Evis Kusha, rrogëtarja e shtetit kundër opozitës, e zgjedhura e Edi Ramës për deputete

673
Sigal

Edi Rama dje ka prezantuar në Elbasan kandidate për deputete zj.Evis Kusha, Dekane e Universitetit të Elbasanit. Evis Kushe, deri dje nuk ka dhënë asnjë kontribut në të majtën, por edhe në vetë PS-në. Nuk mund të jetë shprehëse e përfaqësimit të socialistëve në Elbasan, e ca më pak, më gjerë. E, megjithatë, këto mangësi, nuk  e penguan Edi Ramën që ta zgjedhë, pa pyetur askënd nga strukturat e PS-së në Elbasan,  sikundër ka vepruar deri tani edhe me kandidatët e tjerë që ka prezantuar në Kukës dhe në Peqin, me Vexhi Muçmata dhe Alfred Peza, të cilët, gjithashtu, nuk kanë kontribuar asnjë orë në të majtën dhe te PS-ja. Ndokush, për Dekanen e Universitetit të Elbasanit mund të thotë se është një intelektuale dhe PS-ja duhet të jetë e hapur e pa paragjykime. Natyrisht, e pranueshme edhe kjo hipotezë, mirëpo, njëkohësisht, mund të ngremë hamendjen tjetër: A nuk ka të tjerë intelektualë, po kaq të denjë, po me kaq integritet, por që kanë dhënë kontribut te PS-ja, që janë njerëz që gëzojnë reputacion dhe respekt edhe te vetë socialistët, që të bëhen shprehës të tyre?  Evis Kushi, para një muaji, si intelektuale, madje me titullimin “Dekane e fakultetit” ka firmosur një peticion të intelektualëve në Elbasan, ku i drejtohet Kryetarit të PS-së (me emër, Kryetarit të PS-së) Edi Ramës, që të dëgjojë intelektualët që PS-ja të votojë në Kuvend 3 ligjet e pavotuara, sepse, me mosvotim, PS-ja bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë. Pra, para një muaji, Evis Kushi, ishte një intelektuale dhe peticiononte kundër politikës bllokuese të Edi Ramës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar , asokohe, në Twitter pas shtimit të listës së nënshkruesve të peticionit kundër opozitës edhe me pedagogë universitetesh, ku një ndër ata ishte edhe Dekania e Universitetit të Elbasanit, Evis Kushe. “Pas 23 Qershorit do marrin fund peticionet e turpshme të rrogëtarëve të shtetit kundër opozitës!” shkruan Rama. Pra, sipas Ramës, edhe Evis Kushi, si një firmëtare, është “rrogëtare e shtetit kundër opozitës”.  Dhe Edi Rama shpjegon më tej, qëllimin e atyre që firmosin peticionet kundër opozitës. “Kryetarja e Kuvendit ka iniciuar një peticion, nga ata që ajo i quan intelektualë, të cilët kërkojnë nga Kryetari i PS-së të votojë tre ligjet e mbetura pezull në Kuvend. Firmosësit e peticionit thonë se, kjo do i hapë rrugë integrimit në BE.” Atëherë, ç’ndodhi në ndërkohën e një muaji? Ndryshoi botëkuptimin politik Evis Kushi? Domethënë, nga një rrogëtare e shtetit kundër opozitës, u shndërrua në një shprehëse e politikës të …opozitës? Apo, ndryshoi qëndrim politik Edi Rama dhe, kësisoj, u kërkon të falur Evis Kushe e të tjerëve, për cilësimin “ rrogëtarë të shtetit”?  Sepse, që të jenë  të  dy, Edi Rama dhe Evis Kushe, në të njëjtin skuadër kombëtare (të Rilindjes), pa u ndryshuar askush, kjo vështirë që të jetë e besueshme nga vetë socialistët e thjeshtë.  Kush mund të besojë sot, “pendimin” e Evis Kushe, për firmën e saj në peticionin kundër PS-së? “Kisha firmosur në një letër të bardhë, pasi m’u tha se ishte fjala për një nisëm politike. Ku kërkohej bashkëpunimi i të gjitha forcave politike në funksion të integrimit”, – justifikohet sot Evis Kushe.  Përse Evis Kushe, nuk reagoi  atëherë, ditën që u publikua peticioni, edhe me firmën e saj? Ose, atëherë, ajo nuk e kishte kuptuar peticionin si një kërkesë politike, ose, e kishte firmosur si një rrogëtare e bindur e shtetit. Apo, Evis Kushe, reagon sot, meqë, nga një rrogëtare e bindur e shtetit, u bë pjesëtare e skuadrës kombëtare të Rilindjes?