Evropa, dera e mbyllur për shqiptarët

Nga Viktor BAKILLARI

Jemi ende larg Evropës kur duhej të ishim në Evropë 

(Letër e hapur, drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë)
Të nderuar deputetë,
Pas një konkurrimi të fortë dhe të ndershëm, ia dolët!
Urime!
Tash ju do të uleni në Odën e Madhe të Popullit.
Ju jeni tanimë një ndër lokomotivat e reja të Shqiptarëve që do t’ju duhet të punoni me ngulm e me përkushtim për përparimin e vendit, për çështjen kombëtare si dhe për europianizimin e Shqipërisë.
Detyra juaj është shumë e rëndësishme; aq e rëndësishme, saqë do të keni fate njerëzish dhe pse jo, edhe të vendit e kombit në dorë. 
Shansi ju është dhënë! E shfrytëzofshi për punë të mbara!
Ju tashmë duhet të silleni me dinjitet si shërbestarë të përkorë të atyre mijëra e mijëra votuesve, pa dallim: pro dhe kundër jush.
Tashmë ju jeni megafoni i tyre, altoparlanti i tyre, zëdhënësi i tyre. Qofshi dinjitozë!
Ne tani e dimë vendin tuaj, gati me saktësi kozmike, edhe pse shpeshherë jeni të detyruar të rrotulloheni rreth “orbitës” popull për ta parë e për t’i qëndruar pranë. Edhe dielli lind në lindje por, duke qenë i drejtë ndaj tokës, përfundon në mbrëmje në perëndim.
Vendi juaj pra, është në Kuvend për të hartuar e votuar ligje, për të përparuar Shteti i së Drejtës edhe në Shqipëri.

Zotërinj deputetë,
Ju tashmë keni nisur një shkollë të re, për të cilën duhet të punoni ditë e natë. Nga ky këndvështrim, ju do të merrni pjesë aktivisht në grupe të ndryshme kuvendare si dhe në komisione të veçanta të Kuvendit. Ata që ju zgjodhën, do të shikojmë e ndjekin gjithë sy e veshë dhe do të çkodifikojmë kuptimin e veprimeve dhe të votimit tuaj. Kujdes nga djajtë dhe demonët korruptues majtas – djathtas, lart – poshtë, të brendshëm – të jashtëm! Zgjedhësit i kanë tmerr deputetët mungestarë. Ata nuk i honepsim dot deputetët e plogët, të përgjumur apo më keq, gjumashë. Sa për ata të ngathëtit, shkopinj – nën – rrota – vënësit, a që punojnë kundër interesave kombëtare, ata janë të tepërt, nuk kanë ç’i duhen vendit. Vendi kërkon ritme shumë më të shpejta zhvillimi. Ju duhet ta përmbushni me sukses misionin, për të cilin jeni zgjedhur e, falë të cilit, do të paguheni me taksat e zgjedhësve. Nëse jeni të paaftë, ndershmërisht dorëzoni kartonin dhe mos vegjetoni!

Të ndershëm deputetë,
Përgjegjësia dhe respekti juaj ndaj zgjedhësve nis me shqisën e të dëgjuarit. Qofshi një vesh i hapur, i kujdesshëm për të dëgjuar çdo shqetësim të kujtdo prej mishi e gjaku. Ata që ju kanë zgjedhur, nuk e kanë bërë këtë, që ju të mbeteni me pushime në det apo në mal, a të qëndroni më shumë në ajër se në tokë, por për të punuar në Kuvend e për zgjidhur shqetësimet e tyre.

Zbritjet tuaja të herëpashershme nga Tomorri në Myzeqe dhe takimi me zgjedhësit është shumë i mirëpritur dhe i dëshirueshëm. Këta ju kanë dhënë tagër që të jeni zëri i tyre i fuqishëm në Kuvend dhe jo të shkëputeni prej tyre, të mbylleni në kullën e fildishtë.

Secili prej jush duhet t’i thërrasë ndërgjegjes. Ju nuk duhet ta fshini fytyrën asnjëherë. Vendimmarrja juaj, votimi juaj duhet të jetë i qartë, i tejdukshëm, i motivuar, pa rënë kurrë ndesh me Çështjen Kombëtare a me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 

Mundet që disa prej jush (tmerr! disa quhet shumë!), nisur nga ç’kanë bërë paraardhësit tuaj në ato ndenjëse, të vrapojnë sërish pas ndereve; (për)fitimeve të pamerituara; të përfshihen nga etja dhe lakmia për tituj honorifikë duke e lënë pas dore a duke e braktisur detyrën; këta kuvendacë, të jeni të sigurt, do të jenë “të nderuar” pa nder. E pra, mos qofshi të tillë! Rrini sa më larg kësaj skote grabitqarësh, kësaj race peshk-a-qenësh dhe, nëse merrni vesh për të tillë, demaskojini, dëbojini! Këta kanë arritur të hyjnë në Tempullin e Popullit ashtu si një plaçkitës në shtëpi, ashtu si një trushkyerës në kishë, teqe a xhami. Të tillë deputetë të ngjallin veç krupë e neveri.

Të nderuar të zgjedhur, 
Ju keni arritur një post shumë të lartë e ndër më të nderuarit kudo edhe pse kuotat e besimit të masës ndaj jush sot, ashtu si këto 27 vjet, fatkeqësisht, vazhdojnë të jenë gati-gati përtokë!

Falë jush, klasës politike që ka drejtuar këtë vend, jemi ende larg Evropës kur duhej të ishim në Evropë. (Mos e lexoni këtë fjali thjesht si lojë fjalësh a mënyrë drejtshkrimi, ju lutem! Ku janë sot Sllovenia, Kroacia, Rumania, Bullgaia, me të cilat kemi nisur garën bashkërisht për në Europë e sot KU JEMI NE?) Ju jeni të mandatuar dhe duhet të punoni me ndershmëri e me përkushtim të skajshëm, për t’u futur juridikisht në Evropë; ju duhet të jeni të pakorruptueshëm, të motivoni qëndrimet dhe veprimet tuaja gjatë veprimtarisë suaj, duhet të jepni llogari për mandatin, ndryshe asnjë nuk do të shprehë keqardhje a pikëllim edhe sikur të marrë vesh që do të kaloni disa vjet ‘pushime në hotel pa para’, apo, edhe më keq akoma, sikur t’ju dëgjojë mandatën. 

Shpërdorimi i mandatit (i cili lidhet pazgjidhshmërisht me pacenueshmërinë (imunitetin)) për pasurim të pandershëm, privilegje, miqësira, a punë të mbrapshta është i papranueshëm, i pafalshëm dhe i dënueshëm ligjërisht dhe moralisht.

Ju keni 4 vjet për të dëshmuar e treguar me vepra, punë e përkushtim, nëse meritoni të jeni bij të denjë të Shqipërisë /bija të denja të Shqipërisë.

Të nderuar përfaqësues të popullit!
Punoni me ndershmëri!
Zbatoni ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me përpikëri!
Respektoni, mbroni dhe lartësoni figurat që kanë dhënë jetën dhe kontribut në çdo skaj të truallit kombëtar për pavarësi e liri!
Mendoni, ligjëroni dhe shkruani shqip, pra në gjuhën tuaj të lashtë e të bekuar!
Duajeni e mbrojeni gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe çdo simbol tjetër të çmuar!
Dhe, keni për të parë, kur të gdhendet a larzohet në histori emri juaj.

Punë të mbarë zotërinj deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Urimet dhe bekimet tona, ju shoqërofshin!