Erion Kristo: Testimet kanë nevojë për testim..

626
Falë reagimit të trupës së mjekëve dhe infermierëve, falë reagimit të shoqërisë civile dhe opozitës, falë reagimit të pjesëtarëve të koalicionit qeverisës, falë gjykatës administrative dhe dekriminalizimit të parlamentit (një term gjenial në vetvete, që fsheh faktin e përgjegjësive konkrete të atyre që e kriminalizuan atë), procesi i testimeve masive është pezulluar. Por kjo nuk do të thotë aspak se ai nuk do të kthehet egërsisht në skenë, duke përfshirë edhe fusha të tjera, të papërmendura deri më tani. Ndaj, në këtë periudhë qetësie duhet të diskutohet edhe një herë me gjakftohtësi se cila është arsyeja dhe cili do të jetë efekti i testimeve. Pra, testimi, ose thënë ndryshe me gjuhën rilindëse, “fotografimi i gjendjes”, ka nevojë të testohet nëse është një praktikë e drejtë.
Testimi në vetvete është diçka pozitive. Shoqëria demokratike ka në thelbin e vet konkurrencën dhe testimi është një mjet për ta garantuar konkurrencën. Të gjithë njerëzit sot pakashumë testohen, sepse të gjithë janë subjekt i konkurrencës. Ky testim mund të jetë i jashtëm ose i brendshëm. Testimi i brendshëm ka të bëjë me personin që kërkon të mbijetojë në treg duke rinovuar dijet e tij profesionale. Testimi i jashtëm është kur një institucion i ngarkuar kontrollon dijen ose zotësitë për të ushtruar një funksion apo detyrë të caktuar. Testimi i parametrave të çdo veprimtarie është themelor. Pedagogët testojnë studentët, testohet sëmundshmëria e edukatorëve, testohen artistët, etj. Këta të fundit madje e kanë humbur betejën e tyre me qeverinë, sepse ishin kundër testimeve të vazhdueshme. Testimi i artistëve quhet audiencë dhe vetëm audienca të lejon të jesh pjesë e veprimtarive artistike; kjo ndodh të paktën në disa institucione qendrore të artit. 
Problemi lind kur testohesh kot, në përgjithësi, për të bërë thjesht një resme. Këtë e pohojnë vetë autorët e testimeve, kur thonë se testimi i përgjithshëm i gjithë trupës së mjekëve dhe mësuesve, nuk do sjellë largimin e tyre nga puna. Nga ana tjetër, thonë se shumë të paaftë janë futur në punë, po nuk thonë se si do largohen. Pra, ka thënie dhe kundërthënie. Ka mungesë të theksuar besimi te qëllimi i testimit. Ka mungesë të theksuar besimi te institucionet e ngarkuara për testimet. Ka mungesë të theksuar besimi te personat e ngarkuar për korrigjim. Testimet bëhen në shumë vende të botës. Ndryshimi i vetëm është se testimet nuk bëhen për qëllime okulte, as për qejf, po pikërisht për të informuar personat me arritjet më të fundit të shkencës, në mënyrë që të mos mungojë përditësimi, aq i domosdoshëm në shoqëritë e sotme të përparuara, ku asgjë nuk jepet një herë e mirë, sepse ritmi i zhvillimeve është tejet i lartë. Pra, nuk kemi asgjë kundër testimeve, por kemi me mbivendosjen e tyre dhe paqëllimshmërinë e tyre, e sidomos me penalizimet që jepen për mospjesëmarrje në to. Nuk mund të bëhen testime pa mbështetjen e plotë të trupës që do testohet. Le të marrim mësuesit. Ata çdo pesë vjet bëjnë një proces që quhet atestim. Ky proces është një lloj testimi, ku paraqiten dosje dhe bëhen teste. Këto sjellin vijueshmërinë e veprimtarisë mësimdhënëse. Pra, do të mjaftonte valorizimi i këtij veprimi të vetëm, të konsoliduar prej shumë dekadash, që ne të kishim rezultate më të larta. Gjithashtu, mësuesve u kërkohen të kenë gjashtë kredite çdo vit. Shpikja e idesë së kreditove fsheh qëllimin okult të përfitimit të personave që ofrojnë dhënien e krediteve. Shpesh këto kredite janë krejt kot, krejt të panevojshme, me çmime të larta, dhe shpesh fiktive. Kjo do të thotë që ideja e krediteve ishte një ide që krijoi një treg shitblerjeje, ku shpesh njerëzit thjesht paguajnë paratë për të marrë një copë letër, madje pa u paraqitur fare, që të vijojnë të jetojnë jetën e tyre mësimdhënëse. Kështu është katandisur ky sistem. Përveç këtyre, ekziston edhe ideja e licencimit. Pra, çdo mësues do të marrë licencën si mësues (kjo të kujton entuziazmin e borgjezit fisnik që u gëzua kur mori vesh se kishte gjithë jetën që fliste në prozë). Ky proces është tejet i paqartë. Ekziston gjithashtu testimi për një vend pune. Pra, një mësues testohet, renditet dhe mund të merret në punë në rast se hapet një vend pune. Mbi të gjitha këto testime, kërkohet edhe një testim tjetër, gjeneralist, për të kuptuar se çfarë dinë e çfarë nuk dinë mësuesit. Por mësuesit mund të mos testohen fare, sepse ata testohen qartazi kur testohen nxënësit e tyre, pra produkti i tyre. Kjo ide vlen edhe për kreditet që duhet të fitojnë mjekët, infermierët, stomatologët dhe gjithë kategoritë e tjera. Pra, jemi qartazi në Panairin e Kotësive. Testime, mbitestime, dhe ekstratestime. Dhe të gjitha këto bëhen kur ekzistojnë mekanizmat ligjorë që mundësojnë largimin nga puna të çdo personi të paaftë. Një drejtor dhe një drejtori i ka të gjitha mënyrat për të larguar një punonjës që shfaq paaftësi ose moskorrektësi në kryerjen e detyrës. Kur vjen puna për të shpikur mënyra se si mund të largohen kundërshtarët politikë nga drejtimi i shkollave apo spitaleve, nuk ka gjë më të thjeshtë. Çudi, përse ky mekanizëm, që e gjen paaftësinë vetëm te kundërshtari politik, nuk përdoret për të goditur të paaftët e vërtetë, pikërisht ata që vetë politika i fut në këto sisteme? Duke u nisur nga testimi i mjekëve dhe mësuesve, çfarë na pengon të bëjmë edhe një testim të gjyqtarëve? A nuk është gjithë shoqëria shqiptare shumë e pakënaqur me ta? A nuk e denoncojnë të gjitha sondazhet dhe studimet mosbesimin e madh popullor te sistemi i drejtësisë? Po pedagogët, përse duhet të kursehen nga testimi? Mos vallë se janë një shkallë më lart se sa mësuesit, për sa u përket pagesave? Nëse pranojmë njëzëri testimin e artistëve, përse nuk duhet të pranojmë testimin e gjithë pjesëtarëve të administratës shtetërore? Nuk janë aq shumë sa për të mos u testuar? Po taksistët, a duhen testuar? Po shoferët e autobusëve? Po tatimorët dhe doganierët? E kështu me radhë, arsyetimi mund të përfshijë të gjitha kategoritë shoqërore. Në poezinë e një poeti rumun flitej për një person që gjeti një lupë që shqyrtonte dhe kapte gabimet. Ai ja drejtoi lupën gjithçkaje që e rrethonte, madje dhe hënës me diellin, dhe ua gjeti njollat. Gabimi i vetëm ishte kur ja drejtoi lupën vetë lupës. Lupa doli me difekt. Duhen garanci të mëdha për të vijuar procesin e testimeve. Duhen incentiva dhe jo penalitete. Duhet mirëbesim dhe mirëkuptim i atyre që do testohen, dhe jo dhunë verbale dhe administrative. Duhet ofertë reale dhe jo të detyrohen njerëzit thjesht të paguajnë, që të pasurohen disa të tjerë. Duhet cilësi e lartë e testuesve, transparencë, dhe largpamësi. Duhet një vizion i qartë dhe zbatim i qartë i legjislacionit. E mbi të gjitha, nuk duhet të shkelet Kushtetuta, parimet kushtetuese, dhe dinjiteti i njeriut. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, që disa njerëz nuk kanë asgjë tjetër në këtë jetë, veç dinjitetit personal. Nuk kemi të drejtë t’u marrim erzin njerëzve. Ndaj, nevojitet një rikonceptim i ri i procesit të testimeve, një proces më dinjitoz, më gjithëpërfshirës, më afatgjatë dhe më konsensual
Sigal