Ergys ALUSHAJ/Flet për krizën, je i majtë…!

574
Sigal

Të flasësh sot për krizë ekonomike, të konsiderojnë të majtë. Të thuash se ka rënë fuqia blerëse në treg, përsëri të cilësojnë si të majtë. Të konstatosh se ka rritje të varfërisë, të quajnë përsëri të majtë. Kështu po ndodh prej disa kohësh në opinionin publik.

Tamam si dikur në diktaturë, kur pranoje se “djathi është si gëlqere” dhe të tjerët të konsideronin “armik”, “kulak”, “kundër socializmit” edhe tani po të thuash p.sh se, “çmimet e shportës janë rritur dhe nuk mbulohen dot me rritjen e pagave”, të tjerët të konsiderojnë “të majtë”, “socialistë”, “kundër Berishës” etj., si këto.
Shqiptarët, të ndarë në të majtë e në të djathtë, duket se janë ndarë edhe përsa i përket qëndrimit publik ndaj krizës ekonomike apo dhe politike që ka përfshirë vendin.
Të paktën, në publik, zyrtarisht apo dhe në mjetet e informimit publik, një shqiptar, i konsideruar dhe i rreshtuar si i djathtë dhe që ndodhet në një vend pune apo post në nivel drejtuesi, e ka gati të ndaluar që të pranojë se në Shqipëri ka krizë ekonomike.
E ka të ndaluar paçka se ndoshta në rrethin e tij familjar, në lagje apo dhe më gjerë në qytet, mund ta di shumë mirë se ekzistojnë të gjitha shenjat, të cilat vërtetojnë se ka krizë ekonomike.
Por nuk flet dot, sepse është nëpunësi apo zyrtari i qeverisë në pushtet, e cila në politikën e kohëve të fundit, duket se ka në plan të mirë “ushqimin” e opinionit publik se në Shqipëri nuk ka krizë.
Një “ushqim” i tillë propagandistik është kthyer gati në një politikë të ditës së qeverisë, e cila e ka të pamundur të pranojë se edhe në qeverisjen e saj, Shqipëria mund të kalojë ndonjë krizë, e cila është krejt normale edhe për vendet më të zhvilluara të Botës.
Ndaj dhe kush del kundër kësaj politike, shihet me dyshim, nëse është zë brenda radhëve të mazhorancës dhe mund të rrezikojë shumë gjëra.
Ndërsa për të gjithë ata të tjerë që nuk janë brenda vendeve të punës që ofron mazhoranca, të pranosh e të flasësh për krizën ekonomike apo politike, ata tregohen me gisht dhe konsiderohen pa hezitim si të majtë.
“Ata nuk janë me ne”, “ata i shërbejnë opozitës”, “ata gëzojnë që vendi të jetë në krizë”, “ata shpikin kriza se kanë zili arritjet e PD”, këto dhe shumë të tjera si këto janë “ushqimi” për opinionin kundër zërave që flasin e pranojnë krizën. Kjo që ndodh është një nga shumë absurditet e shumta të Shqipërisë. Kjo sepse kriza ekonomike, nuk ka ngjyrë dhe nuk prek sipas ngjyrave, por ajo përfshin të gjithë njerëzit, pavarësisht bindjeve politike dhe në të tilla kushte, të gjithë duhet të kontribuojmë për të dal nga kriza. Të fshehësh krizën në këto kohë të vështira, është si puna e fshehjes së kokës së strucit, duke qenë njëkohësisht edhe imazhi më i keq që krijon tek popullata e gjerë, e cila krizën e përjeton përditë dhe nuk ka nevojë për “ushqimet” propagandistike