Enida Bozheku/ Hero apo dështak!

699
Këto ditë të gjata gushti duket sikur makina e madhe shtetërore, pavarësisht pushimeve të merituara të kujtdo që ende e ka një punë, duket të jetë vënë në lëvizje dhe forca e saj të mos ndalet. Ky duket të jetë thjeshtë një iluzion i mirë, stisur nga organet propagandistike në shërbim të strukturave shtetërore. Në fakt, prej disa ditësh zëri pompoz i Kryeministrit duket të ketë marrë trajta imponuese dhe deri kërcënuese për një popull që çdo ditë e më shumë po humb shpresën, besimin se nesër do të bëhet më mirë dhe se e ardhmja do të buzëqesh. Mbas një debati të hapur të stilosur me stilin tashmë të njohur e të parapëlqyer nga Kryeministri, ai i pyetjeve-përgjigje me anë të rrjeteve sociale, vëmendja të ndalej tek arsyetimi që Z. Rama, jepte mbi atë se kush ishin shqiptarët që largoheshin dëshpërimisht nga atdheu i tyre. Në një përgjigje diametralisht të kundërt nga faktet reale, z. Rama do të shprehet se ata shqiptarë që largohen nuk janë vendasit që popullojnë Shqipërinë, por emigrantët shqiptarë ndër vite të vendosur në Greqi. Për mendimin e kujt shkruan, kjo përgjigje duket sa banale aq edhe tendencioze dhe shpërfillëse të një problemi gangrenë. Në një analizë të pastër logjike mund të thuhet se shqiptarët që jetojne e punojnë në Greqi, janë në shumicën e rasteve të pajisur me dokumenta – leje qëndrimi afatgjate greke dhe si pasojë të afta për t’i lejuar atyre (emigrantëve shqiptarë në Greqi) lëvizjen dhe spositimin në cdo shtet të BE me qëllim punësimi. Nga kjo vjen natyrshëm të pohosh se, asnjë interes efektiv, real dhe hipotetikisht më përmirësues i jetës së shqiptarëve të Greqisë do të ishte i tillë sa të detyronte shqiptarët, që në vend të shfrytëzimit të dokumentave greke të paraqisnin kërkesën për azil politik në Gjermani. E thënë kjo, si një ndër pikat e ndryshme të përgjgjeve të z. Rama, me rëndësi duket të jetë dhe mënyra se si qeveria Rama po përballon një situatë #krize kombëtare#, ku tendenca është ajo e mohimit kategorik të një problemi therës, plagë sociale dhe mbi të gjitha tregues të një deluzioni dhe vuajtje, në demokraci, të pa precedent. Shqipëria, jo më shumë se një vit më parë do të festonte me pathos dhënien asaj nën udhëheqjen e z. Rama të statusit kandidat për BE, por BE ku është?! Shqipëria, sot, fal një qeverisje të keqe, jo profesionale, aspak serioze dhe shume të patinuar si një grua plak e fytyrë me silikon po nxjerr në pah, në këto dy vjet, kraterin e pafund që është krijuar nga mendjengushtësia e udhëheqësve të ndërruar në vite, por ende të mbijeuar në arenën politike. Kryeministri nën madhështin e figurës së tij, po tenton ti mbush mëndjen shqiptarëve që gjithçka po shkon mirë, që ai po punon, që ndërkohë, gjithnjë e më shumë, fuqitë e tij kontrolluese, manipuluese dhe censuruese po shtohen me shpejtësi të frikshme. Populli, po ndjen ardhjen e një fryme të re, po, flladin e një autokracie të veshur me petkun e demokracisë, aspak funksionale, por vetem delirante, që po troket në dyert e një vendi ende në tranzicion politik, social, ekonomik, ku simptomat e kancerit duken qartë ne çdo hallkë të organizimit shoqëror. Kërcënimi edhe pse në parim i drejtë për luftën kunëer evazionit fiskal duket të gjej konsensus në frymën e përgjthshme të kujtdo që kërkon shtet, por kjo nuk mund të realizohet me afate imperative, pa plane dhe programe edukuese, me rievokim të së kaluarës për të matur kutin e dështimit dhe me vetkënaqësin për të thënë, frazën magjike #ne do të bëjm#. Rilindja ishte shpresa se, ne, të gjithë, do të bënim Shqipërinë, se elitat intelektuale do të viheshin në Olimpin e drejtimit të vendit, për ta nxjerr atë nga fundi humnera e trekëndëshit të Bermudës ku ajo ndodhet, por jo, zhgënjimi erdhi shpejt. Mos përgjegjshmëria për të analizuar dy vjet dështime, dy vjet inercie në punë, dy vjet rrugëtimi pa timon e busull, dy vjet skandale e vrasje misterioze, dy vjet fajin e kanë ata paraardhistë e 23 viteve të shkuar, ka bërë që kjo qeveri të kontribuoj në humbjen e shpresës në vrasjen e ëndrrave. Deri më tani, makina e propagandës alla Orwell dhe viti 1984 na tegon se kemi një qeveri që flet për dështim në dogana e tatime, por fjalor nuk ka, kemi një qeveri që na bën pjesëmarrës në aktivitetet e saj kulturore, tërësisht të krijuara në imazh e ngjashmëri të vetvetes, por nuk na jep bukë, kemi një qevei që udhëhiqet për shfaqje e jo për punë. Falimentimi i Shqipërisë duket sikur po afrohet me ritme marramëndësë, borxh i saj po rritet me hapa shqetësues, largimi i investitorëve të huaj, si pasoj e mos garancisë së një vazhdimësie prodhimi dhe fitimi, tkurrja, tashmë e pandalshme e popullsisë, po bën që Shqipëria t’i afrohet shpejt e më shpejt, trasformimit në një shprehje gjeogrfike, pa popull, por thjeshtë tokë djerr. Deri ditën që z. Rama të zgjohet nga petku i pushtetit kryeministrorë dhe të kuptoj që sekreti për të #mbretëruar# gjatë nuk është fërkimi i krahëve të grupeve klienteliste, kompromisat e #pështira# politike, por rikthimi i besimit në popull, vlerësimi i mendjeve të intelektualëve, burra e gra idealist, jo sahanlëpirësa si ato me të cilët krenohet, mburret e shtyp me këmbë, Shqipëria do të vazhdoj të avulloj. Z. Rama, nëse ende nuk ka kuptuar që të mbetesh në histori ka dy mënyra, o si hero, o si dështak dhe nëse mendon që qameti le të bëhet mbas tij vec pushteti mos preket, le të kërkojmë të gjithë Azil Politik në Gjermani për t’i shpëtuar një të ardhmeje terr.
Sigal