Ergys Alushi/ Lungomare kthehet në Lungastoria

623
Sigal

Gazeta Telegraf/


Ergys Alushi


Edhe pse ditët
vazhdojnë të jenë me diell e të përshtatshme për punime në infrastrukturë,
përsëri në shëtitoren e bregdetit (Lungomare), nuk po punohet. Prej disa ditësh
në të gjithë gjatësinë e saj nuk duket asnjë punëtor ose edhe kur duken, janë
vetëm disa që kryejnë punime të vogla apo pastrime territori. Askush nuk
informon se cila është arsyeja e ndërprerjes së punimeve edhe pse nga
kryeministri apo kryetari i bashkisë është deklaruar se punimet po ecin me
ritme të kënaqshme dhe me cilësi të lartë, deklarata te cilat duket se nuk i
beson me askush. Në bashkinë e Vlorës të gjithë ngrenë supet dhe nën zë të
thonë se kanë urdhër që të mos komunikojnë me gazetarët për Lungomaren.
Kryetari i bashkisë nuk është në zyrën e tij dhe më shumë udhëton jashtë
shtetit për në Itali e Greqi sesa është në krye të punëve në Vlorë. Njerëz
pranë tij flasin gjithnjë e më shumë për ftohje të komunikimit të tij me
kryeministrin, ndërkohë që Leli është parë shpesh në shoqërinë e ish deputetit
Kokëdhima. Burime jozyrtare thonë se kanë mbaruar fondet e caktuara për punime,
ndërkohë që ka zëra që shprehen se është abuzuar me fondet dhe ato kanë shkuar
për qëllime të tjera, jo me interes publik. Nuk është hera e parë që punimet në
Lungomare zvarriten apo ndërpriten krejtësisht, dhe investimi i cilësuar si
“basti i kryeministrit me padurimin e vlonjatëve”, duket sikur e ka vërtet një
ngërç. Është fakt i njohur që projekti i shëtitores ka ndryshuar disa herë
gjatë punimeve në terren, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë
pengese të qëllimshme në ngadalësimin e punimeve. Një situatë e tillë vazhdon
të krijojë probleme në bizneset e shumta që ndodhen përgjatë shëtitores, por
edhe qindra familjeve të cilat duhet të ecin përditë në mes të ujit, kur mbytet
rruga e ngushtë me dy kalime, baltës dhe pluhurit, kur moti ngrohet.