Enrieta SINA/ Dualizmi i përgjegjësisë etike dhe mangësitë

646
Sigal

Motivimet për të vënë në shërbim të zhvillimit shoqëror, në të gjitha fushat dhe dimensionet  potencialin  intelektual  tek shoqëria jonë në stadin e tanishëm janë të shumta. Dualizmi i përgjegjësisë etike është një problem i mprehtë që kërkon shumë vëmendje nga secili, kryesisht nga politikanët  tanë, ata që tregojnë dhe analizojnë në takime dhe biseda  atë që ka ndodhur dhe çfarë mendojnë të pritet në të ardhmen. Besimi në fjalët e tyre varet nga konkretizimet e premtimeve dhe veprimet e kryera në kohë, mënyra se si përcillen ato tek të tjerët, ata që ia kanë dhënë këtë besim në periudhën e fushatës apo dhe në ballafaqime  për probleme specifike.

Problemet e theksuara sociale si ato të drogës, prostitucionit, klanizmat, korrupsionit, etj., qysh në vitet e para  të përmbysjes së regjimit komunist kërkonin  shumë angazhim moral. Por, kanë kaluar mbi njëzet  vite dhe a mund të flasim sot për zgjidhje të ndershme të problemeve kur njerëzit zvarriten dyerve të gjykatave, kur nuk mund të marrësh asnjë dokument pa ngrohur “xhepat” e aparaçikëve, të infermierëve, mjekëve? Janë dhjetëra raste kur firma të ndërtimit, mbasi kanë lidhur kontratë porosie me qytetarët janë kthyer në firma fantazma , ku presidentët e tyre largohen në drejtim të paditur, ndërsa kanë bërë shitje dy-tre herë të një apartamenti? Si mund të livadhiset  me gjakun e popullit?Ku është shteti ligjor, ku është roli i  sektorit të krimit ekonomik, gjykatave? Ç’bën shteti ndaj këtyre personave të papërgjegjshëm? Plagët shoqërore  janë të prekshme, reale brenda jetës individuale, familjes dhe shoqërisë dhe nëse nuk  ndihet roli i shtetit ligjor do të ketë pengesa të tjera dhe krimi do të jetë evident.
Dualizmi i përgjegjësisë etike, që do të thotë një moral i pastër dhe i qëndrueshëm ndaj vetes dhe reflektim i tillë tek të tjerët,(parafytyro një moment fjalorin  e përdorur nga politikanët tanë në  sallën e Parlamentit), do të ishte ai që do të vërtetonte punën e detajuar dhe kontrolluar. Po kalojmë ende situata të vështira psikologjike që tronditin  shumë familjen shqiptare.. Dhimbja  për humbjet jo të pakta psikologjike dhe ekonomike, zhgënjimi ka qenë i madh.. Përgjegjësia e dualimit etik, për  pranimin e vendit tonë në BE mendoj se është një domosdoshmëri, rregullator për një harmonizim ekonomik dhe psikologjik, kulturor dhe etik. Është koha kur duhet të vëmë më dukshëm përballë  të ndershmen dhe të pandershmen,mashtruesin dhe të mashtruarin.
Klasat e përmbysura nga regjimi komunist, mijëra intelektualë të  diskriminuar dhe  të burgosur  apo internuar shpërthyen dyert e “ferrit” dhe pas kësaj “hijet” e mureve ndarës së shoqërisë  diktatoriale mbetën në psikologjinë e shumë njerëzve si “fotografime” të jetës së tyre të mëparshme, të diktuar dhe imponuar sipas një politike të caktuar që përfaqëson dhunë dhe imponim duke  e lenë mendimin intelektual dhe qytetar “të burgosur”. Rënia e diktaturës komuniste dhe përpjekjet  për të sjellë në jetë një tjetër bazë morale dhe etike, një tjetër klimë kulturore, sociale, ekonomike dhe politike, kërkoi një përpjekje frontale dhe të organizuar. Ishte dhe mbetet kërkesë e kohës dualizmi i përgjegjësisë etike që ndikon në ndryshimin e mentalitetit , subjektit dhe objektivave për një jetë ndryshe. Pranimi i Shqipërisë si kandidate në BE është një tjetër “arsye” për të qenë ky problem më imediat dhe reagues.
Krahas strukturave  dhe metodave të reja të qeverisjes, ndryshime në drejtim dhe organizim, zhvillimi i ekonomisë së tregut  në ditët e sotme  mbetet për trajtim dhe realizim pikërisht ky problem. Tërheqja pas interesit vetjak, marrja në punë, madje, në poste drejtuese e personave militantë të njërës apo tjetrës parti ka anashkaluar profesionalizmin, të aftin, krijuesin, progresistin duke e lënë atë në harresë. Kjo ka ndodhur deri në institucionet qeveritare, gjë që  ka bërë të shikohet etika si një “garderobë” që dikton, por që s’bën asgjë më shumë.
Në shumë raste individët që përfaqësonin militantin demokrat, që nxitën luftën kundër komunizmit ndryshuan kryesisht metodën e punës së tyre qo do të shërbente zhvillimeve demokratike në qendër dhe bazë, duke evidentuar dhe kultivuar në mënyrë të ndërgjegjësuar , “unin” dhe duke  qenë deri diku të papërgjegjshëm për dualizmin e përgjegjësisë etike,që do të shërbente  si një urë lidhëse mendimi dhe veprimi, përgjegjësie dhe progresi në shumë hapa të reja, të një sferë të gjerë, mbarëkombëtare zhvillimi.
Realisht në shumë raste shikojmë se të parët që punojnë me përgjegjësi morale, që tregojnë vlerat e  interpretimit dhe konsolidimit të mendimit të lirë, të luftës kundër “unit”  janë  intelektualët e mirëfilltë, patriotë dhe  obsionistë.

 Kalimi i ekonomisë nga një ekonomi e centralizuar në ekonomi tregu sigurisht po ecte në një farë mënyre paralel me ndryshimet e jetës politike, sociale, psikologjike, kulturore.
Dualizmi i përgjegjësisë etike, që do të thotë një moral i pastër dhe i qëndrueshëm ndaj vetes dhe reflektim i tillë tek të tjerët, do të ishte ai që do të vërtetonte punën e detajuar dhe kontrolluar. Po kalojmë ende situata të vështira psikologjike që tronditin  shumë familjen shqiptare… Dhimbja  për humbjet jo të pakta psikologjike dhe ekonomike, zhgënjimi ka qenë i madh… Përgjegjësia e dualimit etik, për  pranimin e vendit tonë në BE mendoj se është një domosdoshmëri, rregullator për një harmonizim ekonomik dhe psikologjik, kulturor dhe etik. Është koha kur duhet të vëmë më dukshëm përballë  të ndershmen dhe të pandershmen,mashtruesin dhe të mashtruarin.
Po, në këta njëzet e katër vite jetë demokratike në Shqipëri a mund të themi se dualizmi i  përgjegjësisë etike  ka qenë në pozicion të shëndoshë për të luftuar korrupsionin që  ndihet në shumë fusha të jetës shtetërore dhe shoqërore? Nëse i referohemi fakteve sociale, që në Shqipëri në këta vite janë  plagë të shoqërisë, nëse ndjekim jo thjesht opinionin e krijuar për klanizmin dhe shoqërinë e sëmurë, nëse ndjekim shifrat e krimit të organizuar apo jo, problemet e drogës, prostitucionit, varfërisë, mosbarazisë gjinore, etj., të krijohet bindja se nga vet përfaqësues “të besuar” e të zgjedhur nga vet populli, ky dualizëm i përgjegjësisë etike është në shumë raste i zbehur gjë që duket  si drita e diellit tek  persona me pushtet që janë të korruptuar dhe që përpiqen për të përfituar padrejtësisht, duke spekuluar pikërisht mbi besimin e dhënë.

 Por nëse ballafaqohemi me fakte e  krizave ekonomike, me grevat e urisë, të ish pronarëve, të qytetarëve të diskriminuar,mendoj se ka shumë mangësi të dukshme në dualizmi i përgjegjësisë etike nga shumë pushtetarë, deputetë apo dhe  sipërmarrës. Të përballesh me këtë dualizëm do të thotë: të jesh i moralshëm, me norma të konsoliduara  sinqeriteti, ndershmërie, qytetarie ,vetëdijen, me vetveten dhe në këtë shkallë të analizosh dhe trajtosh deri në  masën e zgjidhjes dhe  personin përballë, dhe  mangësi që sjellin regres. Nuk do të kishte asnjë lloj zhvillimi shoqëror, sado mbështetje mbarëkombëtare të  ketë, edhe  shoqata të  reja të krijohen pa patur në boshte të punës së tyre këtë dualizëm. Përvoja pozitive e përgjegjësisë etike p.sh, tek ne ekziston më dukshëm në veprimtarinë dhe rolin e shoqatave ku ajo stimulon dhe motivon shumë qytetarë dhe mendim progresist e pozitiv.
Dualizmi i përgjegjësisë etike mendoj se ka bërë që programet, projektet dhe zbatimet e tyre të bëhen me zë  në disa shoqata joqeveritare duke parë  virtyte dhe norma te reja progresiste.  Ky  lloj qëndrimi i dualizmit nga  të tjerë përse të mos  duket , të   ndihet dhe aplikohet praktikisht ?!

 Të gjitha këto probleme të skajshme dhe të kohës nuk mund të shikohen larg  parimeve të jetës politike, dualizmit të përgjegjësisë etike të saj. Parimi i jetës politike qëndron në pushtetin sovran  dhe fuqia   legjislative është zemra e shtetit,fuqia ekzekutive është truri i tij. Nuk janë rastësi  faktet korruptive të mitmarrjeve në  “blerjen ” e një vendi pune në dikastere të ndryshme. Është e dhimbshme dhe  në kundërshtim me këtë dualizëm pozicioni që mbahet nga mjekët nëpër spitale në Tiranë por dhe në rrethe, ku  pacientët që nuk japin ryshfet nuk mund të trajtohen. Janë të prekshme dhe plagë të shoqërisë dhe pozicionet abuzive të  sistemit gjyqësor, ku i pafajshmi quhet i fajshëm dhe krimineli mbetet i lirë. Këto janë ngjarje të përditshme që tregojnë se pa  i dhënë rëndësi dualizmit të përgjegjësisë etike, pa e “trupëzuar” atë në shoqëri, probleme të tilla do të mbeten ende dhe për shumë kohë si plagë të shoqërisë që kërkon zhvillim.. Natyrshëm tek qytetarët ndihet e evidentuar nëpërmjet fakteve të dukshme mangësia e të zgjedhurve, apo dhe  sipërmarrësve në përmbushjen e dualizmin etik. Por, a do të shiheshin  dhe dalloheshin këto shqetësime bashkëkohore, pa parë të evidentuara deri tek individi arritjet pa analizuar më parë papërgjegjësitë e etikës morale, pa dualizmin e saj në Shqipëri nëse pikë së pari nuk rregullohet dhe trajtohet jeta e pastër politike? Mendoj se jo. Dimë që të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për t’u mbrojtur prej tij. Po pas problemeve të tilla a qëndron kjo e tillë në  zhvillimet në Shqipëri?  Sindikatat e Pavarura në Shqipëri jo rrallë kanë dalë në mbrojtje të të drejtave të minatorëve  (në Bulqizë),(raste të  humbjes së jetës së tyre nga aksidentet nuk janë të paktë) por jo gjithçka është ndjekur me përparësi, me përgjegjësinë e duhur sociale dhe ligjore. Janë organizuan disa  ballafaqime deri sa me vështirësi po gjendet emëruesi i përbashkët i një ekuilibri social. Dhe po ta analizosh këtë situatë e gjithë kjo ka të bëjë me rrugën korruptive dhe papërgjegjësitë e dualizmit etik si nga sipërmarrësit, por dhe specialistët. Praktika vazhdon të tregojë se  s’janë të pakta rastet ku qeverisjet vendore siç janë qarqet, bashkitë dhe komunat  bien preh e rutinës dhe korrupsionet, duke i anashkaluar problemet e dhimbshme që janë evidente dhe sot.  Vendosja e shtetit ligjor tregoi në Zalarat se gjithçka arrihet kur punohet, kur gjen forcën për t’i thënë “ndal!” të keqes. Por, a s’kishte mundësi të realizohej më parë? Sigurisht që po. Atëherë? Është një pyetje që drejtësisht bëhet sot nga shumë qytetarë. Nëse do të  diskutohej në mënyrë të detajuar duke u përballur me ligjin , faktet dhe realitetin  në  ekonominë shtetërore dhe atë private, në arsim e kulturë , shëndetësi, investime, projekte etj., dualizmi i përgjegjësisë etike si nga organizatat joqeveritare ashtu dhe nga vet politikanët, do të kishte më shumë arritje, më pak korrupsion dhe  më shumë  harmoni në shoqërinë shqiptare, ku njerëzit e thjeshtë e shikojnë dhe mbeten në kërkim të konsolidimit dhe dukjes pozitive të dualimit të përgjegjësisë etike si bosht kryesor në tërësinë e rritjes së pozitivitetit dhe luftës kundër korrupsionit.