Entela KASI/ Kjo që po i ndodh Kadaresë është e turpshme, e frikshme dhe amorale!

315

Ndonjëherë të krijohet përshtypja se je në një vend ku edhe vet koha ka ndaluar, sikur njerëzit të ishin krejtësisht të huaj për njëri – tjetrin dhe me një peng moskuptimi në vetvete. Vitin e kaluar, Sebastiano Grasso, gazetar i Kulturës në “Corriere de la Sera”, poet dhe President i PEN në Itali, duke ecur në bllokun e famshëm më tha: “Ju besoni se Enver Hoxha ka vdekur”? Kjo pyetje e thjeshtë, dhe në dukje me një humor të zi, ishte e njëjtë me kumtin e përcaktimit të tij, se në mjedisin shqiptar nuk endet thjesht hija e diktaturës, por  njerëzit e saj kanë eklipsuar jetën dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare në politikë, ekonomi dhe kulturë. Dhe ky eklips ndjehet në të dy “Shqipëritë tona”, këndej dhe andej Drinit. Ju me të drejtë pyesni për ngjarjet e fundit në shtypin shqiptar në lidhje me shkrimtarin Ismail Kadare. Unë i lexoj ato letra si shkrimtare, dhe më duken letra të ftohta, që më sjellin sfondin absurd të një shteti kriminal të dhunshëm, kundrejt së cilit duhej të kishe një inteligjencë mbi normalen për ta përballuar. Në kohën e sotme ende pas 20 vitesh nuk është e rastësishme  që në shtypin shqiptar kanë zbarkuar kërcënimet e hapura me “letrat e famshme” me  të cilat Nexhmije Hoxhë, gruaja më rëndësishme e pushtetit diktatorial sulmon shkrimtarin në kohën e lirisë. Kjo jo vetëm që ka mbajtur në mënyrë arbitrare dorëshkrimin e Ismail Kadaresë,  por sot me këto dokumente, në dukje “të fshehta” po bën xhiron e botës duke i servirur publikut të njëjtën mënyrë dhe formë presioni dhe represioni ndaj shkrimtarëve, dhe konkretisht ndaj Kadaresë. Kjo “grua” nuk dëshiron të kuptojë që ora e saj ka mbaruar, koha e saj i takon historisë më të vështirë të shqiptarëve të masakruar me një doktrinë të programuar në zyrat më të larta të shtetit komunist. Nuk besoj të gjendet vend tjetër në botë që të ketë krijuar kaq shumë  probleme për shkrimtarët e gjuhës së vet sa Shqipëria e diktaturës komuniste. Sa herë vjen vjeshta dhe diskutohet Nobeli, këndej atdheut tonë fabrikohen dhe hapen gjithfarë letrash spekuluese si kërcënim për prestigjin e këtij autori me famë ndërkombëtare, të cilin Europa e çmon si një prej intelektualëve më të rëndësishëm të shekullit. Sa herë ka takime ndërkombëtare shkrimtarësh në të gjithë cepat e globit, autorë mjaft të rëndësishëm të letërsisë botërore, shprehin habinë se me çfarë lehtësie gruaja më e fuqishme e regjimit të diktaturës gjen terrenin dhe ka luksin  të kontrollojë dhe deformojë ende të vërtetën  e këtij kolosi të letrave shqipe. Ajo që më shqetëson mua në fakt nuk është thjesht ky revansh i regjimit kriminal ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, por mungesa e solidaritetit intelektual, apo përgjumja intelektuale në të cilën kanë rënë si në kllapi autorë dhe intelektualë shqiptarë të cilët kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin sa herë ‘e veja e diktatorit’ zgjohet me tufa letrash në duar në mes të ditës apo natës. Kjo mungesë reagimi kam frikë se nuk lidhet me luksin e pozicionit të spektatorit kur diçka ndodh në skenë, as me xhelozinë njerëzore të krijuesve, por me rrezikun që këta njerëz ndjejnë për shkak të së kaluarës dhe marrëdhënieve direkte apo indirekte me sistemin në diktaturë, pasi këta jetojnë nën trysninë e hijeve dhe veprave të së kaluarës. Nëse do të ndalonim në kohë për të sjellë në vëmendje romanin “Përballë pasqyrës së një gruaje”, sot në të kundërt, “një grua- mostër” ka luksin në këtë mjedis të servirë letra duke fyer inteligjencën e shqiptarëve si popull, si komb dhe si shoqëri, pasi kjo kujton se ne si njerëz ende jetojmë në erën e saj ideologjike, ndërkohë që ky është shekulli i kapërcimeve të mëdha, dhe koha e saj është tashmë një orë e lexuar ndryshe, ora më e zezë në historinë e kombit shqiptar i cili u masakrua dhe mbi të u ushtrua një gjenocide i programuar, Brenda dhe jashtë kufijve, dhe në të gjithë këtë, nomenklatura e lartë komuniste dhe pikërisht kjo ‘grua’ ka përgjegjësinë e saj direkte. Është e vështirë që kjo ta pranojë këtë të vërtetë pasi si askund në botë këta njerëz nuk u përballën me gjyqin real për krime të kryera kundër njerëzimit dhe qytetarëve të Shqipërisë. Këto “Letra të Kadaresë”, të cilat e veja e diktatorit i servir sikur të ishin akte kriminale të shkrimtarit, për mendimin tim, në të lexuarin tim janë lëndë e burim për një vepër të re letrare ku humori i zi kafkian të  bën të kuptosh absurdin eksitencial në të cilin ka mundur të jetojë dhe shpëtojë ky shkrimtar i jashtëzakonshëm i letërsisë botërore. Këto letra sot kanë pushtuar shtypin, ndërsa ishte pikërisht ky shtyp dhe kjo media e jona që duhej të ishte më tepër e vëmendshme ndaj veprës letrare “Letërkëmbim i zymtë” të Kadaresë me personalitete të botës për çështjen shqiptare. Ajo që kuptoj unë është sinkronia me të cilën ndërtohen kurthe dhe intriga kundër Ismail Kadaresë. Kjo që ndodh është e turpshme, e frikshme dhe amorale!

*Presidente e Qendrës PEN në Shqipëri