Engjëll Musai: Tre marrëveshjet e natës që po mbajnë peng Shqipërinë

684
Engjëll Musai 
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Një fjalë e urtë popullore por edhe shumë e lashtë në filozofinë e saj thotë se “Puna e natës është gazi i ditës”. Dhe kjo proverb është përcjellë nëpërmjet gojëdhënave ,është përpunuar në rrugëtimin e vetë shekullorë dhe është formatuar në këtë model shprehje, që edhe sot në pranverën e 2017-s tingëllon po aq aktuale. Kur LSI kërkoi Qeveri te besimit për zgjidhjen e krizës, një shoqe zëdhënëse kandidate e “Rilindjes”, tha se nuk e duam “Qeverinë e besimit të pabesisë “…Po tani ?!…. Një personalitet botëror Alexandre Dumas, novelist dhe dramaturg i shquar francez ka thënë: “Dallimi mes tradhtisë dhe patriotizmit është vetëm çështje datash”.
21 Prill 2008
Më 21 prill 2008, ku ligjvënësit shqiptarë të nënshtruar por edhe shtërnguar nga Rama dhe Berisha ndryshuan Kushtetutën pa ju drejtuar popullit për mendim dhe aq më keqë pa e informuar atë. Çuditërisht, por akoma më shumë, fatkeqësisht këto ndryshime u përshëndetën nga ndërkombëtarët që vinin vërdallë si “kone” në sallonet e politikës shqiptare duke mos u shqetësuar fare për shkeljen e rregullave të demokracisë, por së bashku me Berishën dhe Ramën përgatitën ligjin që godiste partitë e vogla (kryesisht LSI) dhe, pa u menduar fare, i dhanë një goditje të rëndë sistemit zgjedhor në Shqipëri, organeve të drejtësisë, mandatit të Kreut të Shtetit duke e bërë zgjedhjen e tij nga gjithëpërfshirëse, në një President që do të vinte nga një shumicë e thjeshtë, sikurse ndodhi me presidentin pasardhës. 

17 Maji 2017
U deshën plot tre orë që Rama dhe Basha, të ulur kokë më kokë, të vendosnin natën e 17 majit, në të gdhirë të datës 18 Maj, jo vetëm për fatin e çadrës së vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por edhe të ndanin tortën qeveritare ku, veç 6 ministrave ,morën si kompensim edhe disa drejtori, të cilat janë konsideruar si vende ku bëhen ndere dhe qarkullojnë milionat e taksapaguesve. Mirë ministritë, KQZ, Avokati i Popullit, por drejtoritë për çfarë i duheshin Bashës? Cili ishte qëllimi i vërtetë i Ramës që i ofroi këto poste me para? Dhe shpjegimi është i qartë dhe nuk ka nevojë për koment. Me këto poste Rama i mbylli gojën Bashës, në mënyrë që ky i fundit të heshtte për babëzinë e tenderëve dhe miliardave të taksapaguesve shqiptarë dhe ministrat e PS-s të dilnin të larë nga kjo mesele. Rama dhe Basha treguan se janë që të dy arrogantë. Të dy arrogantë dhe diktatorialë. Unë do isha më shumë i shqetësuar, jo për marrëveshjen e njoftuar, por për ato bisedimet prej tri orësh, kokë-kokë, për të cilat nuk dhanë asnjë shpjegim. Nuk e ndjejnë të nevojshme t’u japin votuesve asnjë shpjegim?! Një mik i mirë, personalitet ndërkombëtar dhe dashamirës i Shqipërisë do të thoshte për marrëveshjen e natës Rama-Basha: “Lala Kros o Lala Kros, vetë shkruaj e vetë vulos”…

Listat e natës së 26 Majit 2017
Marrëveshja Rama-Basha e 17 Majit solli në “jetë” dhe “rilindi” datën 26 maji, ku ora 23.59 minuta do të ishte edhe afati i fundit i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht nuk është momenti dhe koha të analizojmë, se përse u la kjo datë dhe pse kjo datë, falë “pazareve” Rama-Basha la në harresë nga “Rilindasit” e sotëm edhe 26 Majin e famshëm të 1996-s , ku mijëra socialistë me në krye Profesorin e nderuar të sëmajtës shqiptare, Servet Pllumbi u rrahën, u gjakosën, u arrestuan, u internuan , u degdisën, u arratisën jashtë vendit, pikërisht nga këta, të cilëve vetë pasardhësi i socialistëve, tashmë i konvertuar në “Rilindës”, Edi Rama po u shtrinte dorën e keqardhjes, duke shkelur brutalisht dhe pabesisht mbi gjakun e socialistëve të ndershëm. Por le t’i kthehemi natës së listave të famshme, të cilat u pranuan duke dhunuar hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ku ndodh në botë që Ligji themeltar i një shteti masakrohet në këtë farë feje nga disa politikanë pazarxhinj? Edhe sot e kësaj dite vazhdohet të ndryshohen listat, ndërkohë që po aq anti-kushtetuese ishte edhe marrëveshja Rama –Basha që bllokoi koalicionet e partive të tjera. Në një vend ku funksionon Gjykata Kushtetuese dhe Shteti i së Drejtës do ishin bllokuar dhe penalizuar kushdo qoftë dhe cilido emër. Dhe ne flasim për drejtësi dhe Veting, kur vetingu duhet të fillojë nga pazaret e Ramës me Bashën që kanë poshtëruar ligjin, kombin dhe të drejtën e vetme që kanë qytetarët dhe që quhet “Votë popullore”. Pazaret e kësaj marrëveshjeje po japin efektin dhe kandidatët po ikin duke dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë, zgjedhjet po shkojnë drejt degradimit ligjor, moral dhe etik. Indiferenca e përfaqësuesve më të lartë evropian dhe atyre amerikanë tregon se edhe vetë ata nuk kanë qenë seriozë në kërkesat e tyre për respektimin e ligjit dhe, se më shumë se demokracia e një vendi postkomunist, u ka interesuar suksesi i tyre personal, duke harruar se demokracia e brendshme e partive do të reflektohet nesër në qeverisjen e vendit. Pra si të jetë demokracia partiake, ashtu do të jetë edhe demokracia e vendit, kur këto parti do vijnë nesër në krye të qeverisjes. 

Analiza e ditës për vendimet e natës
Askush nuk interesohet për këtë situatë dhe pasojat do i vuajnë shqiptarët. Për analistët parazitë, për ambasadorët dhe faktorin ndërkombëtar , e rëndësishme është që mori fund absurdi i zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës! Tashmë do ketë garë të hapur dhe qytetarët do dinë të vlerësojnë dhe votojnë forcën serioze, koherente dhe, që ndryshe nga të tjerat, iu ka qëndruar kauzave të saj në shërbim të interesave të vendit dhe qytetarëve, deri në fund. Askush nuk jep llogari se çfarë u diskutua në takimin Rama-Basha, cila ishte telefonata e vetme që u bë nga jashtë shtetit dhe nga kush? Çfarë u tha në këtë takim, cilat ishin konkluzionet, kush janë këta dy personazhe që shkelin ligjin e brendshëm të partive dhe vendosin për fatet e qytetarëve dhe të kombit. Kush janë këta individë që po krijojnë një shtet mosmirënjohës dhe tallës ndaj punës dhe vlerave të pensionistëve, duke i lënë në nivelin më të ulët të jetesës, ndërkohë që pagat e pushtetarëve i rrit sa pensioni i tyre. Ku janë hajdutët e koncesioneve, ku shkuan banditët që shkatërruan varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve të kombit dhe lartësuan kolaboracionistët, pse heshtin familjet e heronjve që u zhvarrosën nga demokratët, Babë Myslymi, Hysni Kapo, Haxhi Lleshi apo Shefqet Peçi që e vdiqën në burgjet e PD?! Ku shkoi Gërdeci, po komisioni i CEz-it, po koncesionet e minierave, spitaleve, ilaçeve, po palmat, po arsimi i lartë, po gomonet, po hashashi, po Noriega, po deputetët dhe kryebashkiakët e tipit Roshi, kodoshi etj. Ku shkuan ata që gjakosën me grushte deputetët në parlament, po Qazua, po Sajmiri, a do quhet më “Sajme qorri”, po Beqja do quhet hajdut i koncesioneve apo reformator i shëndetësisë?! Ja këto janë turpi dhe pasoja e vendimeve të natës. Po e mbyll me atë çka ishte edhe pjesë e marrëveshjes së parë të natës, goditja ndaj LSI-së, duke sjellë për lexuesit një mendim të një analisti të nivelit botëror përtej Atlantikut dhe njohës i politikës shqiptare sot dhe 50 vjet me radhë, i cili theksoi se: “ U gëzova për zgjedhjen e Z. Meta, jo se jam partizan i tij, dhe siç e di, nuk kam asnjë interes nga asnjë prej politikanëve shqiptarë, por besoj se, ashtu si të kam thënë edhe herë tjera, sot për sot – me sa e kam ndjekur – Meta është politikani më i stabilizuar në vend dhe më atdhetari. Natyrisht çdo parti i ka interesat e veta dhe problemet, por besoj se LSI- do shënojë fitore si asnjë herë më parë, në qoftë se mbahen zgjedhjet normalisht këtë verë…”. Ndaj dhe Rama me Bashën tani që poshtëruan pensionistët, pronarët, qytetarët, të përndjekurit e komunizmit, tregtarët, ish-ushtarakët le të vënë në veprim atë çka u deklaroi Mersila Doda, “tani tymosni nga një cigare hashash”…
Sigal