Ëngjëll Musai: Uji i çezmave më i shtrenjtë se qumështi

803
Sigal

Nëse pa energji elektrike mund të rrish edhe 1 javë, pa ujë nuk mund të rrish as 1 ditë

Gazeta “Telegraf” prej kohësh i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë shqetësimeve të qytetarëve dhe, sidomos, të atyre çështjeve që kanë të bëjnë me mbijetesën; minimumin jetik, ujin, energjinë, ilaçet, spitalet shërbimet ndaj qytetarëve por në veçanti të familjeve të varfra dhe pensionistëve në tërësi. Madje kemi theksuar se borxhet e ujësjellësve janë një bombë e madhe që së bashku me kreditë arrijnë deri në 100 milion dollarë, dhe e gjitha kjo prej pa përgjegjshmërisë së bordeve të ujësjellësit, drejtorive të tyre (sh.a ) dhe bashkive përkatëse që e kanë parë ujësjellësin si një lopë që mund ta mjelin për qëllime fitimi dhe vjedhjet dëmtojnë konsumatorin shqiptar. Por arsyeja pse iu rikthyem sot ka të bëjë me telefonatat e shumta të qytetarëve në emisioni “Koha për tu zgjuar” në News 24, të mjeshtrit të gazetarisë, pse jo edhe mikut tim Bashkim Hoxha.

Çmimet e kripura të sahateve të ujit 

Një sahat uji në Shqipëri që vendoset nga vetë ujësjellësi i kushton shqiptarëve rreth 40 mijë lekë, po ky sahat i blerë në tregun e lirë kushton 23 mijë lekë?! Kaq mjafton për të mos bërë më koment. Sahati i ujit në të gjithë botën është pronë e shtetit për shërbimet që ofron dhe jo t’i ngecet qëllimisht qytetarëve. Shteti e ndërron, e kolaudon dhe qytetari paguan vetëm ujin që konsumon. Për analogji në një dyqan kur shkojmë, qytetarët dhe blerësit nuk shkojnë me peshore me vete, madje edhe elektriku, sahatet i vendos vetë, i paguan, kolaudon dhe i ndërron po vetë. Por çmimi është një skandal më vete. Në Greqi paguhet jo më shumë se 15- 20 euro në muaj kur pensionisti merr nga 600 deri në 900 euro pension, në SHBA dhe pikërisht në Nju Jork pagesa e ujit bëhet një herë në tre muaj dhe nuk i kalon 50 dollarët, që do të thotë, rreth 16 dollarë në muaj ose 17 mijë lekë të vjetra me paratë shqiptare. Po të kemi parasysh që rrogat në Amerikë janë nga 2500 – 4000 dollarë në muaj dhe pensioni më i vogël 1200 dollarë në muaj. Atëherë si ka mundësi që në Shqipëri çmimi i ujit dhe fatura e saj shkon nga 20 mijë lekë deri në 50 mijë lekë të vjetra. Çfarë ka ndryshuar në krahasim me 4 vite më parë apo edhe 10 vite më parë? Asnjë investim, asnjë shpenzim shtesë, uji po ai, depot e ujit dhe ujëmbledhësit po ato të kohës së para viteve ’1990, uji në çezma nuk pihet, me orar të reduktuar dhe qytetarët vazhdojnë të blejnë ujin për ta pirë dhe gatuar. Ja pra ky është me pak fjalë abuzim i pastër i shtetit dhe bashkive në kurriz të qytetarëve të varfër.

Historia e Sahateve nga ata prej bronzi tek metali dhe, tashmë tek ato prej plastike

Historia e grabitjes së sahateve cilësorë të trashëguar nga koha e monizmit apo sikurse thuhet koha e “Enverit” ishin prej bronzi. Të mos harrojmë që ishin të kushtueshëm, i vendoste shteti, i mirëmbante dhe i zëvendësonte. Sot në botë, të kesh sahat bronzi është një luks i vërtetë. Por çfarë ndodhi? Në kohën kur në pushtet ishte qeveria e djathtë dhe ujësjellësi ishte monopol i militantëve, u hoqën sahatet e bronzit dhe u vendosën prej metali dhe bronzi u shit nga drejtuesit e kohës (2005- 2013 ) duke fituar miliona dhe miliarda lekë nga ndërrimet në të gjithë vendin. Këto u zëvendësuan me sahat metalikë dhe aktualisht prej plastike, me çmime të shtrenjta për xhepat e qytetarëve , ndërkohë që duhet t’i paguajë vetë ujësjellësi. Por këtu në vendin tonë, Avokati Popullit fle gjumë, Autoriteti Konkurrencës dremit, kurse ata që duhet të luftojnë krimin ekonomik dhe organet hetimore sulmojnë kundërshtarët politik në bashki, biznese dhe kudo. 

Cilësia e ujit: “Nëse pa energji elektrike mund të rrish edhe 1 javë, pa ujë nuk mund të rrish as 1 ditë”.

Sipas politikanëve tanë dhe bashkiakëve shumë pak ose aspak të nderuar çmimi dhe fatura e ujit nuk shkon më tepër se 1 kafe në ditë, dhe flasin për një produkt si UJI, i cili është jetik për njerëzit dhe i mbrojtur nga konventat ndërkombëtare. Por cilësia e ujit është në parametra të papërdorshëm për pirje direkt nga çezmat, ndërkohë që çmimi rritet. Po përse dikur në kohën e monizmit uji pihej dhe Instituti Shëndetit Publik bënte analiza periodike në çdo lagje, shkollë çerdhe, institucione dhe kudo? Kjo tregon nga njëra anë papërgjegjshmërinë e bashkive dhe ujësjellësve dhe nga ana tjetër makutërinë për të fituar pa investuar. Shqipëria është ndër 3 vendet që ka më shumë ujë në Evropë për numër popullsie, por çmimi është më i larti në Evropë në krahasim më pagat dhe pensionet. Në shumë vende të Evropës dhe Botës , uji është falas ose me çmime simbolike. Ashtu sikurse ndodh me energjinë në Evropë ku vendet e ftohta në dimër e kanë çmimin sa 1/3 e muajve të tjerë të vitit, me qëllim që të mos sëmuren qytetarët e saj dhe të mos harxhohet më shumë para për shtrimet në spitale. E tillë është Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda etj.

Probleme për zgjidhje në Ujësjellësit sh.a., ka shumë

Në armatën prej mbi 5400 punonjësve që numërojnë aktualisht Ujësjellësit sha, ka specialistë, inxhinierë Hidro të talentuar dhe mjeshtër, punonjës Ujësjellësi sh.a., me mjaft përvojë, por ata ose nuk i pyet kush ose pajtohen me gjendjen e këtyre Shoqërive. Nuk duhen shkurtuar punonjësit, por duhet të administrohet dhe paguhet gjithë uji i konsumuar. Nga moskontrolli dhe kërkesa e llogarisë e Degëve teknike dhe veçanërisht të Drejtuesve të këtyre Shoqërive, duke përfituar edhe nga fakti që matësit e ujit janë vendosur në shkallët e pallateve nuk janë të sigurt nga ndërhyrjet apo çplumbosja e tyre duke bërë ndërhyrje në matësit e ujit, madje ka raste që faturohen sasi uji njësoj si një fabrikë, e cila shpenzon me mijëra m3 në ditë me një qytetar të thjeshtë që ka vetëm 1 çezmë dhe i faturohet 1 m3 në ditë, pa harruar lavazhet, lidhjet dytësore etj. Në 56 Shoqëritë e Ujësjellësve sha, në shkallë vendi janë punësuar rreth 5400 punonjës duke shpenzuar vetëm për pagesën e Këshillave Mbikëqyrëse mesatarisht rreth 45- 50 milionë lekë /vit. Nga numri prej 5400 punonjës rreth 40% e zënë 5 Ujësjellësit sha, respektivisht: Tirana 1170 punonjës, Durrësi 605 punonjës, Feri 302, Berati 249, Shkodër 226 punonjës etj.

Ujësjellësit sh.a., (Shoqëri anonime) që vazhdojnë të “hanë veten”: Ujin na e ka falur natyra, ne duhet ta administrojmë

Për gjendjen financiare të Ujësjellësve sh.a., të marrin më tepër përgjegjësi Bashkitë si pronare dhe zotërues të aksioneve, Enti Rregullator i Ujit në lidhje me përcaktimin e politikës së çmimeve, Ministria e linjës, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve, ku kjo e fundit të mos “ngopet me lugë bosh” dhe jep “dekorata” me shifrat e pyetësorët për treguesit e performancës që grumbullon çdo tremujor nga 59 shoqëritë e Ujësjellësve, por të analizojë në vazhdimësi performancën e tyre, gjendjen e lartë të debitorëve të ujit të pijshëm, duke propozuar masa konkrete për përmirësimin e gjendjes; si ristrukturimi i borxheve për faturat e papaguara nga abonentët familjarë apo jo familjarë (Bizneset). Furnizimi me matësit e ujit të pijshëm në mënyrë të përqendruar dhe jo t’u lihet në dorë vendosja e tyre punonjësve të Ujësjellësve, sepse në vendosjen e tyre po abuzohet dhe dikush po pasurohet.

Dhe pse jo, të bëhet analiza e gjendjes së Ujësjellësve sh.a., në mbledhjet më të afërta të Këshillave Bashkiake, duke dalë me një plan veprimi konkret. Ujin na e ka falur natyra, ne duhet vetëm ta administrojmë.

Nuk ka nevojë për reforma të mëdha dhe “ndëshkim” personash

Nuk ka nevojë për reforma të mëdha dhe “ndëshkim” personash që bëjnë lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm apo nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm, por më parë duhet të japin llogari administratat dhe veçanërisht Drejtorët (Administratorët) e Shoqërive të Ujësjellësve sh.a., Këshillat e Administrimit, të cilët nuk e kanë kryer punën për të cilën paguhen dhe me veprimet apo mosveprimet e tyre (pasi kuadri ligjor ka ekzistuar por nuk zbatohet) kanë lejuar lidhjet e paligjshme, duke ligjëruar “vjedhjen” e vlerës së ujit të pijshëm, pra zbatimi i ligjit duhet të fillojë nga këta të fundit, pastaj të kalojnë tek qytetarët. Të mos merret si shembull energjia elektrike, ku u ndëshkuan qytetarët dhe për çudi asnjë drejtues i OSHE apo Zyrave të Shpërndarjes Energjisë Elektrike në rrethe, nuk u vu para përgjegjësisë ligjore.