Ergys ALUSHAJ/Nuk ka shenja si në zgjedhjet e 2005-ës!

657
Sigal

Ndërsa në 3 korrik të vitit 2005, PS e Vlorës do të humbiste në qytet dy nga kandidaturat e saj më të forta, kryetarin e partisë për kohën, Bashkim Habilaj e deputetin në detyrë Mezan Malaj, reagimet e akuzat në mjediset e PS, do të ishin të shumta e të forta. “PS tradhtohet nga drejtorët e të privilegjuarit e saj në 8 vjet pushtet”.

Për humbjen e ish-deputetit Mezan Malaj është folur më tepër në mjediset e PS përpara ditës së votimit, dhe Mezan Malaj ka humbur. Është folur për humbjen e pritshme të Bashkim Habilaj dhe ashtu ka ndodhur. Kryetari i socialistëve të Vlorës ka humbur në një zonë që nuk mendohej humbja, nga teatri i qytetit e deri në Dukat fshat. Me vështirësi ka fituar socialisti i vetëm në qytet, Arben Isaraj edhe pse mendohej një fitore më e lehtë e tij, ndërkohë që kjo zonë ishte lënë në mëshirën e fatit nga ish-deputetja socialiste dhe PS, zona e Çoles. Drejtorët socialistë të institucioneve të shtetit kanë bojkotuar deri pjesëmarrjen në komisionet e qendrave të votimit, duke shkaktuar habi tek shtabet dhe socialistët e thjeshtë. Drejtorët e PS dhe të privilegjuarit kanë arritur deri aty sa të festojnë për fitoren e PD-së dhe të zhgënjejnë deri në zemërim socialistët e thjeshtë. Të gjitha këto mu kujtuan teksa këto ditë, gjithnjë e më shumë, po ndesh në konstatimin e shumë njerëzve, në vende e kohë të ndryshme, nga Vlora deri në Tiranë se: “Berisha nuk po jep shenja të lënies së pushtetit, ndërkohë që socialistët e Nanos në 2005, i kishin dhënë këto shenja”.
Pas një konstatimi të tillë, secili në bisedë nxiton të jap dhe shembuj nga ato që ata i konsiderojnë shenja për përgatitjet për lënien e pushtetit nga Nano, në vitin 2005. Dhe PS nuk kishte humbur pak në Vlorë. Kishte humbur kryetari i PS, Bashkim Habilaj dhe deputeti Mezan Malaj, i konsideruar njeriu i fortë i PS në qytet. Asaj kohe disa anëtarë kryesie u akuzuan nga kandidatë të veçantë se, “ kanë bërë propagandë kundër kandidatit socialist”.
Kandidatë socialistë të akuzuar nga anëtarë kryesie se, “nuk i kanë pranuar në shtabet e tyre elektorale”. Kryetarë organizatash dhe kryetarë këshillash koordinativ të akuzuar nga kandidatë për deputet se, “kanë punuar për të fituar kandidati i djathtë”. Drejtues të strukturave të partisë të akuzuar nga anëtarë dhe simpatizantë të thjeshtë socialistë se, “e përdorën partinë për tu pasuruar për tetë vjet dhe e lanë në baltë tani në fushatë”. Të gjitha këto deklarata të kohës, ishin shenjat se diku dhe nga dikush, socialistët e kishin përgatitur prej kohësh lënien e pushtetit. Që nga mungesa e gjatë shumë orëshe e energjisë elektrike e deri tek lirimet në masë të drejtuesve të policisë.
Një realitet ky të cilin e mbajnë të gjithë mend në Vlorë, por që padyshim ndodhte dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Një realitet të cilin në gusht të vitit 2005, gjatë një takimi në Vlorë me strukturat e PS, Rama, asaj kohe në kërkim të kandidimit për postin e kryetarit të PSSH, do ta përmblidhte në fenomene të tilla si “Shkëputja nga baza”. Harresa e socialistëve se një ditë do të votoheshin. Korrupsioni midis socialistëve. Diktatura e forumeve të larta. Mungesa e demokracisë së brendshme. Askujt nuk i jepet e drejta për të propozuar. Gjithçka vendoset nga lideri. Por nuk kishte ndodhur vetëm brenda PS një situatë e tillë. Vlora përjetonte një mungesë prej më shumë se 10 orësh të energjisë elektrike, duke paralizuar krejtësisht ekonominë dhe jetën e përditshme të vlonjatëve.
Ndërkohë në fundin e muajit tetor të vitit 2004, ka qenë e papritur edhe deklarata për dorëheqje nga detyra e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë, z.Sazan Aliko, dorëheqje e cila bëri bujë për kohën dhe ndodhi pikërisht pas një incidenti midis tij dhe kryeministrit Fatos Nano, në një nga lokalet e qytetit. Largime nga puna pati edhe të disa drejtuesve kryesorë të policisë, për tu zëvendësuar nga të tjerë, të cilët mbetën shumë pasiv gjatë fushatës, disa muaj më vonë.
Një tjetër shenjë ishte dhe 28 nëntori i vitit 2004, ku vetëm 30 minuta zgjati festa kombëtare e Pavarësisë, në sheshin e Flamurit. Dy fjalime, një kurorë tek varri i Ismail Qemalit dhe pak koncert, ku nuk bëhej fjalë për argëtim. Kjo ishte festa kombëtare e Shqipërisë.
Në fund të vitit 2004, do të rezultonte, sipas informacioneve nga Dhoma e Tregtisë Vlorë se, ishin shtuar bizneset, të cilat largohen nga qyteti për ta vazhduar aktivitetin privat në një qytet tjetër, kryesisht në Tiranë. Aq të shpeshta janë këto largime, sa të krijohet përshtypja se largimi i bizneseve po shndërrohet në një reaksion zinxhir, ndërkohë që shkaqet e largimit ishin të njëjta: mungesa e energjisë elektrike, konkurrenca e pandershme, mosveprimi i institucioneve të shtetit, vjelja e taksave lokale sipas preferencave te pushtetit, rënia e fuqisë blerëse etj.
Pikërisht në një nga ditët e dhjetorit 2004, këshilltarët e djathtë në këshillin e bashkisë, me ndihmën e votave të disa këshilltarëve të majtë, do të votonin për rritjen e disa tarifave lokale, duke vendosur në vështirësi bashkinë e drejtuar nga socialisti Shpëtim Gjika. Gjatë vitit 2004 pati edhe disa ngjarje të cilat nuk mund të kalonin pa u vënë re dhe pa komentuar se do të kishin efekt në zhvillimet e mëvonshme në jetën politike e fusha të tjera në Vlorë. 9 Janar 2004, në detin pranë Karaburunit vdesin 19 shqiptarë e 8 të tjerë humbasin në det.
Por viti vazhdoi me një tjetër tragjedi, por këtë radhë ne tokë. Në minierën e Selenicës si pasojë e shpërthimit të gazit dhe mungesës së kushteve të punës, vdesin shqiptarë të tjerë. Një tjetër tragjedi, por pa viktima në njerëz por me viktima në shpirt ishte rënia për herë të parë në historinë e vet e ekipit të futbollit “Flamurtari” në kategorinë e dytë.
Edhe pse një rënie e tillë kishte vite që ishte paralajmëruar përsëri askush nuk mori masat për ta shmangur një rënie të tillë. Për PS ky vit solli dhe shkëputjen nga radhët e saj e partisë më të re të drejtuar nga ish-kryeministri socialist Ilir Meta, ndërkohë që kësaj partie të re në Vlorë, i bashkohet ndër të tjera edhe ish kryetari i bashkisë Niko Veizaj. Në prill të vitit 2005, debati për ndërtimin apo mosndërtimin e veprave me bazë nafte në bregdetin e Vlorës, do të arrinte kulmin. “Të bëjmë deri luftë me armë për të kundërshtuar ndërtimin e TEC, pasi vlonjatët u ngritën me armë për mjekrën e Nanos e jo të mos ngrihen për bukuritë e qytetit të tyre” . Ka qenë kjo deklarata që ka spikatur në mbledhjen e këshillit bashkiak të qytetit nga kryetari i grupit të këshilltarëve të PD, Shpëtim Xhyheri. Brenda pak ditëve të muajit qershor 2005, kryetari i PD Sali Berisha erdhi dy herë në Vlorë për të takuar banorë të zonave të ndryshme dhe kërkuar votat e vlonjatëve për kandidatët e partisë që ai drejtonte dhe partive aleate me të cilat kërkonte të vinte në pushtet. Në të gjitha këto takime, Berisha është shprehur se “ndryshimi më shumë se çdo qytet tjetër duhet të vij nga Vlora, qytet i cili ka ndjerë më shumë se të gjithë braktisjen e qeverisjes së majtë, e cila deklarohet se Vlora është bastion i së majtës”. Nga ana tjetër, po ato ditë, nga Saranda, kryetari i PSSH dhe njëkohësisht kryeministër i vendit, Fatos Nano do të deklarohej se “Në 4 Korrik, Berisha ka rastin më të mirë ti kthehet profesionit të mjekut, pasi të largohet nga politika me votën plebishitare të sarandjotëve dhe gjithë shqiptarëve”. Për liderin socialist, kthimi i Berishë në pushtet është kthimi i bandave, ushtrive dhe keqbërësve të tij, të cilët do të shkatërrojnë dhe do të pengojnë zhvillimin e vendit”. Në datën 29 qershor të vitit 2005, Sali Berisha ka zgjedhur Vlorën për të deklaruar mbylljen e fushatës elektorale në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe për të nisur sipas tij “festën e fitores dhe Vlorën, kryeqytetin e fitores” .“E majta është përçarë, theksoi ndër të tjera Berisha, dhe në të tilla kushte të majtët nuk mund të qeverisin dot dhe në të tilla kushte do t’i shpërdorojnë votat e socialistëve të ndershëm”. Vetëm 24 orë më pas, ju ka takuar radha socialistëve të mbushin sheshin e Flamurit, për mbylljen e fushatës elektorale.
“Fitorja e Vlorës, është fitorja e të gjithë Shqipërisë”, ju është drejtuar Nano mbështetësve në shesh, për të vazhduar me ftesën se “pas rrëzimit nga pushteti duhet ta nxirrni dhe në pension Berishën”. Të gjitha këto kanë ndodhur përgjatë vitit 2004 dhe në muajt e parë të vitit 2005, deri në 3 korrik, kur dhe u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Janë shenja që tregojnë se socialistët kishin kohë që përgatiteshin për ta lënë pushtetin, finalizuar kjo me dorëheqjen e liderit të tyre Nano, ditën kur socialistët e thjeshtë prisnin një rikonfirmim të fitores së tyre. Ndërkohë krejt e kundërta po ndodh me demokratët, me liderin e tyre Berisha. Nuk ka asnjë shenjë të lënies së pushtetit. Gjithçka, në strukturat e partisë demokratike dhe në institucionet e ekzekutivit, po vazhdon me kapacitet të plotë dhe pa asnjë tërheqje, pavarësisht vështirësive financiare me të cilat po përballet qeveria, në mbarëvajtjen e institucioneve. Edhe në bisedat e lira me anëtarë e simpatizantë të kësaj partie, nuk dëgjon asnjë mëdyshje për të qenë aktiv në fushatë dhe në fitoren e partisë demokratike, ndërkohë që nuk kanë asnjë pakënaqësi edhe për përzgjedhjen e kandidaturave për deputet. Për ata e rëndësishme është fitorja dhe për të tjera, mendon Berisha, thonë ata. Shenjat për lënie të pushtetit mungojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në Gjyqësorin, edhe në Presidencë, edhe në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, edhe në marrëdhëniet me mediat, edhe në marrëdhëniet me opozitën, KQZ apo dhe në imazhin e faqes në facebook të Berishës e drejtuesve të tjerë të PD. Edhe pse tetë vite në pushtet e me kaq shumë ngjarje të ndodhura në dy mandatet e tyre, demokratët, në pjesën më të madhe të tyre, nuk ndihen të lodhur, por duken se janë me energji të reja për të fituar një mandat të tretë, ndikuar kjo dhe nga besimi i madh që kanë tek kodi dhe tek lojërat para dhe pas elektorale të liderit të tyre. Përballë tyre qëndrojnë socialistët, të cilët edhe pse tetë vite në opozitë dhe me shumë arsye për të ardhur në pushtet, vazhdojnë të ngrenë supet kur i pyet se çfarë do të ndodh me kandidatët për deputet, si do të arrihet fitorja koalicionin me LSI apo nëse do të ndëshkohet Berisha për çfarë ka ndodhur si p.sh në 21 janar apo në Gërdec Ata po e mundin me sondazhe Sali Berishën, duke garuar me njëri-tjetrin se kush voton më shumë dhe i pari kandidatin që dëshiron për në zgjedhjet e 23 Qershorit. Ata po e mundin me ekspozita, me deklarata, me konventa, me foto në facebook, me takime sporadike sa për të bërë nga një fotografi dhe me veprimtari sa për të dalë në televizor e gazeta sa për të qenë në vëmendjen e Shefit. Ndërkohë krejt e kundërta ndodh nga krahu tjetër. Demokratët janë më aktiv në terren, janë më pak mediatik, nuk japin asnjë shenjë se po e lëshojnë, janë të gjithë në punë. Çdo gjë e kanë në funksion të fushatës. Ata e kanë më pak hallin e listave për deputët në krahasim me socialistët.