Ergys Alushi:“Përlindja e Shqipërisë” dhe “Rrethimi” i Vlorës!

550
Sigal

Të kujton tamam rrethimet e dikurshme të Krujës.

Nga ato rrethimet me tabor me turq dhe jeniçer.
Por ky rrethimi i Vlorës është padyshim më modern.
Nuk ka ushtarë dhe topa. Janë njerëz me kostume e kullaro, me tituj e me poste. Por ka “ushtarë” që na kanë lënë pa rroga. Na kanë lënë pa fonde.
Ka “ushtarë” që na kanë ndaluar detin.
Na kanë lënë pa mjete lundruese.
Ka “ushtarë” që na kanë lënë pa parë “vatanet e mia”, Karaburun e Sazan.
Na kanë lënë pa u përfaqësuar atje lart në Tiranë.
Na kanë lënë pa prona.
Na kanë lënë në dorë të deputetëve me lista e që nuk kanë asnjë lidhje me Vlorën e në të tilla kushte si mund të kenë ndjeshmëri për Vlorën e vlonjatët!
Na kanë lënë në periferi të investimeve.
Na kanë lënë tu besojmë premtimeve të radhës për gjoja fillimin e ndërtimit të By-Pass, ndërkohë që nuk e kanë lidhur ende Vlorën me pjesën tjetër të autostradës. Na kanë lënë në terrorin që po ushtrojnë Task-Forcat e shumta që vijnë nga Tirana, të cilat vendosin gjoba pa fund e pa koordinim me institucionet tatimore të Vlorës, duke rënduar edhe më tepër krizën ekonomike të biznesit vlonjat. Ky është rrethimi i Vlorës. Dhe nuk është i rastësishëm edhe pse “ushtarët”mundohen përditë në media që të pohojnë të kundërtën. Nuk është e rastësishme, sepse çuditërisht rrethimet e Vlorës fillojnë gjithnjë pas përfundimeve të zgjedhjeve dhe fillimin e zgjedhjeve të radhës.
Përse e “rrethojnë” Vlorën?
Kush e ka “rrethuar”?
Kush janë grupet e interesit që e duan Vlorën të “rrethuar”?
Madje që edhe ndoshta paguajnë “ushtarët” e vegjël të Vlorës dhe ata të mëdhenjtë në Tiranë, për ta mbajtur Vlorën të “rrethuar”.
Për ta mbajtur dhe për ta tharë për fonde.
Për ta mbajtur pa energji elektrike edhe pse është propaganduar me të madhe se TEC-i do të ishte ndër të tjera edhe shpëtimi i Vlorës.
Apo ndoshta për ta mërzitur një qytet të gjithë, i cili po tregon goxha tolerancë edhe pse mungesat dhe padrejtësitë që i bëhen janë të mëdha.
Kujt i intereson “rrethimi” i Vlorës?
Për çfarë u duhet Vlora e “rrethuar”?
A ka lidhje me zgjedhjet e shkuara apo me zgjedhjet e ardhshme?
Apo ka lidhje me miliardat e eurove që do të investohen në vitet e ardhshme në Vlorë?
Apo ka lidhje me pronat e shumta përgjatë bregdetit, të cilat pasi janë zaptuar në terren, tani duhen hipotekuar edhe me letra, për të vazhduar më pas me dhënien e lejeve të ndërtimit, duke deformuar për këtë qëllim deri edhe votat në këshillin e qarkut të Vlorës.
Askujt të mos i duket i tepërt fakti që Vlora është e “rrethuar”.
Në kohët moderne, kështu kryhen “rrethimet” për interesa të mëdha ekonomike, financiare dhe për llogari të grupimeve të fuqishme.
Nuk do shumë mend dhe analiza të mëdha.
Mendoni ku jetoni dhe si jetoni për të kuptuar “rrethimin” e Vlorës, të një qyteti që ka të gjitha pasuritë e botës, si ujë, det, diell, male, për të kuptuar se mungesat e të gjitha këtyre pasurive në shërbim të vlonjatëve, nuk janë të rastësishme, por të qëllimshme.