Ergys Alushi/ Të jetë vërtet zgjidhja e “Stop Rrënimit”!

520
Sigal

E ndjek rregullisht faqen e denoncimeve të titulluar “Stop Rrënimit”. Ndër të tjera, ajo që më bën shumë përshtypje është pyetja se po ky “populli” denoncues nga e di që ndërtimet janë me leje apo pa leje? Kaq të mirinformuar të jenë, apo kanë shkuar e kanë pyetur në bashki! Pse bëjnë gjoja habi me ndërtimet pa leje, sikur nuk kanë parë kurrë me sy ndërtime të tilla! Sa mijëra e mijëra ndërtime pa leje janë bërë me leje, me anë të ligjit famëkeq të legalizimeve! Ndërtime, të cilat kryheshin me “lejen”direkte të politikës gjatë fushatave elektorale, në gjithë këto vite. Apo tani nuk na duhen më vota për të fituar, duke e blerë votën qoftë edhe nëpërmjet lejimit të ndërtimeve pa leje! Pse nuk i denoncuan me celular e me foto ndër vite ndërtimet pa leje, me qëllim që ato të mos legalizoheshin! Apo nuk ua mbante b….. Pse nuk i denoncuan qoftë edhe para 23 Qershorit! Apo ndoshta i bën ndërtimet e tyre pa leje, me leje me anë të legalizimeve dhe tani “o burra t’u biem të tjerëve”! Apo tani ju erdhi rasti disave që të tregojnë se janë race spiuni dhe mezi prisnin që të dilnin në origjinën e të parëve të tyre! Jam kundër të gjitha ndërtimeve pa leje që janë bërë në këto 22 vite në Shqipëri, por tek këto denoncimet e “Stop Rrënimit”, duket sheshit se ka tendencë e keqdashje dhe jo përgjegjësi të vërtetë qytetare për të denoncuar fenomene që na shqetësojnë të gjithëve. Kjo duket dhe nga komentet, të cilat shoqërojnë në shumë rastet fotot me denoncime. Lëre pastaj kur lexon për revanshin kundër ndërtimeve me leje. I duan në shesh edhe ato. Pa pyetur për ligje në fuqi dhe procedurat që ndiqen në rastet kur duhet të prishen ndërtimet me leje. Tendencat duken hapur dhe në rastin e ndërtimeve me leje. Sigurisht që, janë bërë gabime dhe në dhënien e disa lejeve, por janë gabime që edhe korrigjohen se në këtë Shqipërinë tonë janë bërë gabime e deri vrasje me dashje dhe asgjë nuk ka ndodhur. Por jo duke shpifur, ofenduar e treguar ligësi në shkrimet që shoqërojnë fotot. Është sa ironike dhe qesharake kur shikon “popullin”denoncues kaq “të ndjeshëm” ndaj ndërtimeve me leje e pa leje, thua sikur nuk jetojnë në këtë Shqipërinë tonë me halle, apo thua të mos jenë edhe ata të paligjshëm në ndonjë fushë tjetër të jetës së përditshme. “Stop Rrënimit” me anë të celularit dhe fotove, me pamje e me zë, të kujton atë videon e famshme që të gjithë shqiptarët e panë me figurë dhe e dëgjuan me zë, e në fund rezultoi e gjitha një flluskë sapuni. Problematika e ndërtimeve në Shqipëri është aq e madhe sa nuk zgjidhet, sepse dikush bëri një foto, apo një filmim dhe e dërgoi diku, duke nxjerrë qoftë edhe inatin e vet personal, apo politik, por me ligje e rregulla të reja, që do ta vendosnin kaosin e ndërtimeve përfundimisht në rrugën e zgjidhjes, nëpërmjet institucioneve dhe jo nëpërmjet “popullit”denoncues dhe “fotografëve”amatorë.