Enver Cakaj: Zylyftar Veleshnja, hero i Tendës së Qypit

1067
Sigal

 

Zylyftar Veleshnja! Çfarë përmbledh
brenda vetes ky emër? Çfarë përbërjë kishte trupi i  tij, mish apo çelik i rrallë? Njeri i lakuar,
por edhe me të pathëna. Hero i Popullit, është emër i dyfishtë i këtij njeriu
me një këmbë e me dy zemra. Nuk është kollaj të bëhesh Hero i Popullit tënd. Më
pati thënë një herë i ndjeri Petro Marko për Zylyftarin: “Nuk është e lehtë të
bëhesh Hero për së gjalli. Është nder që nuk e mban dot çdo njeri.” Këtë titull
të lartë nuk Ia dhanë, as e kërkoi, po e mori vetë pa e patur qëllim. Të
rritesh nëpër  plumbat e luftës, është më
shumë se heroike. Ishte nga ata njerëz,që nuk shpërdoronte, as lotët, as trimërinë
e heroizmin. Nuk nxori asnjë pikë lot nga ajo plagë e rëndë, që mori në Tendën
e Qypit, por i ranë lotët mbi dëborën e ngrirë, kur mjeku urdhëroi nxjerrjen e
tij nga lufta! Një plumb i nxehtë në atë dimër të ftohtë, Ia bëri një këmbë
cifla, cifla. Në mes të krismave dhe acarit, kërkoi një copë letër. Kur plumbat
shkëmbeheshin mbi kokën e tij, u zhvillua ky 
dialog i shkurtër:

        
-Ç’bën kështu, o Zylyftar?

        
-Nuk u thirra të më ngushëlloni, po më sillni një letër të bëj planin e
luftimeve pa komandant.

         
Mjeku me infermieren Ia fashuan këmbën dhe urdhëruan ta shpinin sa më
shpejt në spitalin partizan më të afërt. Pikërish atëherë i ranë lotët vetëtimthi.

         
-Kështu e bëre, o doktor?

         
-Këmba  jote nuk funksionon më, duhet
një ndërhyrje kirurgjikale.

         
-Kush e bëri këtë punë dhe të solli ty këtu në mes të luftës. Unë e di
se mjeku është për t’i kthyer njerëzit në jetë e në luftë, jo t’i nxjerrë në këtë
qamet. Largohuni, se u rrëmbyen plumbat!

           Rrëmbeu pushkën dhe plumbat i dërgoi
mbi gjermanët, që po përparonin. Gjaku s’pushonte së rrjedhuri mbi dëborë. Nuk
kishim të bënim me një partizan, por me një gjysëm dëshmori. Dy partizanë të
fuqishëm e përfshinë, e hodhën në një barrelë të sajuar dhe u nisën për në
spital. Atij i mbeti koka prapa derisa kaloi Qafën e Vupës. Po cili spital mund
t’Ia kthente sërish atë këmbë, që ishte bërë kocka e mish bashkë? As spitali i
Zabërzanit, as ai i Srenecit e Zagorijes nuk e kthyen dot në luftë. Të gjithë e
largonin sa më tutje, kur ai shpresonte tek kthimi në luftë. Iu desh të kalonte
kufijtë e vendit, të kalonte edhe dete, po as këmbën nuk Ia kthyen, as në luftë.
Kishte nisur vapa. Në atë mbrëmje të korrikut 1944, hipur në një mushkë, shoqëruar
nga dy partizanë, ecte drejt Bregdetit, ku do të lundronte për në Ostum të
Italisë. Këtë radhë po ecte me këmbët e botës. Në mes të detit iu kujtua viti
1920 kur  në këtë det lundronin italianet
e thyer nga luftëtarët shqiptarë.Tani lundronte ai, por jo si humbës. Nuk ishte
vetëm, kishte dhe të plagosur të tjerë. Në të vërtetë plaga ishte një shkak, se
ata ishin të gjithë militantë, që i harronin plagët e tyre dhe futeshin në luftë
në mënyra të ndryshme. Në mes të dhimbjeve, krijuan celulën e Partisë me 15 anëtarë.
Mos kujtoni se ishte celulë formale. Ajo diskutonte në detaje edhe për luftën, edhe
për cilësitë e komunistit, edhe për qëndrimin e sejcilit në shtetin  e huaj. Dhimbjet e trupit u ishin shndërruar
në dhimbje për Shqipërinë. Zylyftari na ka lënë një ditar, i cili nuk është
publikuar deri sot. Në të vërtetë ai është një skenar,ku tregohen çiltërsitë, guximi
dhe cilësitë e komunistëve të vërtetë. E ka filluar me diskutimet në mbledhjen
e parë  të celulës:

           1.Todi Trebicka: Unë i kam marrë gjërat  t’u i shikuar përciptas, gjërave të vogla s’u
kam vënë rëndësi e ato të shpjenë tek të mëdhatë.

           2.Velua: Todi  materialisht ka patur lireta dhe i bëri para
shqiptare. S’ka qenë aq i afruar me shokët.

           3.Sifi Pogaçe: Todi është i arsyeshëm,
i sinqertë,aktiv. Ka të metë se  s’është
i vllazëruar me partizanët, i mungon shpirtii kolektivitetit.

                                                                          
AUTOKRITIKË

            1.Sifi Pogaçe: Unë shoqërohem tepër
me shoqet, kam bërë favorizime, më mungon autoriteti i duhur me shokët.     

             2.Adil Prishta: Sifi s’ka autoritet në detyrë,
i pëlqen muhabeti më mirë me shoqet, se sa me shokët, është punëtor, i urtë.

             3.Todi Trebicka: Në bisedimet që bën
Sifi thotë, unë. S’ka autoritet në detyrë dhe është tepër i butë si njeri, aq
sa mund të bier në pozita të këqia.

             Përse bëhej gjithë ky debat kur
ata s’ishin të zot të merrnin përgjegjësi mbi vete? A thua të ishin të plagosur
këta djem, që u qante zemra për Shqipërinë? Mbase ata kishin gjetur këtë mënyrë
për të harruar mungesën e pjesëve të trupit, që i lanë maleve tok me rininë. Ky
debat nuk ishte pa vlera. Ata po shkonin në një shtet tjetër, ku mund të
kompromentoheshin nga ofiqet që mund t’u afronin fashistët, që i kishin përzënë
nga Shqipëria. Zylyftari vazhdon ditarin personal:

                                                                            
17.7.1944

           Nisem nga Skrapari për në
Itali.Lufta vazhdon,por dhe unë jam në luftë.Se lufta nuk bëhet vetëm me
plumba.

                                                  
                           18.7.1944

         
U gdhimë në Luzat, ku takuam personelin e spitaleve Cepo e Kosovë të Përmetit.
Shoku Myfit Dudushi më thotë: “Në Shtatmadhëri më thanë, se komandën ushtarake
do ta marrë grada më e lartë, gjithashtu dhe atë politike, kështu që ty dhe mua
na takon. Se edhe unë jam komisar i shëndetësisë së zonës së parë.” Mirë, shok,
iu përgjigja ti  me që je në gjendje të
luaç, kujdesohu derisa të mbrijmë në vend pa atje, kur të mblidhemi të gjithë
vendosim.

                                                                               24.7.1944

         
Arrijmë në Kuç, ku bëmë mbledhjen e celulës të  të gjithë shokëve. Sipas programit u caktua
rendi i ditës, por u la në gjysmët dhe u vendos për datën…

                                                                              
26.7.1944

           1. Situata aktuale brenda dhe jashtë.

           2. Gjendja e spitalit dhe masat që
duhen marrë.

           3. Program pune për çdo qëndrim.

           4. Kritikë, autokritikë.

           5. Ndarje pune.

           Në këtë mbledhje u zgjodhën në mënyrë  demokratike Komiteti i spitalit  me 
shokët Zylyftar, Iljaz, Myfit, Fejzo Bime, me që ky u paraqit si komisar
grupi. (Gënjeu në fakt, se kishte vetëm  Batalion).
Për arsye të gjendjes kritike, një  pjesë
me të sëmurët më rëndë,s hkuam në pyll, në përrua. Për kohën që qëndruam në këtë
vend, u bë mbledhja e celulës për ndonjë punë dhe, që në atë çast filluan
grupet edukative, ku u këndua rezolucioni. Për arsye të situatës kritike
spitali u mblodh në Gusmar.

                                                                              
14.8.1944

           Në mbrëmje hymë në vapor, të nesërmen
në mëngjes zbritëm në Brindisi dhe që aty, 46 veta na nisën për në Taranto. 8 i
mbajtën në Brindisi dhe 7 partizanë për në Grum. Më 15 në mbrëmje arritëm në
Toranto. Këtu dolën na pritën partizanët jugosllavë, të cilëve u shkëlqente në
ball ylli i kuq, nga i cili ne të sëmurët ndjemë një çlodhje kur shokët na përqafonin.
Komisari jugosllav na dha të gjitha lehtësitë. Na futën në një sallë me
50-shtretër, me përjashtim të 5 shoqeve, që ikën me shoqet jugosllave. Edhe
shokun Myfit e çuam me jugosllavët.

                                                             
                 15.8.1944

           Në Taranto na pritën shumë mirë
shoqet S.dhe Myfetin i vunë në një dhomë të veçantë.

                                                                            
16.8.1944

       
Në mëngjes vjen shoku komisar jugosllav dhe na bën një konferencë të
shkurtër, duke na vënë në dukje rregullat e spitalit dhe kënaqësinë që  ndjente për luftën tonë.

                                                                   
TROKITJE NËPËR NATË

        
Ishte luftë, ishte dimër, ishte natë. Për Zylyftar Veleshnjen ditët dhe
netët nuk kishin kufi. I la fëmijët dhe gruan në gjumë dhe mori udhën për në
Strorë të Skraparit. Rruga ishte e gjatë, po më shumë e zgjaste ai, duke ecur
rrugë pa rrugë për t’iu shmangur ndonjë rreziku. Nga Berati duhet të ecte 12 orë
në këmbë, por ai nuk e shikonte kurrë orën, sytë i mbante nga maja e Tomorrit, në
këmbët e të cilit ndodhej ai fshat ku do të vinte. Nuk e di si ikte ai njeri, kur
rrugët ishin të mbushura me banditë, hajdutë dhe egersira? Në thellësitë e natës,
kur nëna u tregonte fëmijëve përrallën e fundit, që të harronin bukën, qeni u
shtrëngua në zinxhir. Të zotët e shtëpisë u tronditën. Ishin afruar hajdutët
apo ujqit? Murat Nana i bëri shenjë të birit 
të shikonte që nga dritarja. Nuk dukej asgjë, po qeni nuk e ndalonte të
lehurin. Atëherë Hazbiu lëshoi një thirrje të frikshme: “Kush është?” Që nga
rruga erdhi një zë i butë: “Hapeni derën, jam Zylyftar Veleshnja!” Ç’hall i rëndë
e kishte sjellë që nga Berati,vallë? Këtë pyetje Murati ia bëri vetes i
befasuar. Kur miku hyri në shtëpi,muhabeti nisi miqësisht:

           -Mos të është mbaruar buka,o
Zylyftar,që s’prite të feksej?

           -Jo, ore Murat, po jemi në situata të
vështira.

           -Si nuk të hëngri ujku në Qafën e
Humbës?

           -Ujku ha bagëti, jo njerëz.

  
        -Qenke bërë telef, more i
uruar, të bëjmë një çikë bukë, se miku duhet priur mirë.

           -Nuk kam ardhur për miqësi, xha
Murat, po për punë.

           -Puna bëhet ditën, more Zylyftar.

           -A keni dijeni, ka apo jo njerëz të
huaj në fshat?

           -Jo, nuk ka, po derisa hyre në shtëpinë
time, rri rehat.

            Ai ishte aq i shqetësuar sa i
ngjante një njeriu që e kishte zënë mbreshëri në mes të rrugës. I shikoi të
gjithë me radhë dhe pyeti:

            -A ka ndonjë djalë  të zot këtu, që të më lajmërojë ca shokë?

             Sytë i hodhi te djali i Muratit, Hazbiu,
që po rrinte si njeri,që ka ngatërruar rrugën në mes të natës. Nxori nga xhepi
një letër  me emrat e tyre dhe ia zgjati
Hazbiut.Murati i vajti pranë e i tha:

              -Jo njëmë, o Zylyftar, se flenë
njerëzia.

              -Mua më duhen tani, prandaj erdha
natën nga Berati.

               Atëherë Murati i bëri shenjë të
birit, që të merrte edhe  Sadikun dhe të
shkonin ku e donte puna. Njerëzit ishin në kulmin e gjumit, por djemtë hynë shtëpi
më shëpi si ilegalët. Pa zhurmë sollën 21 burra.

               -Më falni që u prisha gjumin, po
më mirë të na prishet gjumi se Shqipëria. U kam thirrur t’u them nja dy fjalë, po
sakën se ia thoni njeriu.

                 Dita nuk kishte zbardhur ende
mbi Tomorr, kur takimi u mbyll dhe Zylyftari sypafjetur u dha dorën e ndarjes
atyre dhe Muratit.

                -Dale, more bir, as bukë s’hëngre,as gjumë
nuk fjete, ku vete kështu? Të paktën bëj një sy gjumë sa të përgatitë bukën
plaka.

                 -Faleminderit, xha Murat, po
s’është kohë e gjumit tani.

                  Xha Murati i bëri shënjë dajlit
të merrte mushkën e të përcillte mikun, po Zylyftari nuk pranoi. Atëherë ai i
tha djalit ta shoqëronte nga pas derisa të arrinte në bazën tjetër. Çuditërish
ai nuk i hipi mushkës derisa vajtën në shtëpinë e Pasho Hysit në Vërzhezhë. Kur
u ndanë me Hazbinë e  porositi të mos
tregonte, se ku kishte qenë dhe ku vajti. Nuk e dimë, ku fjeti e kur hëngri ky
zog i natës?

                                                          ME NJË KËMBË, ME GOJË
E ME LETRA                               

           Zylyftari s’arriti të mbaronte
arsimin e lartë, por lufta dhe vuajtjet e kishin bërë të mençur, të guximshëm e
militant. Me ato cilësi përballoi luftën dhe plagët e rënda, me atë mençuri
drejtoi Komitetin Ekzekutiv të rrethit Skrapar e Berat në vitët e para të
pasluftës. Si i kreu këto detyra kur informacionet i merrte dhe i dërgonte nëpërmjet
korrierëve me siglën e çuditshme: “Brigadës së…ku të jetë!” Dhe ato që merrte
prej tyre ishin copa letre, që kishin brenda plot enigma. Duhet të kishe
mençurinë e Zylyftar Veleshnjes, që t’i kuptoje e zbatoje. Ai,që ndiqej edhe
nga kuestura, merrte edhe letra të tilla:

                Kuestura Mbretnore Berat

                Nr.996,prot.datë 12.7.1942.

                                                            
                Drejtorisë së Përgjithshme
të Policisë Tiranë.

                Si kryear i bandës së Skraparit
rezultojnë të jenë: Mestan Ujaniku, Zylyftar Veleshnja dhe Xhelal Staravecka, të
gjithë skrapras, të cilët kanë me vedi aproksimativisht 300-400 persona të
armatosur me pushkë e me bomba.Për të përmendurit thonë,se janë nacionalistë.Të
njëjtit kryetar thuhet prej popullsisë,se kanë mbajtur qetësi në çdo zonë.Sa për
të tjerë kryetarë çetash,nuk ekzistojnë.

                                                                                        Regenti
i Kuesturës

                                                                                         
Ndue Përmarkaj

         
Zylyftari kishte një korrespondencë të gjerë me shumë shokë, po më shumë
mbante lidhje me Xhavit Strugën. Ata mbetën shokë të ngushtë derisa qenë gjallë.
Për të mos e zgjatur këtë shkrim, po publikojmë vetëm këtë:

                                                  
I dashur shoku Zylyftar!

           Jemi përballë një gjendje delikate
dhe kritike përsa i përket lëvizjes fashiste që po zhvillojmë në Skrapar. Prandaj
ne si shokë të Partisë duhet të jemi të zotët,që me anën e manovrimit të mirë
dhe të drejtë politik dhe ushtarak, ta përmirësojmë këtë gjendje, se ndryshe do
të na kushtojë mjaft. Shokë, dimë fare mirë se mbas aksioneve që nuk mundëm të
kryejmë, pseudonacionalistët e qelbur përfituan nga rasti për të future masat
fshatare nën influencën e tyre dhe me i kalu në pasivitet për me i përdor këta
për interesat e tyre kur t’ua kërkojë nevoja,gjë e cila do të na shpjerë në një
disfatizëm të plotë të punës së nisur dhe zhvilluar nga ne.

         
1.Të forcosh sa më tepër masa moralisht,tuj i dhënë atyre me anën e aftësisë
politike,besimin në Parti dhe në jetën partizane.

         
2.Të demaskojsh sa të jetë e mundur dhe pa pushim pseudonacionalistët në
mënyrë që të fitosh simptinë e masës për me i vu në programin dhe direktivat e
Partisë të luftës Nacionalçlirimtare.

           3.Të forcosh sa të jetë e mundur
lidhjet e fshatit me fshatin,që në rast të një mobilizimi,të jenë të gatshëm për  kryerjen e ndonjë aksioni që mund të kërkojë
nevoja.

           4.Sipas një lajmi që na erdhi,u
informuam se nga Gramshi i Elbasanit ka hyrë në Tomorricë, (Thonë në  Ermenj), një fuqi civile mercenare e Mustafa
Merlikës për të shtypur dhe masakruar masat fshatare në mënyrë që mos marrin
pjesë në lëvizjen kundër fashizmit. Prandaj ne po marrim vendime që t’i goditim
dhe t’i pastrojmë prej këndej dhe ti shok,me çetën tënde të mos lëjsh fuqinë  malice që gjendet në Çorovodë ose tjetër
fuqi, që mund të vijë në ndihmë të këtyre që po goditim,dmth t’i presësh të
gjitha komunikimet e tyre. Gjithashtu të jesh në marrdhënie të plotë me
patrullat që janë lënë andej për çdo eventualitet,që mund të çfaqi rasti.

         
Shoku Zylyftar,t ë bëjsh dhe një vijë postare me Ramizin, që edhe këta të
jenë të gatshëm në rast të  çdo nevoje. Në
këtë çast që po të shkruaj këto  rreshtat
e fundit, të takojsh edhe Ramizin, që të bëni një fuqi të shëndoshë në të dy anët
dhe thuaj të mos largohet. Selman Sevranit thuaj që të mbajë fuqitë e andejshme
që të mos të zbresin këndej nga ne. Zylyftar, ki nën kontroll Zalo Rehovicën
dhe Besim Çepanin,që mos të dredhojnë.

                                                                                                  
Të fala e qafime    

                                                                                            Shoku
përgjegjës komisar

                                                                                                    Xhavit
Struga

              Shqipëri e lirë,18.12.1942.

 

               Letërkëmbimet kanë vazhduar me
shokë të tjerë, sepse ato ishin i vetmi komunikim. Një letër që i dërgon Nure
Dobrusha, shkruan: “Sot qemë në inaugurimin e Brigadës së 7-të Sulmuese, që do
të flaës Veziri. Do të kisha ardhur të shikoja, por hall pas halli na kanë rënë
e s’kam mundur të vij. Uroj dhe gëzoj që të shërohesh shpejt, se kur të dilni
ju nga spitali, te shokët nuk do të ketë gëzim më të madh. Përqafime.17.3.1944.”
Vendi s’kishte as rrugë as makina dhe Zylyftar Veleshnja i ka bërë me një këmbë
të gjitha shërbimet që ia diktonte puna. Kështu e plotësoi ai portretin e
Heroit të Popullit. Zylyftari e kishte kryer detyrën luftarake e shtetërore  dhe kishte dalë në pension. Po a mund të
mbyllej brenda ai njeri, që u kishte rënë maleve anë e mbanë? Kurrë nuk u
mblodh në shtëpi. Ai dinte të zihej me punë, dinte të mbante miqësinë e shoqërinë,
dinte dhe të pushonte. Gjithë ditën merrej me punët e organizatës së veteranëve
dhe me rininë. Mbrëmjeve, kur binte qetësia dhe të tjerët i fiknin dritat ai i
ndizte. Ulej dhe hidhte në letër kujtimet e pafundme. I sistemonte ato të luftës
dhe me to mbushte arkivat e rretheve ku kishte luftuar e punuar. Lame Çekani
shkroi një libër të bukur për të, por ia la dhe të tjera, të cilat kanë nevojë
për t’i sistemuar. Fatkeqësisht nuk qemë të vëmëndshëm dhe ai mori më shumë me
vete. Aty nga viti 1973, ai kishte diktuar, që unë trajtoja shkrime me temë nga
Lufta dhe më dërgon këtë leter: “Me që ju shkruani gjithmonë për temën e Luftës,unë
po të tregoj një ngjarje të vitit 1944, që ka ndodhur në Sharovë të Skraparit. Atëherë
atje është rrëzuar një avion dhe unë kam informuar  gabim udhëheqjen. Jo se doja, se unë i urrëj
informatorët e rremë, por nuk e dija që avionët lëshonin tym nga djegia e
karburantit dhe kam informuar, se avioni u dogj në ajër. Në të vërtetë atë e
rrëzuan partizanët. Është mirë të pyesësh dhe Nuri Kadiun, sepse ai ka qenë
present kur ra avioni. Përqafime.”

         
Edhe pse ishte shkëputur nga puna shtetërore, atij i dërgonin ftesa nga
të gjithë rrethet kur bëheshin veprimtari patriotike. Dhe ai nuk mungonte kurrë.
Një ditë i erdhi një ftesë nga ish-Komiteti Qëndror i Partisë, ku e ftonin në
festën e 25-vjetorit të krijimit të Partisë. Atë ditë ndjeu dhimbjen më të
rëndë, sepse kur provoi që të ngrihej, edhe këmba e vetme nuk iu bind më. E
merrte ftesën, e vërtiste nëpër duar dhe lotët nuk i mbajti dot. Mori
stilografin dhe la këtë shënim mbi ftesë: “Jo,nuk vete dot në këtë mbrëmjë. Ah!
Jam sëmurë në spital prej katër ditëve!” Pastaj,në faqen bosh të ftesës ka
shkruar këto vargje:

                                                              
     Sëmundje, o e mallkuar,

                                                                   
Ti nga shokët do t’më ndaç.

                                                                   
Jo ,me shpirt s’ke për t’më ndarë,

                                                                   Trupin
përgjysëm t’ma ndaç.

           Zylyftar Veleshnja ishte një pikë e
rëndësihme referimi për saktësimin e ngjarjeve dhe  figurave të luftës në rrethin e Skraparit dhe
më tutje. Sa herë që kishin paqartësi për të bërë vlerësime i drejtoheshin
atij. Një ditë i vete një letër nga Skrapari për të saktësur figurën e
patriotit Rustem  Çepani dhe ai i
pergjigjet: “Për çështjen e Rustem Çepanit,që më shkruan, unë deri më sot nuk
di ndonjë gjë negative. Përsa i përket qëndrimit të tij patriotik e sidomos
gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Si anë positive unë di këto:

        
1.Në pranverën e vitit 1942, prefekti i Beratit, Hasan Alizoti, bëri një
mbledhje të të ashtuquajturve  pari e
Skraparit në Prishtë për çështjen e kriminalitetit. Neve me Reshat Gërmënjin përgatitëm
Rustemin si plak dhe me influencë të fliste në emrin tonë e të thoshte, se
kriminaliteti në Skrapar, për kohëra të gjata, nuk ekzistonte, por qëkur erdhën
italianët në Shqipëri po zhvillohet. Kush i nxiti, t’i gjeni juve, zotni
prefekt. Rustemi pranoi dhe kështu foli. Kështu që ajo që priste prefekti i
doli ndryshe. Dhe ai u detyrua të mbyllte mbledhjen, mbasi mori formë debatesh
dhe që po mallkoheshin nxitësit, që në realitet ishte fashizmi.

      
 2.Rustem Çepanin, Qazim Zabërzanin,
Halil Kajcën dhe Syti Vëndreshën, neve i udhëzuam dhe i idërguam tek Baba
Kamberi në Prishtë, që ta këshillonin e, nëse nuk  do të bindej të qëndronte asnjëanës, ta kërcënonin,
se Kamber Pagria mjaft e kishte atë turp që bëri në lëvizjen e Riza Cerovës në
vitin 1935, që ngriti Dëshnicën kundër Skraparit dhe u dekorua nga Zogu, si vegël
e tij, po tash prapë kërkon dekorata nga fashizmi. Këtë ia thanë këta pleq
trima dhe u ndanë si armiq me Baba Kamberin, megjithëse ishin mëhypër të asaj
teqeje.

         
3.Shokë të Parisë në Skrapar! Këto qëndrime burrërore dhe me kontributin
që jepte gjatë luftës, Rustemi u propozua dhe u zgjodh kryetar i Këshillit
Krahinor të Çepanit, i cili e mbajti derisa u vra me armë në dorë duke luftuar
në Taroninë.

         
4.Përsa më shkruani, që u thënka se ka bërë kompromis me Xhelal
Staraveckën, unë i kam dëgjuar në atë kohë. Kur tradhëtoi Xhelali shkoi në
befasi në Çepan me ballistët dhe vrau partizanin italian, Bokon, doktor, që
kishte vajtur të shpëtonte një grua nga vdekja. Rustemi dëgjoi dhe shkoi tek
Xhelali dhe e shau, se kjo vrasje ishte makabre. Këto di unë për Rustem
Çepanin, nëse ndonjë tjetër ka argument të kundërta, juve vepron sipas
dekumentacionit dhe jo sipas thënieve të njërit dhe tjetrit. Përshëndetje,
familjerisht.juaji, Zylyftari. Vlorë, më 27.10.1976” 

            Heroi i Popullit, edhe pse ishte mbërthyer
në shtrat, nuk e ndërpreu komunikimin me shokët e miqtë. Që andej nga shtrati u
dërgonte dhe merrte letra, me të cilat informohej për gjithëçka. Por me anën e
tyre guduliste ndonjërin, që sikur ishte mënjanuar nga shoqëria me të. Ai i
drejtonte këtë letër mikut të tij Hyda Hoxha nga Cerova e Skraparit, që banonte
në Korçë: “Po bën një kohë e gjatë, që nuk jemi parë dhe as kemi këmbyer letra
me shoqi shoqin. Unë kurrë nuk kam harruar dhe as nuk do të harroj shokët e
luftës dhe të vuajtjeve të përbashkëta sa të jem gjallë. Nuk ua kam ditur adresën,
por këtë tash, vonë, ia mora Faikut. Kështu besoj se dhe juve nuk e kini
harruar, se s’ka si të harrohen shokët e vjetër. Po mua më del një pyetje. Pse
një largim kaq i madh dhe një ftohje? Të them të drejtën mendoj nga donjëherë
mos vallë ndonjë këshillë si shoku shokut, është marrë për ters apo ndonjë
njeri që s’na do shëndetin të ketë bërë ndonjë të pabërë? Deri më sot nuk e kam
zgjidhur këtë enigmë, që përveç se kur keni shkuar s’jeni kthyer, por asnjë letër
s’na keni dërguar. Nëse do të mendoni, se kjo është reciproke, ju e dini se unë
për disa vjet me radhë vuaj në shtrat të lëngimit dhe vetëm beharit çoku lëviz
nga pak. Kurse ti je akoma i shëndoshë dhe mund të bëje një ndalesë këndej
nga  buka e vjetër e të shikoheshim se na
merr malli. Hasani më përpara sa herë shkonte këndej nuk rrinte pa u kthyer tek
unë dhe më gëzonte shumë. Por edhe ai, tash disa vite, nuk jemi parë më. Adresën
nuk ia di.

               I dashur Hydai! Neve gëzohemi që
të jeni mirë nga çdo  pikpamje, pa kjo
pak rëndësi ka. Nëse s’jemi parë do  të
shihemi së shpejti. Sot, kur mora penën të shkruaj, m’u kujtua Fetiu i vogël, që
do të vriste atë botin që do të blinte dhinë. Fetiu me pushkë do të mbronte
dhinë e tij, që i jepte një filxhan qumësht, po ai Feti, tash mbron  aty në kufi, jo më dhinë e tij të vetme, por
gjithë popullin dhe pasurinë e tij. Dhe ne na bëhet zemra mal kur na thonë, se
Fetiu është bërë kufitar i mirë syshqiponjë. Na vjen mirë se fëmijët e fëmijëve
tanë nuk do të luftojnë për të mbrojtur atë pronë të vockël meskine, po do të
luftojnë për të mbrojtur deri me gjak 
pronën e përbashkët, kufijtë e Atdheut,popullin që të mos përsëritet më
një 7-prill tjetër. Xhemiles i bëj shumë të fala dhe i thuaj të mos na mallkojë
më. Fetiut të fala bashkë  me shokët e
tij. Ju përqafoj vëllazërisht. I juaji përjetë. Zylyftari. Berat, më 3 maj
1970.”