Fadil Kepi: Ja kush përfiton pension gjatë 2017

Ja gjashtë kushtet që ndryshojnë për pensionet që përfitohen në vitin 2017

 

            Mbështetur në Ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014, botuar në Fletoren zyrtare 137, kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pensione janë këto:

 

PENSIONE TË PLOTË TË PLEQËRISË:

 

1- Femrat që kanë punuar në punë të kategorisë së parë ose shumë të vështirë si: artistet e koristet e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, muzikantët e veglave të frymës në orkestrat dhe bandat shtetërore, gjimnastet e akrobatet e cirkut do të përfitojnë pension të plotë kur plotësojnë njëkohësisht këto tre kushte: moshën 57 vjeçe të kenë 35 vjet punë të siguruara në vendin tonë përfshi dhe vitet e shkollës së lartë ditën dhe nga këto tre të katërtat e 35 vjetëve baras me 26 vjet e 3 muaj të kenë punuar në profesionet e mësipërme. Pra, në krahasim me vitin 2016, vetëm mosha e pensionit shtohet me 6 muaj.

- Meshkujt që kanë punuar në profesionet e përmendura lart si dhe pilotët e personeli që kanë kryer fluturime ajrore, ushtarakët që kanë punuar në nëndetëse, polumbarët, disa profesione që kanë punuar në Kombinatin Metalurgjik, ferro-krom, fonderi etj. (të përcaktuara me vendime të Qeverisë që më hollësisht do ti gjeni në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore duke paraqitur librezat e punës) do të marrin pension të plotë në moshën 62 vjeç kur kanë gjithsej 36 vjet punë të siguruara në vendin tonë përfshi dhe periudhën që kanë qenë ushtar dhe nga këto tre të katërtat e 36 vjetëve, baras me 27 vjet të kenë punuar të siguruar në profesionet e mësipërme. Në krahasim me vitin e kaluar,shtohet mosha e pensionit me 6 muaj dhe periudha e punës e siguruar me 4 muaj.

2- Femrat të cilat kanë punuar në punë të kategorisë së dytë dhe të tretë si në bujqësi, shëndetësi arsim, art, kulturë, ushtarakë, shërbime, tregti, transport, median e shkruar dhe elektronike, administratën shtetërore, biznese, etj, do të përfitojnë pension të plotë në moshën 60 vjeçe e 6 muaj kur kanë gjithsej 36 vjet punë të siguruara në vendin tonë. Në krahasim me vitin 2016 mosha e pensionit shtohet me 2 muaj dhe periudha e punës së siguruar me 4 muaj.

- Meshkujt që kanë punuar në sektorët e mësipërm do të marrin pension të plotë në moshën 65 vjeç kur kanë 36 vjet punë të siguruara gjithsej dhe po në këtë moshë do të dalin në pension deri më 31.12.2032, ndërsa vitet e punës të siguruara për pension të plotë shtohen çdo vit me 4 muaj deri sa të arrijë 40 vjet punë. Femrat që gjatë vitit 2017 plotësojnë moshën 60 vjeçe e 6 muaj dhe meshkujt 65 vjeç kur kanë 15 deri 36 vjet punë përfitojnë pension të pjesshëm.

 

PENSIONET E PARAKOHSHME TË MINATORËVE TË NËNTOKËS

 

Punonjësit e nëntokës të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune më 1 janar 1995 dhe me dëshirën e tyre kanë dalë në pension të parakohshëm me 60% të pagës, sipas nenit 97 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.05.1993, gjatë vitit 2017 do të përfitojnë pension të plotë në moshën 62 vjeç, ose në krahasim me vitin 2016 mosha e pensionit të plotë shtohet me 6 muaj.

Personat që marrin pensione të plotë, pavarësisht nga gjinia e profesioni që kanë punuar përfitojnë barnat mjekësore me rimbursim të plotë.

 

PENSIONET E REDUKTUARA

 

-Femrat që kanë 36 vjet punë të siguruara në vendin tonë me dëshirën e tyre përfitojnë pension të reduktuar deri 3 vjet para plotësimit të moshës së pensionit të plotë, pra, nga mosha 57 vjeçe e 6 muaj kur kanë 36 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë, nëse janë pa punë, të pa vetë punësuara dhe s’janë punëdhënëse.

-Meshkujt në pension të reduktuar dalin në moshën 62 vjeç kur kanë 36 vjet punë gjithsej të siguruara dhe janë pa punë, të pa vetëpunësuar dhe s’janë punëdhënës. Të vetëpunësuar për femra dhe meshkuj quhen edhe personat që kanë tokë sipas ligjit. Pensionet e reduktuara për femra dhe meshkuj ulen me 0,6% për çdo muaj që dalin në pension të reduktuar para plotësimit të moshës për pension të plotë e barabartë me 21,6% kur dalin 3 vjet përpara (36 muaj x 0,6%), kur dalin 2 vjet para pensionit të plotë marrin14,4% më pak dhe 7,2% më pak (12 muaj x 0.6%) se pensioni i plotë kur dalin një vit përpra pensionit të plotë. Ky lloj pensioni shtohet sa herë indeksohen ose rriten pensionet e tjera me vendime Qeverie, por mbetet i reduktuara për gjithë kohën edhe pas plotësimit të moshave për pension të plotë si për femra ashtu dhe për meshkuj.

 

PENSIONET E PJESSHME

 

-Femrat të cilat plotësojnë moshën e pensionit 60 vjeçe e 6 muaj dhe kanë 15 deri 36 vjet punë të siguruara përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie.

-Meshkujt të cilët plotësojnë moshën 65 vjeç dhe kanë 15 deri 36 vjet punë të siguruara përfitojnë pension të pjesshëm. Femrat dhe meshkujt që plotësojnë moshat e mësipërme të pensionit dhe kanë më pak se 15 vjet punë të siguruara nuk përfitojnë fare pension pleqërie. Për të mos ndodhur kjo, rekomandoj që kur ti afrohen moshës së pensionit të komunikojnë me drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. të bëjnë sigurime vullnetare për të plotësuar minimumin e viteve të punës, 15 vjet sepse pas plotësimit të moshave të pensionit nuk kanë të drejtë të bëjnë sigurime vullnetare ose si të vetëpunësuar në bujqësi. Personat që marrin pensione të pjesshme përfitojnë edhe barnat mjekësore me rimbursim të pjesshëm.

 

NUK NDRYSHOJNË KËTO KUSHTE PËR PENSIONET

 

-Dokumentet që duhen dorëzuar për pension në agjencitë e sigurimeve shoqërore, afatet dhe procedurat që ndiqen.

-Procedurat e ankimit në rastet kur pensionistët nuk binden me masën e pensionit, vitet e punës të siguruara, pagat që janë marrë në konsideratë për caktimin e pensionit, datën e fillimit të pagesës, etj.

-Formula e llogaritjes së pensionit. Pra, shuma e pensionit nuk ka tavan, por varet nga shuma e viteve të punës të siguruara dhe paga mesatare bruto mujore mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për gjithë vitet e punës, shumëzuar me koeficientet përkatës të caktuara me vendim Qeverie.

-Pensionet e nënave të cilat kanë lindur 6 e më shumë fëmijë dhe i kanë rritur mbi 8 vjeç do të vazhdojnë të dalin në pension të plotë me dëshirën e tyre 55 vjeçe kur kanë gjithsej 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë.

-Kushtet për të përfituar me pagesë lejen e shpërblimin e lindjes dhe pagesën e raporteve mjekësore për paaftësi të përkohshme në punë.

-Kushtet për të përfituar pagesën e papunësisë ose të asistencës.

-Kushtet për të përfituar pensione familjare kur ndërron jetë burri ose gruaja.

-Kushtet e përfitimit të pensionit të plotë për punonjësit e nëntokës mbeten ato të përcaktuara në ligjin nr. 150/2014, datë 1.12.2014 botuar në fletoren zyrtare 182 të cilat janë: mosha 55 vjeç, të kenë punuar 30 vjet gjithsej të siguruar në vendin tonë dhe nga këto 12,5 vjet në miniera në nëntokë dhe ata që kanë përfituar trajtim të veçantë financiar sipas ligjit nr. 8685 datë 09.11.2000, përfitojnë pension të plotë: në moshën 55 vjeç kur kanë gjithsej 30 vjet punë të siguruara përfshi dhe periudhën e trajtimit të veçantë dhe nga këto 11,5 vjet në miniera në nëntokë.

-Kushtet për të përfituar pensione sociale.

-Kushtet për të përfituar pensione invaliditeti të pjesshme dhe të plota.

-Kushtet për të përfituar pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi e pension pleqërie të ushtarakëve femra dhe meshkuj, sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009.

-Kushtet për të përfituar pensione pleqërie e suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.

-Kushtet për të përfituar pensione suplementare, të pedagogëve me grada shkencore dhe akademikëve.

-Kushtet e ripunësimit të pensionistëve në sektor shtetëror dhe privat.

-Kushtet për të përfituar shtesë pensioni kur punonjësit punojnë mbi moshën e vitet e punës e vazhdojnë të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Kushtet për të bërë sigurime vullnetare emigrantët e personat e vetëpunësuar në bujqësi që banojnë në Shqipëri.

-Mënyrat e tërheqjes së pensioneve në vendin tonë.

 

QUHET PERIUDHË PUNE E SIGURUAR PËR PENSIONE

 

-Koha e punuar e siguruar në vendin tonë e dokumentuar në ish kooperativa bujqësore, sektor shtetëror, privat, e të vëtëpunësuar në bujqësi nga data 1 tetor 1993 e në vazhdim nga 16 vjeç dhe ajo e sigurimeve vullnetare përfshi dhe emigrantët nga mosha 18 vjeç për femra e meshkuj.

-Periudha e studimeve të larta ditën (vetëm për pension pleqërie për femrat) brenda ose jashtë vendit me ose pa bursë deri më 31.12.2032. Ato që dalin në pension mbas kësaj date nuk do tu quhet vjetërsi pune periudha e mësipërme.

-Koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak e dokumentuar

-Periudha e pagesës së papunësisë (asistencës).

-Grave që kanë ndërprerë punën për shkak se kanë shoqëruar bashkëshortët në Amasadat e Republikës së Shqipërisë jashtë vendi deri më 30.09.1993.

-Gratë e ushtarakëve që kanë ndërprerë punën e kanë shoqëruar bashkëshortët në zonat kufitare dhe atje kanë qëndruar pa punë.

-Periudhat e lejeve të zakonshme, raporteve mjekësore të pagueshme, lejeve të lindjes, edhe kur lejen e ka përfituar babai ose birësuesi i fëmijës kur ka qenë i siguruar (sipas nenit 13 të ligjit nr. 104/2014, datë 31.07.2014.

-Periudhat e paguara me pension të plotë ose të pjesshëm të invaliditetit sipas nenit 58 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.05.1993.

-Koha e kryerjes së dënimeve politike me heqie të lirisë sipas ligjit nr. 7514, datë 30.09.1991,“Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve e përndjekurve politikë duke njësuar një vit burg me 2 vjet punë, të internuarve e dëbuarve mbi moshën 15 vjeç, u quhet një vit dënim me një vit punë”.

-Periudhat e punuara dhe të siguruara të punonjësve në institucionet fetare.

-Periudhat e qëndrimit pa punë por të paguara me asistencë sociale në zbatim të vendimeve të Qeverisë nr. 420, datë 15 gusht 1994, “Për ristrukturimin e mbylljen e disa ndërmarrjeve, ristrukturimin e Telekomit sipas vendimit nr. 495, datë 14.08.2000, ristrukturimin e Albtransportit sipas vendimit nr. 18, datë 21.01.2002, Albkromit me vendimin nr. 309, datë 15.05.2003 etj.

-Koha e vuajtjes së dënimeve për motive ordinere sipas ligjit nr. 8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat e trajtimin e të dënuarve me burgim”, kur kanë punuar e janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të mësipërm.

-Periudha e kujdestareve që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjike sipas vendimeve të Qeverisë nr. 326 dhe 328, datë 12.03.2009.

-Koha e trajtimit të veçantë financiar që kanë përfituar punonjësit e nëntokës sipas ligjit nr. 8685, datë 9 nëntor 2000.

-Periudha e pagesës kalimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve sipas ligjeve nr. 8087, datë 13.03.1996 e 10142, datë 15.05.2009.

-Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare e pension të parakohshëm të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit sipas ligjit nr.8097, datë 21.03.1996.

-Koha e paguar me rrogë e studentëve të punësuar para e pas stazhit kur u janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Periudhat e pushimit nga puna padrejtësisht dhe punonjësit kanë përfituar rrogat e tyre me vendim gjykate dhe u janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ish qendrat e punës.

-Periudhat që mbas fillimit të punës punonjësit kanë bërë zbore ushtarake.

 

NUK QUHET PERIUDHA PUNË PËR PENSION

 

-Periudhat e paguara me ndihmë ekonomike.

-Periudhat e punuara në vendin tonë kur nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore pavarësisht se mund të jenë shënuar në librezat e punës apo librezat e kontributeve.

-Periudhat e punuara qoftë dhe të siguruara në Greqi, Itali, etj.

-Koha që nxënësit e studentet kanë kryer praktikat mësimore në qendrat e punës, stërvitjet ushtarake, zboret apo kanë kryer praktikat mësimore para, apo kanë punuar në aksionet e rinisë.

-Periudhat që personat kanë përfituar pension familjar.

-Koha që pensionistët janë punësuar e vetëpunësuar në sektorë private dhe kanë përfituar njëkohësisht pensionin dhe rrogën në qendrën e punës, pavarësisht se kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Periudha që djemtë për të mos shkuar ushtar kanë paguar detyrimet financiare sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi.

Sqarime më të hollësishme mund të merrni në internet, fletoret zyrtare, agjencitë e drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore dhe në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.