Ergys ALUSHI/Sektori u peshkimit në Vlorë është duke falimentuar

582
Sigal

Vlora rrezikon të mbetet pa peshk në sezonin turistik dhe kjo do të jetë një goditje e rëndë për sezonin turistik që po afron.

Alarmin e kanë dhënë peshkatarët e Vlorës, të kontaktuar fill pas përfundimit të moratoriumit që për 7 vite ndaloi lundrimin e mjeteve në ujërat detare të Shqipërisë.
Peshkatarët kanë deklaruar se heqja e moratoriumit të mjeteve lundruese është përcjellë me indiferentizmin më të madh tek të gjithë ata njerëz në Vlorë që merren me peshkim.
Pas 7 vitesh, sektori u peshkimit në Vlorë është gati në kufijtë e falimentimit, ndërkohë që askush nuk është në gjendje të thotë se cila do të jetë e ardhmja e këtij sektori.
Në portin e Zvërnecit, kanë mbetur shumë pak anije peshkimi, në gjendje pune, gati numërohen me gishta. Edhe nga këto anije, vetëm 3 apo 4 prej tyre dalin në det për peshkim. Anijet e tjera, prej shumë muajsh nuk dalin në det. Shkaku?
Rritja e çmimit të naftës, pagesa e lartë që duhet të paguajnë në agjencitë për të shkuar e për të ardhur nga Italia apo Greqia, taksat e larta, pagesa për sigurimet shoqërore, gjobat e ndryshme dhe pagesat e larta në Pashaliman, kanë qenë disa nga shqetësimet që peshkatarët e Vlorës i deklarojnë vetëm disa ditë pas skadimit të moratoriumit.
Sipas peshkatarëve, të gjitha këto vështirësi, kanë nisur të krijojnë dhe të thellojnë në ditët në vazhdim, krizën në sektorin e peshkimit, një krizë e cila provokon një sërë problematikash zinxhir të tjera, në sektorin e turizmit të qytetit, sepse në fund të fundit, Vlora turistike dhe e beharit, nuk mund të kuptohet pa kuzhinën e peshkut.
Një furnizim me naftë për një anije peshkimi kushton deri në 10 deri në 12 mijë euro.
Pagesa për një agjenci për vajtje ardhje Itali e Greqi, në një vit kushton deri në 7 mijë euro.
Shpenzimet për mbajtjen në gjendje të punës, kryhen të gjitha në euro, me mallra importi.
Sipas peshkatarëve, I gjithë ky lek, këto të ardhura, dalin jashtë Vlore dhe nuk janë kapitale që normalisht në kushte të tjera, duhet të mbeten në Vlorë.
peshkatarët kanë kërkuar që qeveria të kthejë sa më shpejt vëmendjen ndaj peshkimit edhe për faktin se 1/3 e kufirit shqiptarë, laget nga deti. ata kanë kërkuar ndryshimin e çmimit të naftës, ndryshim I cili do të shtonte prezencën e anijeve të peshkimit në detin e Vlorës.
Sektori i peshkimit të Vlorë, është lënë në harresë të plotë dhe se për këtë sektor, janë kujtuar vetëm në raste fushatash, duke ju sjellë ndonjë furnizim me naftë.
Përballë një situate të tillë, kur Vlora rrezikon kaq shumë, gjatë sezonit veror, të mbetet pa peshk, duke humbur kështu një nga resurset e njohura të tij, peshkatarët kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të shtetit në Vlorë, të cilat duhet ta lënë mënjanë fushatën dhe të veprojnë për zgjidhjen e një krize të tillë, e cila është në prag të shpërthimit të saj.
Peshkatarët kanë deklaruar se porti në Zvërnec është kthyer gati në një varrezë të gjallë, për dhjetëra anije peshkimi, të cilat janë braktisur dhe janë mashtruar nga qeverisja aktuale, përsa i përket çmimit të naftës dhe lehtësirave të tjera të premtuara, të cilat kanë mbetur vetëm në letër.
Një Vlorë turistike nuk mund të kuptohet pa një peshkim të zhvilluar. Mund të duket disi e çuditshme, por sot për Shqipërinë integrimet e vërteta Evropiane nisin nga një zhvillim i fuqishëm ekonomik e kulturor i jugut shqiptar. Shqipëria zyrtare ka sot 470 km bregdet.
Por tregoni një fshat të mirëfilltë modern peshkatarësh.
Vetëm një…
S’ka asnjë!
Tani ngjituni me imagjinatën tuaj larg brigjeve kroate të Adriatikut, hidhuni në 470 km bregdet në brigjet italike, greke e turke, sa qindra e mijëra fshatra peshkatarësh, qindra mijëra familje që jetojnë me detin?
Ndërsa djemtë tanë shkojnë e kërkojnë punë mërgimeve plot lot…por për çfarë turizmi flitet, pa bregdetin e zhvilluar në ekonominë shumëdegëshe të tij?