Sigal

Prof. Dr Arben Malaj

Msc. Eri Sulo, IPPM.

Viti 2018 është i veçantë në tronditjet që ka shkaktuar në rendin e qeverisjes globale. Vitet e fundit konstatohet tërheqja e SHBA-se nga disa marrëveshje të mëparshme dhe nisjen e një lufte tregtare. Zhvillime jo pozitive janë konstatuar edhe në BE, ku për shkak të thellimit të plagëve sociale, si papunësia e lartë, thellimi i pabarazisë, rritje e flukseve emigratore, kemi rritje të euroskeptikëve dhe populistëve në përfaqësimin politik në disa prej vendeve kryesore të BE-së, duke ushqyer grindjet për unifikimin e qëndrimeve të saj ndaj sfidave evropiane dhe globale.

Edhe pse efektet sociale të krizës financiare 2008 janë zvogëluar, sërish pjesa e qeverisjes ekonomike e BE-së mbisundohet nga debatet politike brenda vendeve të BE-së dhe midis tyre për ndarjen e kostove të kësaj krize. Përballë këtyre risqeve liderët politikë gjenden nën trysninë e menaxhimit sa më të mirë të sfidave të vështira të zhvillimeve politike brenda vendeve të tyre dhe ruajtjen e projektit të BE-së. Një test i rëndësishëm do të jenë zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian. Njëkohësisht BE ndodhet përball luftës tregtare të SHBA. Strategjisë së Presidentit Trump, “Amerika First” vendet e BE-së mund ti paraqitet vetëm si një bashkim ekonomik. Kjo krizë ka një efekt pozitiv për të ardhmen e BE-së, ajo po rrit ndërgjegjësimin e liderëve politikë për domosdoshmërinë për ta bërë sa më konkurruese BE- si një prej blloqeve më të mëdha ekonomike. Përpara luftës tregtare eksportet, importet, investimet në tregjet financiare reciproke dhe investimeve të huaja direkte krijonin në SHBA dhe BE rreth 15 milionë vende pune, të ndara afërisht në mënyrë të barabartë midis tyre. Duke u fokusuar tek lufta tregtare me SHBA-s vendet e BE-së janë pjesë e një tregu unik i cili nënkupton që tarifat doganore dhe rregullat doganore ndaj vendeve të tjera jashtë BE-se janë unike. Pra në rast të një kundër reagimi të Gjermanisë ndaj tarifave të reja të SHBA-së për automobilat që shiten në SHBA me rritje të tarifave ndaj produkte amerikane më të shitura në tregjet evropiane, do të jetë për të njëjtën shumë, të rritjes së detyrimeve doganore nga SHBA. Nuk mund të ketë luftë tregtare bilaterale nga vende të veçanta të BE-së, por një qëndrim unik për tregun e të 28 vendeve të BE-së. Ky është avantazhi i bashkimit të vendeve evropiane në projektin e BE-së, ky është paralajmërimi i Monnet, i cili në 1943, kur theksonte se vendet e BE-së janë të vogla për t’ju siguruar vendeve të tyre paqe dhe prosperitet. Ndarja e kostove të krizës 2008, pasojat e mos rritjes së të ardhurave reale për një kohë të gjatë, reduktimi i klasës së mesme, flukset e mëdha emigratore si dhe mobilizimi i ngadaltë i BE-së në përgjigje të krizave, janë “ushqimi i bollshëm” për euroskeptikët dhe populistët të cilët duhet pranuar se po marrin një akses në rritje në përfaqësimin politik në vendet e tyre dhe institucionet e BE-së. Dalja jashtë kornizave strikte ideologjike e liderëve politikë ka lehtësuar arritjen e koalicioneve me spektër të gjerë politik, duke minimizuar riskun që euroskeptikët dhe populistët të bëhen dominues e pengues në sfidat e saj. Shpresa për të ardhmen e BE-së vjen edhe nga testimi i vlerësimit dhe mbështetjes së qytetarëve evropianë ndaj saj, anëtarësimi dhe përfitimi i në BE, si dhe zhvillimet demokratizuese të institucioneve të qeverisjes së BE-së, ku përfshihen Këshilli Europian, Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian.

Një raporti i fundit i EuroBarometer analizon indikatorët e funksionimit të demokracisë brenda Unionit një vit para zhvillimit të zgjedhjeve Europarlamentare, ku konfirmon se 67 për qind e të intervistuarve vlerësojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE dhe vetëm 23 për qind vlerësojnë se nuk kanë përfituar. Për sa i përket demokratizimit të BE-së, 48 % shprehen se zëri i tyre dëgjohet dhe 46 % jo. Trendi është pozitiv, por i pamjaftueshëm. Një tjetër pikë kyçe e BE qëndron tek fakti që 60 % shprehen e vlerësojnë anëtarësimin e vendit të tyre në BE pozitivisht. Edhe pse BE kaloji një krize jo të lehtë, edhe pse shume eurospetikë brenda dhe jashtë saj predikuan rënien e euros, fundin apo shpërbërjen e BE-së, bazuar në këtë sondazh 67% e të anketuarve vlerësojnë se vendet e tyre kanë përfituar nga anëtarësimi në BE, ky është nivel historik. Nga vendet e anketuara rreth përfitimeve të BE-së pothuajse të 27 nga vendet anëtare janë optimiste rreth të ardhurave të gjeneruara nga bashkimi i tyre në UNION. Por ka edhe zëra skeptikë kundrejt parlamentit evropianë ata vlerësojnë se operimi dhe shkalla e besueshmërisë ndaj tij është ulur nga 46% në 42%. Prandaj reduktimi i deficitit demokratik në funksionimin e institucioneve të BE-së do të jetë prioriteti kryesor para dhe pas zgjedhjeve të reja. Indeksi i cili tregon me optimizëm progresin e BE-së konkretizohet në faktin që 55% e të intervistuarve besojnë se BE po ecën në drejtimin e duhur dhe 42% shprehen se gjërat nuk janë siç duhet. Trendi disa vjeçare tregon rritje në besueshmërinë e politikave të BE-së. BE është aktualisht e (pa) lodhur nga debatet e thellimit të integrimit në pjesën ekonomike e politike. Lista e reformave të brendshme për demokratizimin e BE-së dhe funksionimin sa më mirë të ekonomisë së saj, është e gjatë, e vështirë dhe do të jetë e përhershme. Reformat duhet ta bëjnë BE-në më demokratike,më funksionale, më të shpejtë në reagim ndaj krizave dhe më solidare ndaj sfidave sociale.