Evropë, këto nuk janë vlerat e përbashkëta!

818
Nga Frank SHKRELI
Fund javën që kaloi, një numër gazetash amerikane botuan lajmin e përhapur nga agjencia amerikane e lajmeve, Asosiejted Pres, se Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin lavdëroi ish-gjeneralin serb Vladimir Lazareviç – një kriminel i dënuar për krime lufte në Kosovë – për rolin e tij kundër ndërhyrjes së Aleancës ushtarake perëndimore, NATO-s në Kosovë, duke u shprehur, se Serbia nuk duhet të jetë më e turpëruar për mizoritë e kryera, për vrasjet e mijëra civilëve të pafajshëm, burra gra e fëmijë shqiptarë të Kosovës. Sikur Serbia të kishte shprehur më parë turpin e saj dhe të kishte kërkuar falje për krimet e shtetit serb në Kosovë kundër popullsisë civile gjatë luftës më 1999, por edhe më parë, gjë që nuk e ka bërë kurrë, Ministri serb i Mbrojtjes deklaroi se, “Ka kaluar koha e turpit dhe se tani është koha për një krenari të qetë”, duke shtuar se ish-gjenerali Lazareviç, i dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime lufte në ish-Jugosllavi, si dhe ushtarakët e tjerë serbë që morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të paarmatosur në Kosovë, “Duhet të dallohen si ndër më të mirët dhe më të guximshmit”, e ushtrisë serbe, për rolin e tyre në luftën kundër popullsisë civile shqiptare të paarmatosur në Kosovë. I lexon njeriu këto rreshta dhe është e pamundur të mos kujtohen imazhet nga masakrat e civilëve shqiptarë të pafajshëm, si ajo në Reçak, por edhe të tjera mizori, anë e mbanë Kosovës që kanë kryer forcat ushtarake dhe policore të Millosheviçit. Masakra kundër një popullsie të paarmatosur nga kriminelët, “më të mirë e më të guximshmit” e ushtrisë dhe të policisë serbe në luftën e Kosovës, me të cilët tani Serbia, sipas Ministrit serb të Mbrojtjes, jo vetëm që nuk duhet të jetë e turpëruar, por përkundrazi, duhet të krenohet. Nuk jam në dijeni, nëse Bashkimi Evropian ka reaguar ende ndaj kësaj deklarate absurde dhe të pamoralshme – e që është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane – deklaratë kjo e një zyrtari të lartë serb, e për më tepër e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë. Deklarata e Ministrit serb u bë dy tre ditë para se të mbahej në Prishtinë një konferencë mbi perceptimet publike të Gjykatës së Posaçme për krime lufte, në të cilën mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë debatit, udhëheqësi i Kosovës shprehu dyshimet e tij, nëse kjo gjykatë do të mund të vërë drejtësi dhe, nëse me të vërtetë do të ndihmojë pajtimin etnik në Kosovë. Dyshimet e Z. Thaçi janë me vend. Si mund të ketë pajtim etnik në Kosovë – me ose pa Gjykatë Speciale – kur udhëheqësit më të lartë serbë, publikisht dhe pa pikë turpi, lavdërojnë si, “më të mirët dhe më të guximshmit” e ushtrisë serbe, pikërisht ata që kryen krime lufte kundër popullsisë civile të pafajshme dhe të paarmatosur shqiptare? Si është e mundur që, përballë deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë – tani dhe në të kaluarën – në kundërshtim me vlerat e saj, Evropa i hap rrugën Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Kosovës i mohohet lëvizja e lirë e pa viza në zonën “Shengen”, ndërkohë që, sipas Presidentit Thaçi, ndonëse Kosovës iu premtua se do ta ketë ushtrinë e vet, as ky si një nga premtimet e bëra nga ndërkombëtarët nuk është realizuar? Sipas tij, këto ishin premtime të dhëna, pasi Prishtina zyrtare pranoi krijimin e Gjykatës Speciale, por “ndërkombëtarët nuk e mbajtën fjalën”, theksoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë sesionit të mbajtur në Prishtinë. Për më tepër, ai e cilësoi atë si një gjykatë etnike, e cila do të kundërshtohet nga 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, pasi, sipas tij, do të merret me krimet e supozuara të shqiptarëve dhe jo me krimet serbe në Kosovë. Për gjendjen e krijuar me Gjykatën Speciale, një pjesë të fajit të ndërkombëtarëve duhet ta marrin përsipër edhe autoritetet e Republikës së Kosovës, sepse nuk janë kujdesur siç duhet për punët e shtëpisë së vet, përfshirë këtu edhe drejtësinë në vend, ose, për vendosjen e një drejtësie të mirëfilltë”, siç u shpreh Presidenti Thaçi gjatë konferencës mbi “Perceptimin publik të Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, që u mbajt ditët e fundit në Kosovë. Me gjithë këtë, Z. Thaçi u shpreh optimist se “Gjykata Speciale do të jetë një pikë drejtësie në oqeanin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”. Drejtësia, është një ndër “vlerat e përbashkëta” për të cilat supozohet, se Evropa mban qëndrim të fortë, për veten e saj dhe për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Serbinë. Në këtë këndvështrim, nuk mund të barazohet viktima e krimit me ata që kanë kryer krimin. Ndëshkimi i krimit është gjithashtu një vlerë e përbashkët. Zbatimi i ligjit, bazuar në institucionet demokratike kombëtare dhe ndërkombëtare (evropiane) është, pjesë e vlerave të përbashkëta, rrënjosur në besimin se pa drejtësi nuk ka paqe, as në Evropë dhe as në Ballkanin Perëndimor. Kosova, Serbia dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për një Evropë të fortë, të drejtë dhe të vendosur, që i trajton të gjithë njësoj dhe pa dallime, por edhe për një Evropë që dallon viktimën nga ai që kryen krimin. Vetëm në këtë mënyrë – me ndihmën e një Evrope që mbron vlerat e përbashkëta për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë drejtësinë – do të çohet përpara siguria, liria, demokracia dhe begatia, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor. E vetmja mënyrë kjo për t’u përballur me sfidat e pasojave të luftërave, përfshirë vendosjen e drejtësisë në ish-Jugosllavi, përshirë edhe luftën në Kosovë. Ishin padrejtësitë shekullore në atë territor që çuan në shpërthimin e konflikteve atje dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Më në fund, do të jetë vendosja e drejtësisë së vërtetë dhe e mohuar për aq shumë kohë, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ajo që do të sjellë paqe dhe stabilitet midis popujve të atij rajoni. Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë nuk është pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane dhe nuk ndihmon kauzën e një Evrope të lirë, demokratike, në paqe dhe të bashkuar!
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë

Sigal