EUROSAI-OLACEFS, frytet e një bashkëpunimi 25 – vjeçar

633
Auditimin më të lartë publik të jashtëm, krahas standardeve të tij ISSAI, e përditëson dhe e mban të lidhur me sfidat e sotme ekonomike dhe shoqërore të globit, bashkëpunimi mes institucioneve kombëtare të auditimit (SAI-ve) dhe shkëmbimi i eksperiencave. Në vetë frymën dhe motivimin e organizatës së institucioneve supreme të auditimit publik (INTOSAI), që përmbledh 192 vende me status anëtari të plotë dhe 5 vende të asociuara, të shprehur në mënyrë të koncentruar në moton e organizatës “Experentia mutua omnibus prodest”, (nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”, bashkëpunimi është parësor për freskimin e njohurive dhe praktikave të auditimit, si dhe sigurimin e pavarësisë. Në planin e bashkëpunimit mes organizatave rajonale të INTOSAI-t, konferencat e përbashkëta janë forumet më të larta të shkembimit të eksperiencës mes SAI-ve të kontinenteve të ndryshme. EUROSAI, si organizatë rajonale e Evropës, është themeluar në vitin 1990 me 30 anëtarë (29 SAI të shteteve evropiane dhe Gjykata Evropiane e Audituesve ECA). Tani EUROSAI numëron anëtarë (49 SAI të shteteve evropiane dhe Gjykata Evropiane e Audituesve). Këtë vit EUROSAI përkujton 25 – vjetorin e themelimit të saj në Madrid, në vitin 1990. Organizata ka bërë një rrugë të gjatë që nga momenti i krijimit të saj, duke kryer veprimtari të shumta, duke ndërtuar kapacitete autituese nëpërmjet grupeve të saj të punës dhe organizimit të konferencave dhe seminareve të përbashkëta me organizatat e tjera rajonale, në zbatim të motos së INTOSAI-t. 
Organizata rajonale OLACEFS është struktura e SAI-ve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, e cila ka një traditë të gjatë që daton që nga viti 1963. Në atë vit ajo u themelua si Instituti i Shkencave të Auditimit të Amerikës Latine, dhe më vonë, në vitin 1990, mori emrin aktual OLACEFS. Vizioni konceptual i organizatës fokusohet në promovimin e pjesëmarrjes së SAI-ve të rajonit në zhvillimin e tyre të qendrueshëm dhe përmirësimin profesional, nëpërmjet kryerjes së investigimit shkencor, zhvillimit të studimit, trajnimit dhe specializimit në fushat e ndryshme audituese dhe ofrimit të këshillave teknike, ndihmës dhe koordinimit për SAI-t e Amerikës Latine dhe Karaibeve. Si EUROSAI dhe OLACEFS organizojnë konferenca të përbashkëta çdo tre vjet, që nga viti 2000. Konferencat janë forumet më të larta të të dy organizatave rajonale, për shkëmbimin e eksperiencave dhe ndërmarrjen e nismave të tjera të përbashkëta, si auditime të koordinuara apo pilote. Në fund të qershorit, më 24-26 qershor, 2015, u zhvillua në kryeqytetin Kuito të Ekuadorit, Konferenca e 8-të e përbashkët EUROSAI-OLACEFS, me pjesëmarrjen e 115 përfaqësuesve nga SAI të Evropës, të Amerikës Latine, të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, si dhe të organizatave ndërkombëtare donatore. E veçanta e takimit ishte prania e shumë ekspertëve të jashtëm të fushave të ndryshme me rëndësi jetike për auditimin, si arsimi, qeverisja e hapur, kontrolli dhe e-learning (të mësuarit nga interneti), por edhe realizimi i një dialogu të hapur dhe dobiprurës. Aroldo Cedraz de Oliveira, President i Gjykatës së Audituesve të Brazilit dhe njëkohësisht President i OLACEFS, theksoi se: “integrimi dhe dialogu mes SAI-ve është një oportunitet për të ndarë me njeri-tjetrin progresin e kryer dhe për të kombinuar eksperiencat e fituara lidhur me auditimet e koordinuara, mbështetjen për zhvillim, transparencën, etikën dhe të dhënat e hapura”. 
Temat qëndrore të konferences ishin “Auditimet e Koordinuara” dhe “Kontributet e SAI-ve në Mirëqeverisje”. Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe pune, ku prezantuan dhe këmbyen eksperiencat e secilit vend, ne lidhje me praktikat e auditimeve të përbashkëta. Auditimet e koordinuara, jo vetëm kombinojnë disa auditime me të njëjtën temë, të kryera nga SAI të ndryshme në vendet e tyre përkatëse, në bazë të një qasjeje të integruar, por ato kohët e fundit janë parë nga INTOSAI dhe struktura e tij shkencore “Iniciativa për Zhvillim”(IDI) si një mekanizëm të fuqishëm për ndërtimin e kapaciteteve. Këto auditime lejojnë njohuritë metodologjike dhe teknike që do të aplikohen për një problem të vërtetë të jetës dhe shoqërisë, duke rezultuar në një raport auditimi specifik për sektorin që auditohet dhe për rajonin. IDI sot po i përdor auditimet pilote të koordinuara si një komponent i një strategjie të mësimit të integruar. Auditimet e koordinuara sigurojnë avantazhe të dallueshme, sepse lehtësojne bashkëpunimin e ngushtë afatgjatë midis SAI-ve dhe prodhimin e një raporti të konsoliduar të auditimit për një çështje të madhe rajonale. Konferenca theksoi rëndësinë për auditimet e koordinuara të përdorimit të mjeteve të multimedias dhe platformave të teknologjisë dixhitale. Diskutimet mes pjesëmarrësve, duke sjellë përvoja konkrete të punës së tyre audituese në vendet përkatëse, dëshmuan se auditimi i koordinuar ofron mundësi të shumta për ngritjen e kapaciteteve dhe që të dyja organizatat rajonale, si EUROSAI dhe OLACEFS po punojnë ngushtësisht në këtë drejtim. Audituesit, krahas forcimit të dijeve dhe sigurisë që marrin në përdorimin e metodologjive aktuale të auditimit, thellojnë njohuritë e tyre në çështjet specifike të auditimit(p.sh. auditimi i prokurimeve publike, etj.), përmes një kombinimi të metodave të trajnimit, siç janë kurset online dhe seminaret. Gjatë fazave të kërkimit dhe të planifikimit, ekspertë të jashtëm të njohur me fushën dhe nderveprimin rajonal, mund të luajnë një rol kyç në sigurimin se audituesit kanë informacionin dhe aftësitë që u duhen për të kryer punën e tyre. Kjo qasje është me rëndësi të madhe dhe për ne si auditues të KLSH, në sfidat tona në punën për përmirësimin e qeverisjes dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit. Aty ne mësuam rëndësinë e madhe që i japin organizata si EUROSAI dhe OLACEFS kontributit në auditim dhe në ngritjen e kapaciteteve audituese, të ekspertëve të jashtëm në fusha nga më të ndryshmet. Konferenca arriti të lidhë me efektshmëri dy temat qëndrore të saj me praktikat e auditimit në Evropë, Amerikë Latine, Afrikë dhe Lindje të Mesme, duke trajtuar çështje madhore si ngritja e kapaciteteve të audituesve, etika, inovacioni, sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm, transparenca dhe të dhënat e hapura. Formati inovativ i takimit përfshiu ndërhyrjen para fillimit të sesioneve të punës, të ekspertëve të jashtëm të ftuar, duke sjellë një qasje të re në shkëmbimin e eksperiencave dhe këndvështrimeve të audituesve, të ballafaquar me opinionet dhe eksperiencat e ekspertëve të jashtëm. Mesazhi kryesor që Konferenca e 8-të EUROSAI-OLACEFS ishte se auditimet e koordinuara mund të ndikojnë pozitivisht në qeverisjen e çdo vendi pjesëmarrës në këto auditime. Ato forcojnë rolin e secilit SAI në sigurimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës në qeverisjen publike, duke përmirësuar mekanizmat e mbikqyrjes dhe forcuar ndjekjen e rekomandimeve të SAI-ve. Konferenca theksoi se është e domosdoshme që raportet e auditimeve të koordinuara të ndahen me institucionet kryesore publike të një vendi pjesëmarrës në auditim, si dhe me publikun e këtij vendi, me një gjuhë të kuptueshme. Mendoj se takimet e realizuara nga ne si KLSH në këtë konferencë dhe përvoja e fituar na shërbejnë me qartësi për të realizuar një qasje sa më efektive në fuqizimin e rolit tonë për rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës së punës dhe rezultateve të administratës publike në Shqipëri
Sigal