Ergys ALUSHI/ Shteti duhet ta largojë tritolin nga Vlora!

150

E rëndë është “kultura e tritolit” e mbjellë së fundmi në Vlorë, sepse të rënda janë ngjarjet me pasoja të shkaktuara nga tritoli. Akoma edhe më të rënda janë moszbardhjet e këtyre ngjarjeve. E rëndë është moszbardhja ende e ngjarjes së ish -gjyqtarit. E rëndë është moszbardhja ende e ngjarjes së prefektit. E rëndë është mos zbardhja ende e tritolit e vendosur në pallatin ku banon ish- deputeti i PD, Kollozi, kryetari ende në detyrë i PD lokale. E rëndë është moszbardhja ende e djegies së makinës së kryetarit të bashkisë, e ndodhur në 24 Janar 2012. Këto e të tjera në nivele më të ulëta, janë të rënda. Në Vlorë, hakmarrja nuk njeh kufij edhe përballe zyrtarëve të shtetit, aq sa duket gati e kthyer në diçka normale. Pale pastaj të mendosh për qytetarin e thjeshtë, pa status, pa imunitet.

Janë të rënda, sepse janë kaq shumë dhe asnjëra prej tyre, nuk është zbuluar, asnjë prej atyre, nuk ka shkuar përpara drejtësisë. Por janë të rënda edhe për efektin negativ që kanë në opinion për terrorin që krijojnë. Për ndjenjën e frikës. Janë të rënda edhe për imazhin që krijojnë tek qytetarët, teksa shohin prefektin, njeriun e qeverisë që ruhet me truproja, teksa shohin edhe familjen e ish gjyqtarit që ruhet me truproja. E rëndë “kultura e tritolit” në Vlorë. E rëndë edhe moszbardhja e ngjarjeve. Akoma edhe më e rëndë ndjenja e pasigurisë që krijohet përditë tek qytetarët e thjeshtë, teksa shohin gjithë këto ngjarje të rënda që ndodhin me shtetarët e të zgjedhurit e tyre, për t’i drejtuar, për t’i qeverisur, për t’u krijuar një jetë më të mirë e më të qetë, ndërkohë që këta vet nuk janë të qetë e të sigurt. Një zgjidhje duhet të ketë dhe zgjidhja nuk është nisja “urgjent” e deputetëve të PD drejt Vlorës.
Zgjidhja nuk është politizimi i ngjarjeve, sepse ishte PD në pushtet kur i’u vendos eksplozivi ish- gjyqtarit dhe këta deputetë të PD, nuk bënë asgjë për ta gjetur. Apo dhe në rastin e vendosjes së eksplozivit në pallatin ku banonte kryetari i PD Vlorë. Po tani që nuk janë në pushtet, çfarë do të bëjnë, çfarë do të thonë, kur vet nuk ishin në gjendje, që kur ishin në pushtet të bënin ndonjë gjë!. Shteti duhet të reagojë. Duhet ta largojë tritolin nga Vlora. Të rikthejë qetësinë në qytetin e damkosur tashmë në të gjithë Shqipërinë si “qyteti i tritolit”. Nuk e meritojmë që bashkë me krenarinë si “qyteti i flamurit e i pavarësisë”, të turpërohemi edhe si “qyteti i tritolit”. Jemi të gjithë të rrezikuar. Çfarë duhet të bëjmë, të presim radhën!!!