Ergys ALUSHI/Në pritje të listave. Kush janë kandidaturat?

586
Sigal

Kjo është pyetja që kanë nisur të bëjnë të gjithë në qytet. Dhe nuk kanë faj. Kanë të drejtë.

Në fund të fundit, bëhet fjalë për ata njerëz që do të zgjidhen deputet dhe do të pretendojnë të na zgjidhin problemet e jetës dhe të mbarë shoqërisë. Bëhet fjalë për të zgjedhur ndoshta për herë të parë ata deputet që do të mendojnë pas rreth 23 viteve edhe për popullin. Kush janë deputetët e ardhshëm? Kjo është pyetja, e cila ndoshta këtë herë ka më tepër kuptim dhe nevojë për përgjigje sesa çdo zgjedhje tjetër më parë. Ka një kuptim ndryshe sepse, nëse votuesi do të jetë dakord për një emër në listë që ta votojë, do të detyrohet të votojë edhe për emrin tjetër të cilin nuk e do.
Ndaj edhe njerëzit kanë nisur të pyesin ndoshta më herët se çdo herë tjetër, për atë se kush do të jenë kandidaturat. Ndoshta kështu sepse, listat do të jenë një fakt i kryer dhe ata që do të fitojnë do të përzgjidhen që në Tiranë, mjafton të jenë në vendet që mendohen fituese.
Do të ndodh kështu ndaj edhe ata qytetarë apo grupime që do të duan të fitojnë ai kandidat që është i pesti, i gjashti apo dhe më radhë në renditje, nuk do të shkojnë fare në votime ose dhe mund të votojnë në krahun tjetër.
Kush do të jenë kandidatët e ardhshëm për deputet? Do të jenë emra nga Vlora? Do të jenë emra të sjellë nga jashtë Vlorës? Si do të angazhohet edhe ai kandidati i dymbëdhjetë në listë, që të fitojnë ata të parët? A do të dalin të gjithë kandidatët në fushatë për të kërkuar vota, që nga ai i pari në listë e deri tek ai i fundit? Të gjitha këto pyetje, duan përgjigje sa më të shpejta nga ata që do ti hartojnë listat dhe që padyshim janë në dilemë dhe në merak për fatin e listave.
Qytetarët presin përgjigje. Kandidatët nga Vlora, “prapa listës”! Nga të gjitha informacionet jo zyrtare të deritanishme, sepse informacioni zyrtarë gjendet vetëm dhe ende në kokat e kryetarëve të partive të mëdha, rezulton që emrat e para në listat e dy partive të mëdha, PD e PS, ka gjasa të jenë kandidatura jo me banim në Vlorë. Informacionet shkojnë edhe më tej kur bëjnë të ditur se kandidaturat nga jashtë Vlorës, janë zyrtarë të lartë të dy partive të mëdha, por edhe prurje të reja si ato që ka nisur e prezanton Rama ditët e fundit. Kështu edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtarë, mësohet se i pari në listën e kandidatëve për deputet të PD, mund të jetë, nënkryetari i PD, Astrit Patozi, për tu pasuar me emra të tillë si Arben Qirjako, Ardian Kollozi, Barie Isufi etj.
Ndërkohë në listën e kandidatëve për deputet të PS, të parët në listë, ka gjasa të jenë emra si Valentina Leskaj, Luiza Xhuvani, Theodhori Sollaku e deri prurja më e re që përflitet për Vlorën, gazetari Marin Mema.
E njëjta skemë duket se do të funksionojë edhe për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Vendosja e këtyre emrave në krye të listave, duke ua bërë deri në njëfarë mase të sigurtë fitoren, ka nisur të shkaktojë edhe reagimet e para të anëtarëve dhe simpatizantëve të PD dhe PS.
Duket se baza këtu në Vlorë, e dy partive të mëdha, nuk është dakord që qendrat e këtyre partive të vendosin kandidatura, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Vlorën, nuk kanë asnjë kontribut dhe janë të panjohur dhe të pabesueshëm me lidhjet që mund të mbajnë nesër me votuesit, në rast se do të fitojnë.
Vendosja e emrave nga jashtë Vlorës, në kreun e listave për deputet, duket se nuk do të kalojë pa probleme dhe kundërshtime, në momentin sapo ato të bëhen publike, edhe pse liderët e PD dhe PS, pretendojnë se kjo vendosje ju siguron atyre fitoren e bashkëpunëtorëve më të ngushtë, të cilët do të shpërndahen si të parët e të gjitha listave në të 13 Qarqet e vendit. Për çfarë do të flasin ATA…? Ata do të vijnë nga Tirana. Do të jenë kandidatët e partive për deputet në Qarkun e Vlorës. Do të jenë emrat e parë në lista, duke e pasur fitoren të sigurtë. Emrat e tyre shumë shpejt, do të bëhen publike. Por për çfarë do të flasin ATA…? Ata nuk jetojnë në Vlorë dhe si të tillë nuk i njohin hallet dhe problemet e Vlorës. Ata nuk i njohin njerëzit, lagjet, rrugicat, të mirat dhe të këqijat e këtij qyteti. Por për çfarë do të flasin ATA…? Ata nuk jetojnë në Vlorë dhe do ju duhet të flasin në takime me njerëz, të premtojnë këtu dhe atje, të mbajnë fjalime të gjata për të ardhmen dhe të tjera si këto. Ndaj dhe atyre do t’ju duhet tua përgatisin fjalimet. T’ju përgatisin premtimet. T’ju përgatisin takimet me njerëzit. T’i çojnë nëpër lagjet që nuk i njohin.
T’i prezantojnë me njerëzit që nuk i kanë parë ndonjëherë dhe të tjera si këto. Por për çfarë do të flasin ATA…? Ata nuk janë nga Vlora. Por edhe po të jenë nga Vlora, njohin vetëm një pakicë njerëzish, të cilët pretendojnë se njohin pjesën që nuk njohin ata. Por edhe po të jenë nga Vlora, ata kanë kohë që janë shkëputur nga Vlora. Vijnë rrallë. Në ndonjë festë, përvjetor apo kur vjen lideri i madh i tyre. Por për çfarë do të flasin ATA…? Emrat e tyre shumë shpejt do të bëhen publike. Secili do të habitet sipas mënyrës së vet dhe do të kërkojë të shprehë pakënaqësinë, por nuk do ta dëgjoj më njeri. Ata do të jenë “fakti i kryer” dhe nuk kthehen më mbrapa. Lideri lart në Tiranë ka vendosur për ATA dhe ka diktuar mbi bazën dhe strukturat. Për ATA, ty dhe mua, të gjithëve ne, nuk do të na pyes njeri, edhe pse ne, mund të mos i duam. Por për çfarë do të flasin ATA…? Neve do të na mbetet vetëm për të dëgjuar fillimisht dhe për të votuar më pas në 23 qershor. Deri atëherë, do të dëgjojmë plot fjalime të stisura, false dhe të mbushura me hipokrizi. Nuk flet askush. Nuk flet askush. Në heshtje kanë rënë të gjithë. Nuk lëviz asgjë.
Në fund të fundit, ç’u duhet që të flasin? T’i prishin punë vetes? T’u shpëtojë ndonjë fjalë për ATË? Të mos e përfitojnë punën që do u jap AI? Të humbasin vendin e punës? T’i trokasin tek biznesi me ndonjë gjobë të majme? Ndaj nuk flet askush, nuk lëviz asgjë. Në heshtje kanë rënë të gjithë. Mungon debati. Mendimi ndryshe, qoftë edhe gabim. Mungojnë idetë. Nuk ka alternativa të tjera nga ato që thonë shefat, sikur këta shefat tanë, të marrin vesh nga të gjitha gjërat e kësaj dynjaje. Për historinë flasin politikanët, ndërkohë që këta të fundit nuk dihet se ku dhe si e shkruajnë historinë, sepse nuk i kontrollon kush apo e shkruajnë historinë sipas porosive të politikës.
Pedagogët e Universitetit janë harruar pas provimeve, mungesave, notave, kalueshmërisë, duke harruar se kanë detyrim qytetar dhe intelektual që të shkruajnë, të flasin dhe të debatojnë për problematika të ndryshme që ka qyteti.
Nëpunësit e institucioneve të shtetit duket se janë në sezonin “e të bërit pallë”, sepse as punojnë, as kanë përgjegjësi dhe pale pastaj të mendosh që të jenë pjesë e debateve publike.
Por në heshtje kanë rënë edhe njerëzit e letrave, ata që quhen poet, shkrimtarë e deri artistë në zhanre të ndryshme, aq sa të krijohet përshtypja se në Vlorë, edhe poetët, shkrimtarët apo bejtexhinjtë i emëron partia, pushteti, shteti, që të jenë të tillë.
Në heshtje kanë rënë edhe qindra e qindra arsimtarë, të rinj gjimnazistë, studentë universiteti e deri njerëz të thjeshtë, të cilët po të shkruajnë e të flasin, nuk ka dyshim që shkruajnë e flasin më mirë sesa shefat që mbushin kronikat televizive për çdo natë.
Dhe jo më kot i lashë për në fund. Në heshtje kanë rënë edhe mediat e qytetit, të cilat edicionet informative i kanë kthyer në qendra emulacioni apo qendra zëri për njoftime institucionesh apo intervista drejtuesish. Nuk flet askush. Në heshtje kanë rënë të gjithë. Nuk lëviz asgjë.
I gjithë qyteti hesht. Hesht në një kohë kur ka aq shumë probleme që jo vetëm nuk duhet heshtur por madje duhet bërtitur me të madhe. Në fund të fundit, ç’u duhet që të flasin? T’i prishin punë vetes? T’u shpëtojë ndonjë fjalë për ATË? Të mos e përfitojnë punën që do u jap AI? Të humbasin vendin e punës? T’i trokasin tek biznesi me ndonjë gjobë të majme? Ky është qytet i “kapur”