Enian Lamçe/ Revolucioni i të Drejtave të Njeriut

344

Shpallja e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 dhe veçanërisht miratimi i dy pakteve, atij mbi të drejtat civile dhe politike dhe atij mbi të drejtat ekonomike, sociale e kulturore më 1966 shënoi në shndërrimin e të Drejtave të Njeriut në një pjesë të qenësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pavarësisht zhvillimeve pozitive, statusi, zbatueshmëria dhe respektimi i këtyre të drejtave shpeshherë varet nga vullneti i shteteve kombëtare. Sot shtetet janë ligjërisht të obliguar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, vetëm atëherë kur ata kanë aderuar dhe ratifikuar konventat ndërkombëtare në lidhje me to dhe me të drejtën ndërkombëtare. Për pasojë të drejtat e njeriut kanë një status ligjor, që ndryshon në varësi të vendeve, ku ato artikulohen. Kjo është edhe një nga arsyet se pse njerëzit janë më shumë të mbrojtur në disa shtete dhe më pak në disa të tjerë. Megjithë problematikën dhe pafuqinë në dukje të të drejtave të njeriut në lidhje me mbrojtjen, që ato duhet t’iu garantonin qytetarëve në mbarë globin, duhet thënë se zhvillimi dhe forcimi i tyre, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë i vazhdueshëm dhe i pandalshëm. Sot të drejtat e njeriut janë kthyer në një instrument matës,  mbi bazën e të cilave përcaktohet edhe kredibiliteti apo legjitimiteti i veprimeve e politikave të caktuara kombëtare e ndërkombëtare të ndërmarra nga aktorë të ndryshëm shtetëror dhe jo shtetëror.

Duke marrë shkas nga diskursi i viteve të fundit mbi të drejtat e njeriut dhe përpjekjeve për ti shndërruar ato në një pjesë përbërëse të së drejtës ndërkombëtare, mund të themi, se jemi duke jetuar dhe përjetuar pikërisht kalimin në gjeneratën e tretë të të drejtave të njeriut. Kjo gjeneratë shkon përtej sovranitetit të shteteve. Për të shpjeguar më qartë këtë zhvillim do i referohem avokatit francez me orgjinë çeke Karel Vasak, i cili duke u bazuar në moton e Revolucionit Francez  “liberté, égalité fraternité” ishte i pari që i ndau të drejtat e njeriut në tre gjenerata:

Gjenerata e parë e të drejtave të njeriut (liberté) trajtonte më së shumti lirinë dhe të drejtën e pjesëmarrjes në jetën politike. Në këtë fazë të zhvillimit të drejtat e njeriut kishin një karakter qytetar dhe politik. Ato synonin të mbronin individin nga ekseset e shtetit. Pjesë e kësaj gjenerate janë të ashtuquajturat “të drejta klasike”, si e drejta e votës dhe e mbledhjes, liria e shprehjes, besimit, e shtypit si edhe ndalimi i torturës. Për shumë vite ekzistonte ideja se këto ishin të vetmet të drejta, që formonin të drejtat e njeriut. Pionierët e kësaj gjenerate ishin SHBA nëpërmjet “Virginia Bill of Rights” (1776) dhe Franca me “Declaration Des Droits De L’Home Et Du Citoyen” (1789).

Të drejtat e gjeneratës së dytë (égalité) janë të lidhura me barazinë dhe filluan të artikuloheshin në shek. XIX-ë si një përgjigje e varfërisë së tejskajshme në vazhdën e revolucionit industrial. Ato kanë një natyrë sociale, ekonomike dhe kulturore. Në ndryshim nga gjenerata e parë që ka si objekt individin, gjenerata e dytë synon një mirëqenie të të gjithë shoqërisë. Për këtë arsye njihen ndryshe edhe si “të drejtat e grupit” apo “të drejta kolektive”. Tek të drejtat e gjeneratës së dytë bëjnë pjesë: E drejta për arsimim, punë, siguri sociale, ushqim si edhe e drejta për një standard jetese të dinjitetshme. Këto të drejta pasqyrohen në nenet 23-29 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut si edhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966).

Të drejtat e gjeneratës së tretë (fraternité) janë ato të drejta, të cilat shkojnë përtej të drejtave civile dhe sociale. Këto njihen ndryshe dhe me emrin “të drejtat e solidaritetit” (solidarity rights). Ky emër ju është vendosur pasi për zbatimin e këtyre të drejtave kërkohet bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar si edhe një aktivizim i përbashkët i shteteve. Në këtë gjeneratë bëjnë pjesë: E drejta për tu zhvilluar, e drejta për paqe, e drejta për një mjedis të pastër, e drejta për barazi ndërmjet gjeneratave si edhe e drejta për ndihmë humanitare. Këto të drejta karakterizohen nga një natyrë kolektive dhe kooperative. Për shkak të principit të sovranitetit shumë nga këto të drejta nuk mund të kthehen në pjesë të dokumenteve ndërkombëtare detyruese. Si pasojë e mungesës së forcës ligjore detyruese shumë prej tyre klasifikohen në kategorinë e “aspirational rights”. Të bazuarit e të drejtës ndërkombëtare mbi parimin klasik të sovranitetit, pra të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti, jo vetëm e bën të pamundur shndërrimin e të drejtave të kësaj kategorie në një pjesë të së drejtës ndërkombëtare,por në momente të caktuara tregon edhe paaftësinë dhe mos-efektivitetin e vetë të drejtës ndërkombëtare në mbrojtjen e atyre të drejtave që kanë forcë detyruese. Me qëllim ndryshimin e kësaj situate dhe vazhdimin e forcimit të të drejtave të njeriut, janë ndërmarrë disa nisma për të riformuluar konceptin klasik të sovranitetit duke e përkufizuar atë jo më si mosndërhyrje, por si përgjegjësi të shteteve për të respektuar dhe mbrojtur qytetarët e tyre nga shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.