Enida Bozheku/ Lotët e Shpirtit!

664
Oh, si nuk kam një grusht t’fuqishëm t’i bi m’u n’zemër malit që s’bzan! Këto do të ishin fjalët dhe revolta që çdo kush prej nesh mund të ketë menduar, mbas shikimit të videos shokuse, ku vihet re se si tre edukatore – mësuese të jetimores së Shkodrës, dhunojnë pa pikë mëshire dhe dhëmbshurie njerëzore, të miturit që jetojnë aty. Në video dëgjohet rrenqethshëm zëri që dridhet i jetimit, i cili me forcën e shpirtit përgjërohet lutet, që ajo, që ka për detyrë ta mbrojë dhe edukojë, të çohet prej prëhërit të tij të brishtë, e jo t’i rri sipër si dosë. Jetimët, ata, të cilët nuk kanë fat, ata, të cilët janë të harruarit e jetës, ata që janë të harruarit e shoqërisë, ata që janë vetëm dhe pa mbrojtje, ata që janë të Shenjtë. Dhe pra, indinjata që në këto orë ka prekur te gjithë shqiptarët, është një reagim normal, është një zgjim i istiktit mbrojtës, është një patolerueshmëri e akteve barbare, sidomos, kur ato kryhen ndaj qënieve më ëngjëllore, fëmijëve.
Dhunimi i të miturve nuk është një ngjarje sporadike, por shpeshherë një plagë e vërtetë shoqërore. Në të vërtetë, Shqipëria e gjeneratës tjetër post komuniste dhe ende në tranzicion, po përballet përherë e më shumë me fenomene sa shqetësuese, aq edhe paradoksale, të shfryrjes së dufit, frustrimit dhe paaftësisë relacionale mbi të miturit, qofshin këto jetim apo me nënë e babë. Rasti i dhunës ndaj të miturëve në Shkodër është vetëm një prej shumë ngjarjeve të kobshme, që kanë prekur shoqërinë tonë. Këtu mjafton të përmëndim, rastin e mësuesit pedofil në Lushnjë, apo atë të Kryetarit të Shoqatës së “Fëmijëve Jetim”, i cili ishte një dhunues sistematik dhe i paskrupull, fëmijësh jetim, për të kuptuar që viktimat janë po ata të pafajshmit, të pa mbrojturit të emargjinuarit socialë. 
Ngjarje të tilla të dhimbshme, të cilat po përhapen me shpejtësinë e erës, duhet të na bëjnë të ndalemi e reflektojmë mbi rolin e shoqërisë sonë dhe secilit prej nesh, mbi sesi ne, me veprimet, apo mos veprimet tona, lejojmë që këto ndodhi të frikshme të ndodhin e sesi, po ne, indirekt bëhemi pjesëmarrës në dhunimin e të ardhmes, dhunimin e jetës, dhunimin e fëmijëve të pafajshëm. Roli që jo vetëm ne, si qytatarë, por të gjithë institucionet duhet të bëjnë është ai i një vigjilence të lartë, një përkushtimi pa kompromis mbi edukimin e denjë të fëmijëve tanë, mbi formimin profesional, psikologjik dhe moral të mësuesve – edukatorëve tanë. Këtyre individëve, të cilët janë burimi i të ardhmes dhe formimit të një kombi. Rastet e lartpërmëndura, na lënë një shije të hidhur mbi se si mundet kush të vërë dorë mbi pafajsinë, mbi dlirsinë, si mund të dhunohet e përdhunohet e ardhmja, si mund të vritet jeta, por ja që kjo ndodh, ja që ne si shoqëri po kthehemi dalë nga dalë në krijues të së keqes, po edukojmë brezat me mitin e dhunës, me pa ndëshkueshmërin e saj. Sot, mësues – mostra, si në Shkodër, Lushnjë apo gjetkë, janë asgjë më shumë se pasojë e frustrimit të pa masë, mos realizimit personal, egërsisë së mungesës së kulturës, mos kontrollit istitucional dhe mospërfilljes së moralit shoqërorë. 
Mostrat egzistojnë “gogoli” egziston. Ai nuk është thjesht narrativë e prindërve për të urtësuar femijët aktiv, por qënka realiteti i hidhur. Gogoli qënka nëna e dytë, babai, qënka kush duhet të na mësojë se si të sillemi me miqtë, si të respektojmë tjetrin, si të dimë të themi mirëmëngjes apo mirëmbrëma, më fal dhe të lutem. Gogoli qënka besimi, ku ne i lëmë në duar fëmijët tanë, gogoli qënka nëna/babë – mësues i fëmijëve të jetimores, të cilët nënë e babë nuk kanë. Lotët e shpritit janë një mesazh për ne, si shoqëri, që duhet të zgjohemi, duhet të kërkojmë më shumë, duhet të fillojmë nga vetja, të jemi më pozitiv, të lartësojmë të mirën e të largojmë të keqen. Duhet që mos heshtim më, por të denoncojmë të flasim, të nxjerrim të keqen në mejdan, në mënyrë që ajo të mos përsëritet më. Uroj dhe shpresojë që nëse vërtet, ne do të fillojmë të bëjmë gjykatësit moral dhe edukatorët e së ardhmes plot shpresë, kulturë dhe edukatë edhe mostrat, si mësuesit e videos skandal, do të mbeten vetëm një e shkuar e hidhur. 
Sigal