ku trapezeve rreshtoheshin tridhjetë a dyzet burra, të cilët edhe pse pinin raki me gota uji a “opingë” fjala e rënë nuk guxohej të lëshohej as nga të dehurit, të drejtuar nga një dollibash, i cili ishte qeverisësi i trapezës sepse, ndryshe ajo dasmë kthehej në “drekë turpi”, e barabartë me drekën e një morti, ndaj përbuzja nuk mëshironte asnjë shkelës të kodit të përdorimit të fjalës së rëndë, faqe të tjerëve. Jo më kot tradita jonë e lashtë zakonore, ka përdorur shprehjen “gjuha, kocka nuk ka, por kocka thyen e bluan…”.

Parlamentarët cipëlasur
Kjo mënyrë sjelljeje, mënyra e të folurit me edukatë, nuk është vetëm detyrë moralë e folësit po mbi të gjitha detyrë morale ndaj kodit të edukatës qytetare, ndaj vetë shoqërisë ku individi bën pjesë, për ruajtjen e cipës publike. Por kujdesi për ta ruajtur cipën publike, duket se i përket vetëm të shkuarës, të kohës së të pashkolluarve të shoqërisë shqiptare. Sot në kohën e të “shkolluarve”, njerëzve me shumë shkollë, njerëzve që njohin kompjutrin, gjuhët e huaja, përdorimin e telefonave celularë, aparaturat përditë e më moderne, madje ata të doktoraturave, me tituj të shumtë si profesorë, doktor-profesorë e deri edhe akademikë, cipa publike është sot një relike e së shkuarës. Ajo cipë realisht është plasur, është çarë e dërrmuar sa nuk i ka mbetur shënjë prej saj. “Kontributin” më të madh e kanë dhënë dhe po e japin pa asnjë kursim.. politikanët, deputetët. Dita e enjte është kthyer në kortezhin e shpartallimit dhe varrimit, për mijëra e mijëra herë të cipës publlike. Nuk kanë të ngopur parlamentarët tanë me shqyerjen e cipës publike. Nga pikpamja e qytetërimit, palamentarët e këtij çerek shekulli, janë “shtypur” mes përdorimit të fjalorit të gjuhës së putanërisë, nga basifondi i fjalorit të shqipes dhe “magjepsjes prej falëve të huaja të Europës e asaj anglo-saksone. 

Gjërat po shkojnë edhe akoma më keq, sepse sa vinë e thellohen, duke e kthyer këtë shfaqje të lemerishme të sjelljes tyre gjithe turpe, në formimin e mentalitetit të turpit, si moral mbizotërues, si dukuri gjithë shqiptare. Nga ata, mënyra e të folurit pa turp, është varur poshtë tek të shkolluar të shumtë, që kanë pushtuar tërë mediat, tërë televizionet publike e private, tërë programet “portokalli apo Al-Pazari që në fakt mund të quhet, pa asnjë ngurrim “Al Prapanica” sepse e kanë fetishizuar, me gra e me burra, shprehur me emrin e saj të plotë, me shkencorin…prapanicën. Tërë bisedat mes inetelektualëve, grupuar në parti e grupime kundërshtare, në armiqësi, që sa vjen e kalohet në fronte lufte, të pa armatosur me armë, por më armën e fjalëve tepër të rënda, që vrasim më shumë se plumbi, në shpartallim të cipës publike. Nuk ka rast pa dëgjuar teleshikuesi se si njeri i drejtohet tjetrit, shoku – shokut, deputeti tjetrit, me fjalët më të rënda, më poshtrueset, më të padenjat, për tu dëgjuar nga gojë të shkolluarish, nga të arsimuar, që sa ka marrë vesh njëherë e mirë mileti, duket… paskan bërë shkollën e vetë shejtanit. Nuk bën asnjë përshtypje tek dëgjuesit në sallë, por tani as tërë publikut teleshikues, kur tjetrit i thuhet fjala shkatërruese në moral, në familje, për fëmijët, që dëgjojnë çfarë thuhet për babanë e sidomos për nënë e tyre. Bëjnë të fakturën se ata rrjedhin …prej një incesti, zinaje brenda gjirit të familjes, etj, rrukullima që nuk i mban dheu, të dala nga gojë parlamentarësh, burrash të moshës, të pjekur, për moshën, por aguridhë për shprehjet. I tregohet tjetrit, pa u skuqur fare … se motrën e ka putanë, se një tjetër ka dërguar kunatën dhe e ka shfrytëzuar si prostitutë, e plot fjalë, që populli i ka kategorizuar në maskarallëqe, të padëgjara në këtë pjesë dynjaje, para viteve nëntëdhjetë!

“Bombardimi” i publikur me fjalë fyese
Nuk përbën asnjë pështypje më fjala kusar dhe kusarë në përvetësimin e miliona eurove nga të këtij publiku të mjerë. Dikur një kec të vidhte dikush, komuniteti i fshatit mblidhej dhe vendoste dënimin publik duke i varur lekurën e kecit të vjedhur në qafë, lidhur edhe disa skatoleta pas potureve, që i tërhiqte zvarrë, në gjezdi udhëve të fshatit. Kthehej në një ceremoni ndëshkuese “fshatçe” për kusarin, ndjekur nga zërat e fëmijëve, që kodi e donte të mësonin ata se si ndëshkohej vjedhja, kusaria, turpi që e ndiqte për tërë jetën kusarin. Një kod zakonor shkolle e ndëshkimit të kusarisë. Sot kusarët i kemi deputetë! Nuk i etiketojmë na, të thjeshtët, shikuesi, por ata vetë njëri – tjetrin. E besueshme plotësisht, se janë gjërat e brendshme, të një parlamenti mbushur dinga me…kusarë! Nga ajo kohë e ndëshkimit moral, prej prekjes së cipës publike e gjer sot, kemi “ecur përpara”! Cipa publike, nëpërmjet lëshimit të fjalëve, për të bërat e të pabërat, bofatallëqet, shpifjet e kusaritë, nuk ka më asnjë vlerë në mejdanin e kuvendit të shqiptarëve. 

Kuvendi është kthyer në sallën e turpeve, ku asnjë fjalë e rëndë nuk bën përshtypje, jo vetëm atyre që pështyhen, nga njëri – tjetri e u që u duken “pika shiu”, por as vetë miletit. U mësuan. I mësoi kjo shkollë e djallit, shkolla e cipëpalsurve të cipës publike. Atyre që u thonë kusarë u duket nder dhe lavdi, ata që i njohin e i dëgjojnë nuk u sjell më habi. Se “edukatorët” e këtij morali, kusarët e shumtë, nuk e kanë mendjen tek nderi e sedra, por tek pasuria, shtimi i saj pa fund. Ata nuk zihen si qentë kur u hedhin në një gavetë, por sepse duan të ruajnë gavetën e mbushr plot e përplot, edhe pse pasuritë i kanë pa fund. Salla e parlamentit është kthyer në sallë të paradës së lakuriqësive, të turpeve dhe të vërtetimit se si mjerimi i këtij vëndi është vjedhur e po vidhet nga kjo bandë kusarësh, kjo paradë turpesh! I njeh populli dhe di t`i dallojë e t`i japi notën gjithësecilit. Sigurisht nuk janë të gjithë të tillë, por përderisa aty flitet veç për kusari e krime, vetëkutohet se përbëjnë të përgjithshmen, rregullin, trendin e ogurit të zi, trendin e humbjes së çdo shprese, për më ndryshe, për më mirë. 
Parlementarët e urtë, specie në zhdukje
Populli di ta dallojë të mirin nga i ligu. Të ngjallte respekt kur fliste i ndjeri Pjetër Arbnori, po i tillë është Nishani, Spahua, Tafaj, Majkua, Dokle apo kur diskutonte Servet Pëllumbi, kur flet Garamoz Ruci, deputetë që për gjithë kohën si parlamentarë kurrë nuk përdorën një fjalë të rëndë, fyese. Njerëzit me cipë, i dallon mes gjithë bandës së cipëpalsurve të cipës publike, prej mënyrës së të folurit. Dhe mënyrat e gjersotme, jo vetëm për burrat është e turpshme, por si epidemi ka kthyer edhe gra në një lloj i veçantë “burrash”, pa ca gjëra, po ashtu cipëplasur të cipës pubike dhe që tmerrohet mashkulli t’u shkojë ndërmend tu afrohet..!. Mjerë fëmijët e këtij brezi, që ushqehen me pamjet tronditëse, turpëruese, nga parada e fjalëve të rënda të shqipes, që ka në përdorim Kuvendi! Kuvendi është kampioni i cipëplasurve të cipës publike. Pa ligje dihet që nuk mund të ketë shtet, por pa moral publik nuk ka shoqëri të civilizuar, sepse aty ku mungon morali publik, triumfon morali privat, vetiak, dmth atë që shohim për ditë, nëpër ekranet tona nga ky Kuvend. 

Shthurjen morale, ku ajo pjesë e rregullave, që individi, në një shoqëri të një emancipim të vazhdushëm, dmth me moral të fortë publik, vetëm i ëndërron. Morali vetiak apo privat, krijohet nga egoizmi, sepse udhëhiqet nga parimi ”ç’është e mire për mua, është e mirë në vetvete dhe ç’është e keqe për mua është e keqe në vetvete”. Kjo është edhe baza e anarkisë, sepse sa më shume morale private gjejmë në një shoqëri, aq primitive ajo mbetet, aq mënyra të ndryshme do të gjejmë në përceptimin e së mirës e së keqes. Kështu që morali publik grryhet nga përbrenda, derisa shkatërrohet për t`i lënë vëndin një mish-mashi sjelljesh private të njehësuar, në konflikt të përhershëm mes tyre, konflikt që kap detyrimisht edhe ligjet e asaj bashkësie e ngadalë fillon e gërryen edhe ligjet, siç ka ndodhur e po ndodh. Kështu që shkatërrimi i moralit publik, jo vetëm sjell krizën e shoqërisë, si pasojë e mungesës së homogjenitetit moral, por edhe vetë krizën e shtetit, si pasojë e konfikteve të ashpra e pakënaqesive krejt artificiale, në procesin e ligjvënies. Në këtë vorbull kemi katandisur!
Ofensiva e mediave vizive
Aspak larg këtij mejdani të turpeve, të këtyre cipëplasurve të cipës publike, nuk qëndrojnë as mediumet ku fanepsen tërë kohën, duke bërbalisur e moralizuar për keq të shkolluarit e shumtë apo siç duan të vetëquhen intelektualët. Është e pamundur që në një emision të dëgjohen të shkolluar të urtë, të qetë, që ruajnë gjuhën e të folurit, që respektojnë fjalën e tjetrit, që shprehin pjesë të dhimbjes së këtij poopulli. Pra gjërat duken edhe akoma më keq, sepse nuk po kemi një ndërgjegje të qartë të së keqes, që na sjell shpartallimi i cipës publike, për pasojë të përsonalitetit dhe njëherësh të indentitetit tonë kulturor. Ose na mungon trungu i rëndësishëm, që të përvetësojë ashtu elementët e kulturës europiane, për ku inspironim dikur. Nuk do të jetë kurrë e mundur të përvetësojmë elementët e kulturës europiane apo dhe të anglo-saksonëve, të fitojmë ashtu identitet e personalitet kulturor si popull e si komb, nëse nuk kthehemi tek traditat e ruajtjes, si gjë të shenjtë të cipës publike. Dhe ku do të duhej të ishte njëri prej misioneve të të shkolluarve gjithë urtësi e dije.
Por si mund të pranohet mënyra e shfaqjes në publik e të shkolluarit Andrea Stefani e Preç Zogaj, kur vetë ky i fundit mbeti duke bredhur si prifti me kusi, në çdo studio e faqe gazete, krejt për të rënë në sy si opozitar i thekur, kur është prodhuesi i një barre librash, për të mësuar prej tij të tjerët, të katandisi para publikut në një sherrxhi të mjerë, ku fyhet ai vetë, por edhe ne që kemi patur krejt tjetër opinion për Preçin, i tërë publiku, që pret para televizorit të dëgjojë fjalën e mirë, të urtën, shëruesen, prej tij apo dhe prej Stefanit. E si ta justifikojmë Andrean analist e opinionist, kur shpërthen me vërsulje, me fyrjet tepër rënduese, ndaj shokut përballë, si prej një katundari, të cilit i pati vjedhur hajvanin Preçi, ngarkuar me barrën me drithë! Duke i parë në atë farë katandisjeje, pa masë e sens fyerjet, këta të shkolluar, demek opinioniste e analistë, shikuesve, qytetarit të shkretë e gjithë halle, i lind dilema e natyrshme: ç`të bëjë me fletët e gjithë atyre librave të Preçit e të Stefanit?
Epidemia te profesorët
Kjo epidemi cipëpalsurish të cipës publike nga radhët e të shkolluarve, ka kapur keqazi edhe profesorët. Do të mjaftonte për t`i “hapur barkun” gjithkujt, përplasja e Profesor Fugës me Profesor Xhufin. Debati mes tyre përfundoi në meskinitete, banalitete ordinere, në fyerje, në krekjosje e hardallosje, që edhe çobanët për sinore të kullotjes dhënve, zor se arrinin gjer aty. Duke lexuar çfarë shkruante profesor Fuga, si kërcente ai gjatë diskutimit të reformës në arsim, krejt ndryshe nga heshtja e tij e madhe, gjatë lulëzimit të qindra universiteteve ku prodhoheshin e shiteshin dhiploma (jo diploma) të dhimsej titulli! Dhe pastaj sikur asgjë të mos kishte ndodhur, po ky intelektual pozontenë një shkrim, në një prej të përditshmeve, duke vënë dorën e mëngjër në rrethin e syzeve me shikimin lart, në stratosferë, nga ku shkruante se Shqipëria qënkej…”kthyer në një karakatinë’’!” Por ama profesor Fuga, nuk na tha, duke i bërë rixha: kush e katandisi në këtë farë feje, këtë “Shqipërinë në karakatinë”? Pikërisht ku e pikasi profesori i madh, që nga stratosfera, ku enden mentë e të gjithë atyre, që njerëzit poshtë, të mjerët u duken miza? Mos katundarët, që nuk dinë ku kanë tokën e ku kanë kokën? Mos ish – minatorët, ku shokët e ty, profesorë e doktor profesorë, në ekonomi e financat publike në “lulëzimet” që shofin ata, nuk u japin as thërrime pensionesh? Mos jetimët, mos sakatët, mos pensionistët me pension sa ju të shkolluarit me tërë ata tituj, i harxhoni për livando? Mos ish-ushtarakët që shkrinë jetën që Shqipëria të mbetej Shqipëri, për t’u shfrytëzuar nga pasardhësit e jo nga kusarët. Asnjë prej këtyre, por vetëm e vetëm nga të shkolluarit politikanë, nga të shkolluarit, që plot nga këta intelektualë iu ngjitën politikanëve injorantë e dallkaukë, si “hazineja pas këpuce”, për të përfituar nga vjedhja e asaj Shqipërisë, që gjetën, që nuk qe hiç karakatinë edhe spe qe e varfër. 
E sotmja e tranzicionit
Por e sotmja, jo vetëm e ktheu në të mjerë, por edhe të përdhosur, të vjedhur, të shitur, pa fije nderi e dinjiteti, të sakatosur …ama me mijëra doktorrë e profesorë, që vetëm e rrejpin, që nuk e nderojnë aspak, por e poshtrojnë nga aradha e shëmtuar e këtyre mbajtës titujsh që nuk kontribojnë sëpaku për t`i rajtur ndonjë të mirë të trashëguar, por i hoqën edhe të fundit, për të përfituar prej varfërisë këtij vendi. Vetëm të tillëve, hiçërve u duket karakatinë Shqipëria, që po ata kontribuan e kontribojnë të kthehet përfundimisht në karakatinë, sepse janë bashkëfajtorë me cipëpalsurit e cipës publike. Mijëra doktorë e profesorë doktorë e asnjë studim konkret se si mundet, ne mos të dilet sëpaku të zbutet kjo gjëndje, që njerzit të mos marrin arratinë nga sytë këmbët, pa parë të mirën e prodhimit të stanit të doktorëve prodhuar nga “stani i Naimit”, sa për gjithë Europën, por punë askush nuk thotë ku ka e ku mundet të hapet ndonjë front. Reforma pa fund dhe gjithçkaje i ka dalë kallai, krejt fundi. E mileti rri e vështron ndën mjegullnajën e halleve pa fund, ç`a po i prallisni, të shkolluarit e shumtë, por cipëpalsur të cipës publike. Është e habitshme si janë transformuar këta të shkolluar në këto vite. 

Po më tregonte një mësues i ciklit të ulët të një shkolle të Elbasanit, për Profesor Milon. E kish vërtitur, që të merrte në testim mësuesit, bazuar një libër të tijin, goxha të rënde në peshë, me temë Europën e Bashkuar. Libri kishte një çmim prej 3500 lekë. Dhe asnjë nuk mund të kalonte në testim, pa blerë librin, sikur me të bashkë…të blenin pjesë goxha të Europës. Mësuesi merrte rrogën në dorë 28000 lekë! Dhe unë që e kam njohur krejt ndryshe Milon, si të urtë, të sjellshëm, të ndershëm në maksimum, gati sa nuk i thashë: Milua duhet të rilexojë Leninin mbi “Shtetet e Bashkuara të Europës”, se Europa e sotme është ajo që profetizoi Lenini dhe jo e librit të Paskalit. Në fakte është ky sistemi që i sakatosi, që të gjitha vlerat. Ky system është i gjithi… “i pacipë”!