Enver CAKAJ/ Çfarë po ndodh në Çorovodë

712
Sigal

 Çorovoda, që dikur heshtte nën zhurmën e bezdisshme të lumit Osum, ka nisur të flasë me gjuhën e zërin e saj. Kush ia shoi zërin këtij qyteti dhe kush po ja ringjall? Një farë e ashtuquajtur demokracie u la dorë të lirë vandalëve të qytetit, që të parën dogjën bibliotekën dhe kinemanë e qytetit. Ç’të keqe u kishin bërë këto institucione kulturore, veç se argëtoheshin? Për një kohë Çorovoda nuk u ndje si qytet. Kishte një braktisje totale nga vendasit e nga pushteti, që kishte detyrë të kujtohej se ata që banonin atje ishin njerëz me një vandak hallesh. Por  ai ishte pushtet interesash. Po të mos i jepje votën, të linte bashkë me hallin. Përse duhet të rrinin të gjunjëzuar këta njerëz, që nuk janë kursyer kurrë për pushtetin e tyre? Dikur lumi pati dëgjuar tingujt e këngës së banorëve, pastaj u ndërruan rolet, banorët dëgjonin këngën e lumit. Ç’ishte ky farë pushteti, që nuk donte banorët e vetë? Vetëm ai nuk ishte pushtet, por një anarshi, që e bëri vendin shesh e li. Gatoi ai që s’kishte miell e mbolli ai që s’kishte as tokë, as arë. Të shkretët njerëz votonin për djemtë e tyre, por dhe ata i kishte futur në zllok pushteti.

                 Populli duron,por jo pafundësisht. Dhe një ditë ai mundi të gjente pushtetin e tij. Nuk e kërkoi, por e mori me votën e tij të ndershme. Djemtë e zgjedhur i hoqën prangat e atij pushteti dhe u bënë njësh me hallet e këtij populli. Çorovoda nisi të lëvizë. Ngadalë, por lëvizte. Flitet se kjo trevë do të shpallet zonë turistike. Por këto të thëna nuk janë si sapuni mbi gunë. Në Skrapar erdhi vetë Kryeministri Rama, ambasadori amerikan, Arvizu, dhe Kryeparlamentari Meta. Kjo nuk është pak. Ata nuk erdhën për të fshirë këmbët, po për të qarë hallet tok me banorët  e varfër. Kishte ardhur dhe një farë Kryeministri më parë, por vetëm për të kërkuar vota duke lehur. Por banorët e Çorovodës ditën të zgjedhin për kryebashkiak, që meriton të rizgjidhet. Që të shpallet kjo zonë turistike, lipset të ketë dhe një qytet turistik. Nuk mjaftojnë vetëm bukuritë e kanioneve. Kryebashkiaku Nesim Spahiu, ka një vizion  të çuditshëm  si të mos ketë ardhur nga fshati Nishicë, por nga Parisi. Nuk mund të quhet një qytet turistik, kur muret mbrojtëse i ka si mure arash. Ky Nesim, që nuk e di ku e ka shtëpinë e tij, i ka hyrë punës me themel. Po e qëndis qytetin ashtu siç e meriton ky popull. Njerëzit e duan të bukurën. Muret e qytetit, që ishin bërë natyrë e përditshme dhe nuk u bënin përshtypje njerëzve, i vrisnin sytë Nesim Spahiut. Por këndej nga anët tona qarkullon një thënie e bukur: “Me inat e pa takat” . Ai kishte dëshirë, kishte dhe inat, por nuk kishte asnjë kacidhe për ta përmbysur këtë pamje të shëmtuar. Mos kujtoni se priti t’i jepte ai pushtet, që nuk ishte i tillë. Iu fut një zanati, që skraparasit nuk e kanë pranuar kurrë. Përdori metodën e lypjes. Por kjo nuk ishte një lypje për të mbajtur shpirtin gjallë me bukë. Ai lypi me dinjitet  bazë materiale për të stolisur qytetin. Dhe kjo lloj lypje nuk është turp.

                 Qyteti po flet me një zë tjetër. Në Çorovodë ka ndodhur një çudi. Ai qytet që regjistronte rreth 600 të papunë, sot shikon nëpër muret e qytetit një lajmërim, ku fabrika e këpucëve kërkon punëtorë! Kjo ndodhi pas ardhjes së udhëheqësve të shtetit në Skrapar. Vetëm kaq duhej edhe atëherë, por të “pabindurit” e atij pushteti anarshist, duhej ta dinin, se po s’u binde,të pret vdekja . Skraparasit nuk vdesin kurrë se janë mësuar me varfërinë,që e kanë patur pronë të vetme. Lumi ka ujë, por nuk ndjehet, e ka  harruar këngën monotone. Çorovoda është mbushur me pemë dekorative. Përse nuk mbilleshin më përpara, s’kishte pemë, apo s’kishte mend? Qyteti rrethohet nga dy lumenj dhe pemët nuk  kërcënoheshin nga thatësira. Këto ditë, që edhe pse nuk është ndjerë shumë nevoja për ujitje, një automjet me tri fuçi ujë vazhdon të ujisë pemët e vëna rishtazi. Ato janë nën mbikëqyrjen e Nesim Spahiut, që e ka zëvendësuar ndonjë nga ato që nuk arriti të zihej. Atje tutje, në anën jugore të qytetit, ku Guhaku del nga toka, degës së Osumit i kanë vënë pritë dhe po e kthejnë në rrymë elektrike. Në këtë zonë është në përfundim unaza e qytetit, që do të devijojë makinat e rënda nga qendra duke mënjanuar ndotjen e ajrit. Këtyre njerëzve lugëkëputur, që e kanë matur miellin me filxhan,do t’u shkonin vargjet e poetit lab Ali Asllani:

                                                                                 Lab,mor tunjatjeta,

                                                                                 Ky nuk ka nevojë.

                                                                                 Se punon për nam,

                                                                                 E nuk punon për gojë.

               Nesim Spahiu ka marrë përsipër ta bëjë qytetin e Çorovodës qytet turistik. Le t’i kthejë bota sytë edhe nga ky qytet i varfër, që tani ka nisur të flasë me një zë tjetër. Ishte ngjarje e jashtëzakonshme kur shkelte një turist në këto vise dikur. Ndryshimi i pamjes së qytetit e ka mbushur këtë zonë me gjithfarë turistë të huaj. Kinezë, hungarezë, amerikanë, gjermanë, grekë, italianë, janë bërë pjesë e këtyre banorëve. Sidoqoftë Nesim Spahiu nuk duhet lënë vetëm. Është e vërtetë që disa ministra kanë ardhur e çuçurijnë me Nesimin, por kur të vijnë le ta heqin këmbën zvarrë, që edhe ky qytet, që nesër do t’a lakmojnë të gjithë, le të jetë pjesë e të gjithë ministrave. Skraparasit i kishte marrë malli për një ministër tërë ato vite, që ishte braktisur. Shpresojmë që këta të mos ecin në gjurmët pa gjurmë të ish- homologëve të tyre. Çorovodasit tani të flasin me një krenari tjetër, sepse mikpritja bëhet e plotë, kur miku shkel në një terren të kulturuar.