Ergys ALUSHI/Vlora, e papërfaqësuar dhe e përdorur

585
Sigal

Përlindja Shqipërisë

Ky ka qenë titulli i një shkrimi të shkruar para disa vitesh dhe duke parë se historia po përsërit vetveten e solla sërish në vëmendjen tuaj.

Historia është që, Vlora dhe qytetarët e saj nuk përfaqësohen në pushtetin ekzekutiv, por së fundmi edhe në nivelin e lartë politik.
Në pushtetin ekzekutiv, atje lart në Tiranë.
Asnjë ministër, asnjë zëvendësministër, por vetëm një apo dy në nivel drejtorish të përgjithshme.
Nuk ka asnjë përfaqësues nga Vlora.
Një vlonjat që të punojë dhe bashkëpunojë për Vlorën, për zgjidhjen e banorëve të saj.
Përfaqësuesi i fundit nga Vlora në pushtetin ekzekutiv, atje lart në Tiranë, ka qenë ish-deputeti Bujar Leskaj, në postin e Ministrit të Kulturës dhe aq.
Po përse Vlora nuk ka asnjë përfaqësues në pushtetin ekzekutiv?
Përse nuk ka një ministër nga Vlora?
Përse kryeministri dhe nivele të tjera të drejtimit të shtetit dhe ekzekutivit nuk përzgjedhin njerëz nga Vlora që të përfaqësojnë interesat politike të një qyteti, që të gjithë e thonë dhe dhe e pranojnë se ka një peshë të konsiderueshme në jetën politike dhe ekonomike të vendit?
Ka edhe shumë pyetje të tjera që i bëjnë përditë vlonjatët e thjeshtë.
Pyetje që lindin nga shqetësimi qytetarë për mungesën e përfaqësimit të Vlorës.
Për mungesën e një “dere”, atje lart në Tiranë, për të trokitur për zgjidhjen e problemeve që mund të ketë një qytetarë i thjeshtë, një biznesmen, një drejtues institucioni dhe të tjera shtresa.
Por Vlora nuk përfaqësohet edhe në nivelet e larta të politikës.
Rasti më i fundit është ai i moszgjedhjes së kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, anëtar i kryesisë së PSSH.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, kryesia e përgjithshme e PSSH u shtua me dy emra të rinj, ai i kryetarit të Bashkisë Elbasan dhe ai i Bashkisë Korçë, ndërkohë që ai i Bashkisë Durrës ishte zgjedhur më parë.
Vetëm kryetari i Bashkisë Vlorë, ka mbetur jashtë kryesisë ndër bashkitë e mëdha.
Kryetari i PSSH, Edi Rama e ka justifikuar zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të kryesisë në mbështetje të zgjedhjeve të 23 qershorit, ku në këto dy bashki apo qarqe, Korçë dhe Elbasan, rezultatet duhet të jenë më të larta.
Ndërkohë moszgjidhjen e Shpëtim Gjikës, si anëtar të kryesisë, e ka justifikuar me rezultatet e mira që ka Vlora dhe garancinë që këto rezultate do të përsëriten.
Po përse Gjika të mos zgjidhej anëtar kryesie, qoftë edhe për tu vlerësuar për rezultatet e mira që arriti PS në drejtimin e tij si Sekretar Politik i Qarkut Vlorë, në zgjedhjet e vitit 2009?
Përse të mos zgjidhej anëtar kryesie, qoftë edhe për të përcjellë përvojën e tij e të PS së Vlorës, në arritjen e rezultatit historik të 2009, ku PS në Bashkinë Vlorë fitoi në 84 qendra votimi dhe humbi vetëm në një, atë të paraburgimit?
Përse të mos zgjidhej anëtar kryesie, qoftë edhe për tu dhënë një mesazh vlerësimi e përfaqësimi socialistëve të Vlorës, në rezultatet e arritura nën drejtimin e Shpëtim Gjikës, në zgjedhjet e vitit 2003, 2007, 2009 e 2011?
Me të drejtë shumë socialistë të Vlorës kanë mbetur të zhgënjyer nga kjo moszgjedhje, qoftë edhe të zhgënjyer në sedrën e tyre, për ta pasur një njeri nga Vlora, në kryesinë e madhe.
Sepse në fund të fundit, kush do t’i përfaqësojë, aq shumë sa i ka përfaqësuar kryetari i Bashkisë Vlorë!
Arben Isaraj është deleguar në Gjirokastër.
Arben Malaj është deleguar në Kukës.
Ndërkohë që në Vlorë është e deleguar si anëtare e kryesisë, znj.Valentina Leskaj, e cila nuk ka lidhje me Vlorën dhe e njeh fare pak Vlorën, për të mos thënë se nuk e njeh fare, por edhe tani që po e njeh, ka gjasa të ketë “këshilltarë” jo të mirë.
Duket se përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet t’i kërkojmë së pari këtu në Vlorë.
Në Vlorën, ku mungojnë liderët politikë për të ushtruar presionin e nevojshëm që edhe Vlora të përfaqësohet.
Në Vlorën, ku mungojnë deputetët kurajozë që të kërkojnë me të drejtë që qytetarët e Vlorës të përfaqësohen në pushtetin ekzekutiv si dhe në nivelet e larta të politikës.
Në Vlorën, ku në vend të bashkëpunimit politik për të mirën e qytetit, mbizotërojnë përplasjet personale politike, të veshura me inate e mllefe.
Në Vlorën, ku në vend të bashkëpunimit për krijimin e një lobingu, mbizotërojnë politikat e përçarjes sipas parimit “unë nuk dua asgjë, por hiqja lopën edhe atij tjetrit”
Në Vlorën, ku mungon kultura politike, klasa politike e mirëfilltë dhe anëtarë kryesie mund të bëhesh edhe pse mund të jesh shoferë fugoni, marangoz, hidraulik, “i fortë”, por vetëm e vetëm sepse ke shokë kryetarin e partisë.
Në Vlorën, e cila jo rastësisht mban rekordin e letrave anonime me destinacion Tiranë, letra të cilat, tashmë në formën e email-ve dhe sms-ve, kanë prekur dhe selinë qendrore të PS dhe ndoshta mandej vet kryetarin Rama.
Ashtu si nuk mungojnë letrat anonime edhe në PD e Tiranës, kundër drejtuesve politik lokal të kësaj force politike.
Ka edhe shumë mungesa të tjera këtu në Vlorë, të cilët qytetarët e Vlorës i njohin dhe i përjetojnë, por edhe qytetarë që nuk i dinë dhe duhet t’i mësojnë.
Ndoshta, ndaj edhe Vlora nuk përfaqësohet atje lart në shtetin, ekzekutivin dhe nivelet e larta politike të vendit.
Sepse ndoshta, vlonjatët zgjedhin apo ju servirin për të zgjedhur, njerëz që nuk e meritojnë, që nuk kanë kulturë politike e edukatë politike, që nuk kanë përgjegjësi qytetare për të marrë përsipër fatet e qytetit dhe të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.
Ndaj edhe atje lart Vlora nuk përfaqësohet. Duke mbetur më shumë sesa në periferi.
E harruara e madhe e shtetit, ekzekutivit dhe politikës.
E përdorur vetëm për pozitat e saj strategjike në shërbim të grupeve të fuqishme të interesit dhe jo sepse ka njerëz që dinë t’i menaxhojnë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve këto pozita të Vlorës. Ndaj edhe nuk përfaqësohemi.
Sepse liderët tanë politikë lokal, kanë mentalitet provincial dhe shkojnë në Tiranë vetëm e vetëm për emërime të rëndomta drejtorësh institucionesh këtu në Vlorë apo qoftë edhe për një pastrues korridoresh, duke e ulur shumë nivelin e kërkesave.
Sepse liderët politik lokalë shkojnë në Tiranë vetëm e vetëm për të shkruar e folur kundër shokëve të tyre brenda partisë, me qëllimin e vetëm për të përfituar për vete e për të përfituar nga konjukturat e përplasjet e radhës.
E gjitha kjo kërkon një analizë të fortë e të mirëfilltë, që duhet të nis nga Vlora, por që fatkeqësisht nuk ka gjasa të ndodh sepse individ e grupe të caktuar kanë për qëllim ta lënë Vlorën të papërfaqësuar në nivelet më të larta, me qëllimin për ta mbajtur peng për realizimin e interesave të tyre personale e të grupimeve që përfaqësojnë.
Kjo është Vlora, e papërfaqësuar dhe e përdorur.