Ëngjëll Musai/ Venecia për politikën e Tiranës: sipas kokës, qeleshen…

529
Kurrë nuk thuhet “kurrë” edhe në politikë. Ndoshta këtë mendonin politikanët e Tiranës zyrtare kur kërkuan që Komisioni i Venecias të rrëzonte ose më mirë të themi të zhbënte atë që kishin bëre me kujdes ekspertët e saj, për muaj të tërë. Dhe propozimet e grupit të ekspertëve shqiptarë të kryesuar dhe të diktuar nga kreu i komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë Fatmir Xhafa, u nisën drejt Venecias, e cila ndryshe quhet “Meka dhe Vatikani” i drejtësisë perëndimore. Sigurisht që ne nuk do analizojmë situatën, zvarritjet, bojkotin dhe kthimin në tryezë të opozitës. Ajo që e bën të rëndësishme këtë reformë ka të bëjë me faktin se Komisioni i Venecias ka faktuar, se është kundër tentativave të liderëve apo partive të veçanta për të kapur sistemin e drejtësisë.

 Rrëzimi i draftit qeveritar për reformën në drejtësi ka të bëjë me faktin se ky draft shkel rëndë Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo ishte arsyeja madhore, që më 21 Dhjetor 2015 dërgoi në Tiranë opinionin e ndërmjetëm të saj. Ishte kjo arsyeja që përfaqësuesit politikë të opozitës menjëherë pas mbërritjes së opinionit deklaruan se: “Për PD, reforma është jetike, një reformë që duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por të mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur, duke zbatuar 138 rekomandimet e dhëna nga Venecia në raportin paraprak”. Por këtij qëndrimi të deputetit Eduart Halimi, ish – ministër i Drejtësisë, iu bashkua edhe LSI-ja. Kështu që politika shqiptare do të përfaqësohej me tre projekte, një i LSI, një i PD dhe një i socialistëve, të cilët mbështesnin atë të ekspertëve të komisionit të reformës në drejtësi pranë Komisionit të Ligjeve. Drafti i socialistëve sikurse u deklarua më vonë ishte i përgatitur nga ekspertët e SOROS, pavarësisht, se u shit si projekt i trëndafilit socialist, të cilit i kishin rënë një pjesë e petaleve. Dhe Komisioni i Venecias, ndryshe nga afati i paracaktuar 14 Marsi e risolli draftin e përpunuar në 27 Shkurt, duke bërë disa saktësime, të kërkuara dhe të kontestuara nga grupimet politike të Tiranës. 

Sipas Komisionit të Venecias shqetësimet e ngritura nga LSI, Opozita, por edhe Shoqëria Civile janë të drejta dhe ky komision vlerësoi, se çështjet që trajtojnë amendamentet kushtetuese janë çështje politike, që kërkojnë zgjidhje politike dhe që arrihet nëpërmjet dialogut konstruktiv politik midis grupimeve politike kryesore në vend. U vendos që Prokurori i Përgjithshëm të vazhdojë mandatin deri në përfundim të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit të jetë nën vartësinë e Prokurorisë dhe kreu i Byrosë të zgjidhet nga Kryeprokurori. Përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të bëhej në kuadrin e marrëveshjes ose shumicës së cilësuar. E kështu me radhë Venecia rekomandoi plot 11 këshilla të rëndësishme parimore, të cilat janë detyrim për tu zbatuar nga grupet politike përfaqësuese në parlament. Por ajo që ra në sy në këtë opinion ka të bëjë me faktin, se Venecia në draft – opinionin e parë punoi me shumë seriozitet, duke treguar se prioriteti i saj është ligji dhe vetëm ligji. Por kjo u hodh poshtë nga grupi i atyre që e hartuan dhe e dërguan me kokëfortësi në tavolinën e ekspertëve të Venecias. Atëherë në draftin e dytë, atë të para 4 ditëve, Venecia zëvendësoi “Ligjin”, sepse e kuptoi që niveli ligjor i komisionit hartues dhe i partisë që e mbështet ( PS – Xhafa ) është produkt i nivelit të juridikut të Tetovës dhe të Kristalit. Ata e harruan bazën ligjore dhe iu kthyen marrëveshjeve. 

Me sa duket Kanuni ishte studiuar mire prej tyre dhe se këta sollën në tavolinat e shqiptarëve, pikërisht“Kanunin”,ku primare është marrëveshja, fjala dhe besa. Sipas Venecias, e majta ka të drejtë, por edhe opozita nuk ka faj dhe në këto raste vendin e zë marrëveshja. Por ku ka skandal më të madh që marrëveshja zëvendëson ligjin? Dhe ne kërkojmë investitorë në një vend, ku ligji zhvlerësohet dhe vendin e zë marrëveshja. Me pak fjalë, sipas kokës edhe qeleshen, thotë një fjalë e urtë popullore dhe ju që nuk doni ligj do të sundoheni nga rrëmuja, rrumpalla, krimi dhe korrupsioni. Këtë kërkojnë ministrat e “Rilindjes”, pasi kanë frikë nga llogaridhënia për babëzinë që kanë treguar me pasurinë, koncesionet, ilaçet, energjinë, ujin, pronën etj. Kjo ishte arsyeja, se përse Byronë Kombëtare të Hetimit e donin nën vartësinë e ministrit të Brendshëm, sepse vetëm kështu çelësat e Byrosë se Hetimit do t’i kishin në dorë trafikantët e drogës, që udhëtojnë me makinat e deputetëve dhe ministrave.
Sigal