Ergys ALUSHI/ Qytet në “koma”

547
Sigal

Në fund të fundit, ç’u duhet që të flasin? T’i prishin punë vetes? T’u shpëtojë ndonjë fjalë për ATË?

Nuk flet askush. Në heshtje kanë rënë të gjithë. Nuk lëviz asgjë. Në fund të fundit, ç’u duhet që të flasin? T’i prishin punë vetes? T’u shpëtojë ndonjë fjalë për ATË? Të mos e përfitojnë punën që do u jap AI? Të humbasin vendin e punës? T’i trokasin tek biznesi me ndonjë gjobë të majme? Ndaj nuk flet askush, nuk lëviz asgjë. Në heshtje kanë rënë të gjithë. Flitet vetëm tavolinave, e-mail-eve apo sms-ve. Mungon debati. Mendimi ndryshe, qoftë edhe gabim. Mungojnë idetë. Nuk ka alternativa të tjera nga ato që thonë shefat, sikur këta shefat tanë, të marrin vesh nga të gjitha gjërat e kësaj bote. Për historinë flasin politikanët, ndërkohë që, këta të fundit nuk dihet se, ku dhe si e shkruajnë historinë, sepse nuk i kontrollon kush apo e shkruajnë historinë sipas porosive të politikës. Pedagogët e Universitetit janë harruar pas provimeve, mungesave, notave, kalueshmërisë, duke harruar se kanë detyrim qytetar dhe intelektual që të shkruajnë, të flasin dhe të debatojnë për problematika të ndryshme që ka qyteti. Nëpunësit e institucioneve të shtetit duket se janë në sezonin “e të bërit pallë”, sepse as punojnë, as kanë përgjegjësi dhe pale pastaj të mendosh që të jenë pjesë e debateve publike. E vetmja “punë” e tyre është të ndryshojnë teserën e partisë, me qëllim mbajtjen e vendit të punës, ndryshim i cili ka nisur që gjatë fushatës, ditën e votimit dhe po vazhdon gjatë gjithë këtyre ditëve. Por në heshtje kanë rënë edhe njerëzit e letrave, ata që quhen poet, shkrimtarë e deri artistë në zhanre të ndryshme, aq sa të krijohet përshtypja se në Vlorë, edhe poetët, shkrimtarët apo bejtexhinjtë i emëron partia, pushteti, shteti, që të jenë të tillë. Në heshtje kanë rënë edhe qindra e qindra arsimtarë, të rinj gjimnazistë, studentë universiteti e deri njerëz të thjeshtë, të cilët po të shkruajnë e të flasin, nuk ka dyshim që shkruajnë e flasin më mirë sesa shefat që mbushin kronikat televizive për çdo natë. Dhe jo më kot i lashë për në fund. Në heshtje kanë rënë edhe mediat e qytetit, të cilat edicionet informative i kanë kthyer në qendra emulacioni apo qendra zëri për njoftime institucionesh apo intervista drejtuesish. Nuk flet askush. Në heshtje kanë rënë të gjithë. Nuk lëviz asgjë. I gjithë qyteti hesht. Hesht në një kohë kur ka aq shumë probleme që jo vetëm nuk duhet heshtur, por madje duhet bërtitur me të madhe. Në fund të fundit, ç’u duhet që të flasin? T’i prishin punë vetes? T’u shpëtojë ndonjë fjalë për ATË? Të mos e përfitojnë punën që do u jap AI? Të humbasin vendin e punës? T’i trokasin tek biznesi me ndonjë gjobë të majme? Ky është qytet në “koma”. Është i të gjithëve dhe i askujt. Ndaj dhe duhet nxituar për ta shpëtuar. Për t’i kthyer besimin, shpresën, ritmin e jetës. Kohë për të humbur nuk ka. Nesër do të jetë vonë. Në këtë qytet nuk ia ndien më askujt për asgjë që ndodh. Nuk reagon askush. Qytet në koma. Pa zë, pa sy, pa nerv, pa gjak. Të gjithë mundohen të zhvatin nga e të gjithëve. Askush nuk e di fundin. Pritshmëria është e lartë. Por edhe ajo duket se po zbehet. Qyteti po e pakëson përditë e më shume frymëmarrjen e vet. Të gjithë presin pa ditur se çfarë dhe kur. Ndihmojeni këtë qytet. Ndihmojeni të dalë nga koma, ku ka rënë. Sepse edhe ky qytet e ka ndihmuar shtetin kur ka pasur nevojë e do ta bëj këtë përsëri, kur shteti, i lindur në dheun e tij, të ketë përsëri nevojë. Ka ende shpresë dhe kohë. Kujt i intereson “vdekja” e këtij qyteti!