Ergys Alushi/Viti, vota, Vlora dhe vlonjatët

672
Sigal

Jemi në vitin 2013, viti i zgjedhjeve. Dhe kur mendon zgjedhjet, mendja të shkon tek Vota. Kutia e votimit. Shenja e gishtit. Listat e votimit dhe plot histori me zgjedhje, që ndoshta ndodhin vetëm në Shqipëri. Me pak fjalë, ky është Viti i Votës. Vota për të zgjedhur deputetin dhe partinë, që do na qeverisë. Historitë me zgjedhje e votime të deritanishme kanë treguar se, Vota jonë ka shkuar dëm. Na kanë ftuar të votojmë për “zgjidhje e jo për zgjedhje”, por shumë shpejt kemi kuptuar se nuk jemi zgjidhur për shumë probleme, që shoqërojnë jetën tonë. Pas këtij zhgënjimi, kemi pritur zgjedhjet e ardhshme, për të mos gabuar më me Votën, por përsëri na kanë marrë votën për zgjidhje dhe shumë shpejt kemi kuptuar se, përsëri nuk na kanë zgjidhur asgjë. Dhe kështu Vota jonë ka shkuar dëm për gjithë këto vite e zgjedhje dhe jemi përsëri në prag zgjedhjesh. Përgatituni të na ftojnë përsëri për të dhënë votën. Përgatituni për t’u gënjyer përsëri. Dhe të mendosh që Votën e kemi vetëm një herë në katër vjet në dorë dhe e shpërdorojmë në mënyrën më të papërgjegjshme. Për të zgjedhur ata që vijnë me lista nga lart dhe emërohen deputet vetëm e vetëm sepse kanë shprehur besnikërinë ndaj kryetarit të madh të partisë. Për të zgjedhur ata që në pjesën më të madhe të tyre nuk janë nga Vlora, nuk kanë asnjë lidhje me Vlorën dhe nuk kanë asnjë mbështetje në komunitet. Dhe përse! Thjesht, për t’i bërë dëmin vetëm vetes sonë edhe pse Votën e kemi në dorë për të bërë të kundërtën! Por nuk mjafton indiferenca për të dhënë Votën! Ndërsa votat pakësohen, konstatohet që ata që kanë qeverisur me Votat tona në gjithë këto vite tranzicioni, po pasurohen dhe kanë krijuar monopole kudo. Dhe të mendosh që i ka pasuruar po ajo Vota, të cilën ne e kemi shpërdoruar, si diçka të parëndësishme dhe, me pak fjalë, e kemi hedhur jo si për në kuti votimi, por si në një “kosh plehrash”. Por nga “koshi i plehrave” ku kanë mbledhur Vota gjatë gjithë këtyre viteve, Vlora ka humbur shumë më tepër se të gjitha qytetet. Pas 20 vjetësh qyteti vazhdon të ngjasojë me një qytet të rrënuar, ku zbukurimi i vetëm janë pallatet shumëkatëshe dhe bukuria që i ka falur natyra, por edhe kjo e dëmtuar nga dora e njeriut. Papunësi, Varfëri, Administratë e paaftë dhe  Korrupsion. Këto dhe fenomene të tjera janë si pasojë e Votës, të cilën vlonjatët e kanë hedhur për në kosh, por nga ana tjetër ia kanë keqpërdorur “Ata” që janë pasuruar me Votën. Për këto dhe të tjera, Viti , Vota, Vlora dhe vlonjatët do të takohen së bashku shumë shpejt në zgjedhje për të ballafaquar nga e para interesat, problemet, rëndësitë, zgjidhjet dhe shumë dukuri të tjera për të cilat vendosin vetëm ata që kanë në dorë Votën. Ndoshta, ka ardhur koha për të kuptuar se gjithçka nis me Votën dhe nga Vota. Ndaj dhe këtë vit, ndryshe nga vite më parë dhe zgjedhje më parë, Viti, Vota, Vlora dhe vlonjatët, më shumë se kurrë, duhet të kuptojnë se jeta nuk duhet ta hedhim në kosh, por në kuti.