Fadil Kepi: Ushtarakët dhe llogaritja e pensionit

1012
Si ndikojnë vitet shtesë të punës në rritjen e pensionit, ushtarakët, dilema pension kooperative apo shteti dhe hapat në rast neglizhence nga institucionet
Pyetje
Zoti Ndoc Dedë Lucaj nga fshati Gjocaj Lezhë në bisedë telefonike tha: Më 30 Janar të këtij viti plotësoj moshën 65 vjeç. Kam 47 vjet punë të siguruara përfshi dhe periudhën që kam qenë ushtar. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen për pension të plotë, dhe si llogaritet pensioni?
Përgjigje 
Ju dilni në pension nga dita që plotësoni moshën 65 vjeç dhe për pension të plotë duhen 36 vjet punë të siguruara në vendin tonë përfshi dhe kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Me ligjin e ri të sigurimeve shoqërore sa më shumë vite pune të kesh punuar i siguruar aq më i lartë del pensioni. Pensioni llogaritet në këtë mënyrë: një shumë bazë që për 36 vjet punë është 6.858 lekë në muaj duke i shtuar dhe 1% të pagës mesatare bruto për çdo vit pune të siguruar. Meqenëse ju keni më shumë se 36 vjet punë shuma bazë 6.858 lekë shumëzohet me raportin (47 vjet pune që keni me 36 vjet punë që duhen për pension të plotë pra 6.858 x 1. 3 = 8.915 lekë në muaj). Kësaj shume i shtohet 1% e pagës mesatare bruto mujore për të gjithë vitet e punës pra në rastin tuaj 47% e pagës së mësipërme. Pagat për çdo vit para llogaritjes së pensionit sigurimet shoqërore i shumëzojnë me koeficentët e caktuara nga qeveria. Para daljes në pension punonjësit e institucioneve buxhetore sipas vendimit të qeverisë nr 493, 06. 07. 2011 përfitojnë deri një rrogë mujore shpërblim. Pas daljes në pension keni të drejtë të aplikoni në sigurime shoqërore për të përfituar kompensim të energjisë elektrike 648 lekë në muaj duke paraqitur dokumentet përkatëse. Në vendin tonë si rezultat i zgjatjes së jetës mesatare të popullsisë janë shtuar edhe vitet e marrjes së pensionit. Sipas statistikave zyrtare jeta mesatare në Shqipëri në vitin 2014 ishte 78,3 vjet nga 51,6 vjet që ka qenë në vitin 1950. Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Shqipëri kishte 1.446 pensionistë të moshës 95 deri 100 vjeç dhe 402 mbi 100 vjeç nga të cilët 321 femra dhe 81 meshkuj. Uroj që pensionistët në vendin tonë ta gëzojnë sa më gjatë pensionin. Duke shpresuar se ju kam sqaruar përshëndes edhe studiuesin e mirënjohur Lezhian, Frank Gjoka i cili është interesuar për problemin tuaj. 
Çfarë përfitoj, pension kooperative apo shteti
Pyetje
Mësuesi në pension Nexhmedin Paci nga Peshkopia në letrën e tij shkruan: Bashkëshortja ime ka lindur në Korrik të vitit 1958. Ajo ka punuar në ish- kooperativën bujqësore dhe nga viti 1993 meqenëse kemi tokë sipas ligjit ka bërë vetësigurime si fermere. Pyes, kur del në pension, sa vite punë të siguruara i duhen për pension të plotë dhe do të marrë pension kooperative apo shteti?
Përgjigje
Bashkëshortja juaj do të dalë në pension në moshën 60 vjece e 10 muaj, në Prill të 2019 dhe për pension të plotë shteti i duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në ish kooperativë bujqësore dhe vetësigurime si fermere në bujqësi. Vite pune për pension quhen nga mosha 16 vjeç. Vit i plotë pune në ish kooperativë bujqësore quhet ku gratë kanë realizuar 230 ditë pune në një vit kalendarik ose 20 ditë pune në muaj (230: 12 muaj) ndërsa për burrat vit i plotë pune për pension quhet kur kanë bërë 280 ditë pune në një vit kalendarik = 24 ditë pune në muaj (280: 12 muaj) në vitet që gratë dhe burrat kanë realizuar më shumë se 230 apo 280 ditë pune nuk merren parasysh në llogaritjen e pensionit. Vlera e ditës së punës për llogaritjen e pensionit sipas vendimit të qeverisë Nr 927 dt 29. 12. 2014 në të gjithë vendin llogaritet 1. 619 lekë në muaj. Sigurimet si të vetëpunësuar në bujqësi njihen nga 1/ 10 / 1993, sepse nga kjo datë hyri në fuqi ligji i sigurimeve shoqërore nr 7703 dt 11. 5. 1993. Nëse në moshën e pensionit bashkëshortja juaj ka 36 vjet e 8 muaj punë siguruara pune gjithsej, do të marrë pension shteti pavarësisht sesa vite ka punuar në ish kooperativën bujqësore nëse ajo nuk i ka vitet e punës për pension të plotë, nga 1/ 10/ 1993 e në vazhdim keni periudha të pasiguruara keni të drejtë të bëni sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi duke paguar kontributet si fermere me vlerën që i takon vitit 2017 pavarësisht se ju do të paguani për tu siguruar para disa viteve. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Peshkopi. 
Neglizhenca e institucioneve përkatëse
Pyetje
Lexuesi I Gazetës “Telegraf’ Jani Leka nga Korça shkruan: Familja ime përbëhet nga katër vetë sipas certifikatës së gjendjes civile të njësisë administrative 234: Unë dhe bashkëshortja pensionistë, vajza e datëlindjes 16/ 02/ 1961 invalide dhe djali i datëlindjes 12/ 10/ 1970 i cili është emigrant në Itali. Kam mbi 7 muaj që kërkoj kompensimin e energjisë elektrike në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë dhe ende nuk kam marrë përgjigje! Pyes, si duhet të veproj.
Përgjigje
Bazuar në vendimet e qeverisë nr 8 dt 14/ 1/ 2015 e 495, dt 29/ 6/ 2016, botuar në fletoren zyrtare 126 kompensim të energjisë elektrike 648 lekë në muaj marrin:
• Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe pension pleqërie fshati ose pension social, por që janë në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. 
• Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie ose pension social që janë me banim në fshat kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët.
• Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invadiliteti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Ju duhet të kërkoni përgjigjen zyrtare me shkrim nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Korçë dhe nëse ajo vonohet përsëri apo nuk jeni dakord me përgjigjen e saj ju sugjeroj ti bëni ankesë me shkrim Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë.
Kujdesi për të sëmurët, si ndikon kjo pensionin 
Pyetje
Një nënë nga Puka në një bisedë telefonike pyeti:”a quhet vjetërsi pune për pension periudha që nëna i shërben fëmijës të lindur me aftësi të kufizuar” ?
Përgjigje 
Mbështetur në vendimin nr. 326, datë 12.03.2009, “periudha e shërbimit si kujdestar, për invalidin paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili nuk është ekonomikisht aktiv, si dhe nuk përfiton të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, vlerësohet periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni, barrëlindjeje, aksidenti në punë dhe sëmundje profesionale dhe shërbim shëndetësor. Kontributi paguhet në bazë të pagës minimale dhe përballohet nga buxheti i shtetit”. Shërbimi Social Shtetëror, mbështetur në informacionin e dërguar nga njësitë e qeverisjes vendore, harton listat e kujdestarëve përfitues. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në zyrat përkatëse në Bashkinë Pukë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social në Tiranë, e cila varet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. 
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtar
Pyetje
Agimi nga Kavaja në mesazhin që na ka dërguar shkruan: Jam 48 vjeç dhe kam 17 vjet punë të siguruara nga të cilat 3 vjet kam qenë ushtar në policinë e shtetit dhe 14 vjet kam punuar në policinë e burgjeve. Kohët e fundit dola në rezervë. Pyes, a përfitoj pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtarak ?
Përgjigje 
Mbështetur në ligjin nr. 10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ushtarakët në moshën 47 vjeç kur dalin në rezervë ose në lirim dhe kanë punuar 15 vjet si ushtarak efektiv. Ju nuk përfitoni sepse keni punuar 14 vjet ushtarak efektiv dhe jo 15. Vitet që keni kryer shërbimin ushtarak në policinë e shtetit njihen vite pune për pension pleqërie, por jo për pension suplementar. Femrat përfitojnë pension të parakohshëm në moshën 42 vjeçe dhe kanë 12 vjet si ushtarake efektive. Kur të plotësoni moshën e pensionit të pleqërisë 65 vjeç e 1 muaj në vitin 2033, do t’ju quhen vite pune edhe 3 vjet që keni qenë ushtar. Sipas nenit 16 të ligjit të lartpërmendur përfitoni edhe pension suplementar i cili llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto mujore për cdo vit shërbimi, pra 14% të kësaj page. 
Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie
Pyetje
Mësuesi Bashkim Toska nga Elbasani shkruan: Më 1 shkurt të vitit 2017 plotësoj moshën 65vjec dhe kam punuar 33 vjet e 6 muaj. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie ?
Përgjigje 
Mbështetur në ligjin 104/2014, datë 31 korrik të vitit 2014, ju përfitoni pension të plotë po të keni 36 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë përfshi dhe periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Para daljes në pension nëse marrëdhëniet financiare i ndërprisni në fund të muajit shkurt përfitoni lejen e zakonshme për muajin janar të vitit 2017 mbasi lejen e plotë deri më 31 dhjetor të vitit 2016 e keni marrë në verën e vitit të kaluar. Para daljes në pension, përfitoni deri një rrogë mujore shpërblim. Me vitet e punës të siguruara që keni do të merrni pension të pjesshëm dhe barnat mjekësore me rimbursim të pjesshëm. Për të përfituar pension të plotë para se të plotësoni moshën e pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar 4.752 lekë në muaj ose 57.024 lekë në vit dhe për 2,5 vjet ose 142.560 lekë gjithsej. Në këtë rast do të përfitoni edhe barnat mjekësore me rimbursim të plotë. Sipas parashikimeve në buxhetin e shtetit të këtij viti, nga data 1 Mars, parashikohet që pensionet e të gjitha kategorive të shtohen 3%. Gjithashtu keni të drejtë që mbas daljes në pension të aplikoni në sigurimet shoqërore Elbasan për të përfituar kompensim të energjisë elektrike 648 lekë në muaj. 
Sigal