Ergys Alushi/Vlora…e harruara e madhe!

573
Sigal

Po ndodh një fenomen absurd këto kohët e fundit me Vlorën.

Funksionarë të ndryshëm nga ekzekutivi dhe shteti vijnë nga Tirana dhe në Fier ndalojnë për të zhvilluar takimet e punës për problematikat e Vlorës!
Ngrihen nga Vlora përfaqësues institucionesh te shtetit dhe takohen ne Fier me shefat e tyre për të folur e diskutuar pikërisht për Vlorën! Nuk ka ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë.
Por ja që ka nisur të ndodh. Kur pyet këtu në Vlorë se perse shkoni deri në Fier për të folur e biseduar për problemet e Vlorës, njerëzit të thonë nën zë se shkaku është rruga e keqe!
Po, po, rruga e keqe. Rruga nga Fieri në Vlorë, ose më saktë rruga Levan-Vlorë. Dhe të mendosh që është vetëm pak kilometra.
Dhe të mendosh akoma edhe më tej se, është një rrugë në mes të fushës. Por ja që është kthyer në rrugën që po ndan Vlorën nga pjesa tjetër e vendit.
Është rruga që i ndalon funksionarët e shtetit e të ekzekutivit, që të vinë deri në Vlorë. Është rruga që po mban Vlorën të izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Por nuk është kjo e vetmja rrugë.
Është edhe rruga e Lumit të Vlorës, e harruar prej 20 vitesh, si nga socialistët ashtu edhe nga demokratët, e cila nuk mund të marr zgjidhje me iniciativa private deputetesh të veçantë, sidomos tani në prag të caktimit të kandidatëve për deputet.
Është edhe rruga e Llogarasë, e cila pas largimit nga Vlora të ndërrmarjes rurale, (kështu si e kanë zënë me largimin e ndërrmarjeve nga Vlora, ka gjasa që në Vlorë të mbetet vetëm spitali psikiatrik), rrezikon të prishet, për shkak të rrëshqitjes së tokës, që ka filluar në disa akse të kësaj rruge.
Me pak fjalë, të gjitha rrugët në hyrje e në dalje të Vlorës, rezultojnë të dëmtuara e në disa segmente, fare të pakalueshme. Por nuk mjafton vetëm izolimi nga toka. Izolimi ndodh edhe nga deti.
Në det lëvizin gjithnjë e më pak mjete lundruese për peshkim, ndërkohë që në kalatat e vjetra të portit të Vlorës, ankorohen gjithnjë e më pak anije mallrash por edhe pasagjerësh.
Pak ditë më parë, në detin e Vlorës u kap një tjetër peshkaqen i radhës dhe në Vlorë, me të drejtë shprehen se edhe peshkaqenët kishim mangut nga deti! Kaq e vështirë qenka për ta përfunduar autostradën e Vlorës!
Janë ndërtuar me dhjetëra kilometra rrugë në malet e veriut dhe nuk u gjetka koha e leku për të përfunduar vetëm pak kilometra rrugë fushe!
Pak ditë më parë ministri i transportit Olldashi erdhi në Vlorë dhe në mjediset e konviktit të studentëve(sikur nuk ka zyra shteti në Vlorë) deklaroi fillimin e Bypass të Vlorës, por nuk tha asgjë për përfundimin e rrugës që do ta lidh Vlorën me pjesën tjetër të Shqipërisë. Ndoshta nuk e tha edhe sepse nuk ia kërkoi njëri që ta thoshte. Nuk a tha as prefekti që ndodhej aty dhe as përfaqësues të bashkisë Vlorë. Nuk ia thanë as deputetët e Vlorës.
Nuk ia thanë sepse në Vlorë, ashtu si rëndom në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, e kanë mendjen tek zgjedhjet, tek 23 qershori. E kanë mendjen tek listat për deputet. Nuk flasin, nuk kërkojnë për rrugën e për më tepër për Vlorën. Heshtin sepse kanë frikë se mos zemërojnë shefat në Tiranë. Hesht dhe prefekti, heshtin edhe pozita e opozita në Vlorë
Heshtin edhe deputetet aktual të Vlorës, me merakun nëse do të jenë në listën e radhës.
E kanë mendjen të gjitha palët tek lista. E kanë harruar Vlorën e problemet e saj.
Opozitë në Vlorë është duke vuajtur problemet e saj të brendshme, të krijuara nga funksionimi i partisë, sipas variantit, një kryetar i votuar nga anëtarësia, ai i qytetit, dhe një kryetar tjetër, ai i rrethit, i komanduar nga kryetari Rama. Asnjë deklaratë, asnjë konferencë për shtyp. Një histori që vazhdon prej muajsh në partinë socialiste të Vlorës.
Duket sikur PS ka vendosur “heshtje shtypi”. Një heshtje shtypi si në PS e bashkisë Vlorë ashtu edhe në PS e rrethit. Edhe pse brenda një selie kryejnë funksionet dy kryetar, përsëri askush nuk flet, nuk komunikon. Gjithçka ndodh në një kohë kur Vlora, si qyteti ashtu edhe fshatrat e saj, po kalojnë një krizë të madhe ekonomike.
Kriza ka përfshirë edhe institucionet e shtetit, të cilat mendojnë më tepër për të punësuar votues partish për fushatën e afërt sesa për shërbimin ndaj qytetarëve.
Papunësia, rënia e fuqisë blerëse, kriza e sektorit të ndërtimit, zbrazja e detit nga anijet e peshkimit, situata e rënduar në fshat e të tjera si këto janë problematikat të cilat po e zhysin gjithnjë e më shumë Vlorën në krizë.
Por edhe pse Vlora është duke e përjetuar një situatë të tillë, opozita në Vlorë, vazhdon të hesht.
PS e Vlorës ka shkëputur gati krejtësisht marrëdhëniet me mediat, komunikimin me publikun.
Një heshtje e frikshme ka përfshirë mjediset e selisë së Partisë Socialiste.
Ndërsa kanë përfunduar procesin e censusit të votuesve, në PS janë sy e veshë nga kryetari i partisë Edi Rama në lidhje me kandidatët për deputetë të kësaj force politike në zgjedhjet e 23 qershorit.
Askush në PS e Vlorës nuk e di se si do të veprohet me përzgjedhjen e kandidatëve, nëse do të përzgjidhen këta kandidatë nga strukturat lokale të PS apo do të jenë eskluzivitet i kryetarit Rama.
Vetëm pak ditë më parë, në një takim me të deleguarën e kryesisë së përgjithshme për Vlorën, deputeten Valentina Leskaj, anëtarë të strukturave drejtuese të PS, kërkuan të dinë nëse do të pyetet baza e partisë për kandidaturat për deputetë, ndërkohë që përgjigja mësohet të mos ketë qenë aq bindëse nga ana e deputetes Leskaj.
Anëtarësia e kësaj partie në Vlorë është duke rritur presionin pranë drejtuesve të partisë në lidhje me faktin që në listën e kandidatëve për deputet të Vlorës, duhet të ketë sa më shumë kandidatë që të jenë nga Vlora, të jenë anëtarë të strukturave lokale të partisë, të kenë kontribute në PS e Vlorës si dhe të gëzojnë mbështetjen e anëtarësisë.
Ata i kërkojnë kryetarit të partisë Edi Rama që të mos bëj gabimin e listës së vitit 2009, duke i kujtuar rastin e deputetit Shpëtim Idrizi, i cili u bë deputet me votat e socialistëve dhe më pas u largua si deputet i kësaj partie.
Asnjëherë nuk është bërë një analizë për largimin e Idrizit, ndërkohë që një analizë e tillë ka munguar edhe për humbjen e këshillit të qarkut, ku ka pasur dyshime të forta për trafik votash të përfaqësuesve socialist, ashtu si ka munguar edhe një analizë për humbjen e disa komunave në zgjedhjet lokale të vitit 2011, për përzgjedhjen e gabuar të kandidatëve socialistë që garuan për këto komuna. Të gjitha këto ngjarje janë lënë në heshtje në PS e Vlorës, ndaj dhe socialistët në Vlorë mendojnë se ato mund të përsëriten në të ardhmen.
Një realitet që askush nuk e thotë, por edhe kur thuhet, thuhet me zë të ulët, në rrethe të ngushta, sepse të gjithë kanë frikë të flasin, ta thonë, sepse kanë frikën se mos i merr zët, kryetari Rama dhe nëse nuk i vendos në listë për deputet, nuk do t’i emërojë drejtorë institucionesh, nesër.
Ndaj dhe një realiteti të tillë i është vënë kapaku dhe e deleguara e kryesisë në PS e Vlorës, kënaqet me faktin që mbledhjet e partisë në Vlorë, kur ajo është prezente, nuk kanë sherre!
E vetmja gjë e mirë që është bërë në PS Bashkia Vlorë është censusi i votuesve, ku socialistët kanë konstatuar se i kanë votat që ju duhen për të arritur një rezultat edhe më të mirë se në vitin 2009.
E ndodhur në të tilla kushte, opozita në Vlorë nuk është duke e kryer misionin e vet, atë të denoncimit të njëmijë e një problemeve që i ka shkaktuar Vlorës dhe vlonjatëve, harresa e qeverisë për Vlorën.
Situata prezantohet kaotike edhe në PD e Vlorës, e cila ndërsa ka deklaruar fillimin e fushatës në Vlorë, është e përfshirë nga debatet për kandidatët për deputët, se kush duhet të jetë e kush nuk duhet të jetë.
Debatet brenda kësaj partie shtohen dhe më tepër kur konstaton se në Vlorë, demokratët e shohin të vështirë fitimin e deputetit të katërt, aq sa fituan në zgjedhjet e vitit 2009, sidomos në kushtet kur socialistët, të cilët e humbën një deputet në vitin 2009 për shkak të mosdijes për të zbërthyer në mandate votat e fituara, në zgjedhjet e 23 qershorit, nuk do ta përsërisin më këtë gabim.
Kështu, ndërsa pozita dhe opozita në Vlorë, janë përqëndruar tek listat e deputetëve, konstatohet me dhimbje se e kanë lënë Vlorën pas liste dhe vlonjatët gjithnjë e më shumë të zhgënjyer nga politika.