Eustrat ZHUPA / Arsimi dhe Drejtoritë (pa) arsimore

688
Sigal

Në vorbullën e ngjarjeve të fundit, ku dëgjojmë histori me turpe të llojeve të ndryshme, vëmendja po devijohet nga problemet më ngacmuese për një shoqëri. Shqetësimet janë të shumta dhe të llojeve të ndryshme, po në këto rreshta unë dua të shkruaj diçka për arsimin dhe “rrjepjen” politike të sistemit arsimor në atdheun tonë të përbashkët. Dashamirësit e arsimit, por edhe ndonjë tjetër lexues i mirë informuar, e dinë se në qytetet tona ka një strukturë drejtuese (dhe të drejtuar), një nga funksionet, e të cilës është administrimi i personelit mësimor nëpër shkolla. Nuk është ndonjë lajm fakti se këto drejtori kanë shërbyer historikisht partitë në pushtet. Kjo është edhe situata e tanishme. Njoh më mirë situatën në qytetin tim të lindjes në Vlorë dhe aty do e mbështes denoncimin tim publik. Prej pak kohësh aty është bërë drejtor një djalosh i quajtur Ermal Xhelilaj, të cilin unë e njoh personalisht dhe e kam pasur koleg dhe vartës. Ky djalosh nuk e njeh arsimin parauniversitar, por kjo nuk është objekt i këtij shkrimi. Edhe unë e njoh arsimin parauniversitar vetëm si ish-nxënës dhe prandaj nuk dua të ndalem te kjo pjesë. Ajo që unë dua të bëj publike është se si ky drejtor bashkë me shumë të tjerë bëhen një vegël qorre në duart e bejlerëve politikë të qytetit. Është tragjik dhe komik në të njëjtën kohë fakti se ata që i trajtojnë si “kukulla” shpesh janë persona të paarsimuar mjaftueshëm ose me diploma të blera në tregun universitar. Nga ana tjetër, dua të drejtoj gishtin për të disatën herë nga ai që unë e konsideroj përgjegjësin kryesor për shkatërrimin e arsimit këtë dekadën e fundit, zoti Myqerem Tafaj. Ajo që po ndodh në Drejtorinë Arsimore të Vlorës, pak a shumë si kudo, është se këta zotërinj refuzojnë me cinizëm të lexojnë dhe zbatojnë ligjin, refuzojnë hapur zbatimin e vendimeve përfundimtare të gjykatave, shkelin çdo ditë të drejtat e arsimtarëve dhe e bëjnë këtë me bindjen se nuk do të mbajnë asnjë përgjegjësi ligjore. Natyrisht zoti Tafaj e njeh mirë situatën, sepse emri i tij dhe i drejtorëve të tij është bërë si tabelë qitje dhe atë e gjen kudo: në seanca të Komisionit të Arsimit, në lajme gazetash, në parulla protestash, madje edhe në postime në Facebook, që qeveria dhe Kryeministri i vlerësojnë si shumë realiste. Kohët e fundit në lajme shoh se disa lëvizje të rinjsh po dalin me emra personash që ata i konsiderojnë si fajtorë për manipulimin politik të nxënësve, lëvizje të paligjshme arsimtarësh, etj.. Por duket qartë se këta zotërinj të akuzuar publikisht tashmë e kanë “ngrënë turpin me bukë”. Ata kanë mbyllur gojën dhe veshët dhe kanë pranuar këtë status vetëm e vetëm për të mbajtur karrigen e tyre dhe për të kënaqur disa nevoja ekonomike. Me pak fjalë, “të dhjerë, por të ulur në karrige”.