Engjëll MUSAI/Strategji e socialistëve për të përçarë Vlorën

545
Sigal

Vlora, simboli i së majtës shqiptare  po përballet  me dhunën më të ashpër verbale që mbas vitit 1997. Nëse në atë periudhë përplasjet ishin me qeverinë e Partisë Demokratike dhe kishin të bënin me humbjen e parave nga firmat piramidale, në kohën e sotme e keqja e së majtës po i vjen nga vetë drejtuesit e kupolës socialiste. Ndryshimet e ndodhura pas vitit 2005 në qeverisjen e vendit sollën mes të tjerave edhe ndryshimet në qëndrimin e socialistëve të rinj ndaj strukturave dhe Partisë Socialiste të Vlorës. Në selinë  qendrore nuk mund të kapërdinin që Vlorën  ta menaxhonin vlonjatët, ndajë me të gjitha mënyrat filluan  ofensivën e përçarjes së partisë. Vlora mbetet simboli i  socialistëve, të cilët nga 6 bashki, morën 5 dhe humbën vetëm 1 bashki atë të Delvinës. Madje, shkak i humbjes së Delvinës sikurse flitet nën zë ishte kandidatura e mbështetur nga Luiza Xhuvani, e cila është e privilegjuara e Kryesocialistit Rama, megjithëse, socialistët e qarkut (Vlorë, Delvinë, Sarandë ) nuk e duan dhe nuk e votojnë.  Humbja e Qarkut të Vlorës kur socialistët kishin 11 këshilltarë më shumë është pjesë e prapësisë që Rama bëri ndaj ish-kryetarit socialist duke dërguar udhëzime që  të mos e fusnin në listën për kandidatë për Kryetar i Këshillit të qarkut dhe duke e mashtruar ish-kryetarin me ndonjë vend pune. Kur dëgjon në mënyrë konfidenciale se  me “sms”-të e Kryetarit nga Tirana i bëhej puç ish- Kryetarit të rrethit duke mbjellë ndjenjën e përçarjes dhe armiqësisë për ta patur më të lehtë mposhtjen e organizatës socialiste të Vlorës që shënoi fitoren më të thellë që nga pluralizmi i politik i vitit 1992. Sikur të mos mjaftonin këto, socialistëve vlonjatë iu imponua një kryetar partie që s’ka lidhje me partinë e Vlorës dhe vlonjatët. Nga 11 kandidatura  Kryetari Rama vendosi të 11 në listë. Vlorës në këtë rast, iu nëpërkëmbë parimi “1 anëtar 1 votë” dhe u vendos me diktat një kryetar, pasojat e së cilës do të ndihen në zgjedhjet e ardhshme 2013-të kur Vlora ka shumë mundësi të kapitullojë, duke shënuar edhe humbjen e përgjithshme të socialistëve dhe largimin e atyre që aksidentalisht kanë uzurpuar kupolën socialiste dhe mandatet e deputetëve. Ende dhe sot e kësaj dite njerëz afër kryetarit po përpiqen t’i mbushin mendjen në vërtetësinë e fjalëve të tyre, duke krijuar një pakënaqësi të madhe në elektoratin e majtë pasojat e së cilës më shumë se kushdo tjetër nuk duhet t’i lejojë dhe t’i dëshirojë vetë Kryetari pasi në këto zgjedhje luhet edhe fati i tij politik. Në Vlorë janë emëruar disa figura që s’kanë lidhje me Vlorën dhe këto figura shkojnë në ilegalitet në qytet a thua se, Vlorën e drejton e djathta dhe jo përfaqësuesi më dinjitoz i socialistëve Shpëtim Gjika. Të ironizosh qytetin e Flamurit dhe luftës së 1920, të braktisësh familjet tradicionale të luftës Nacional-Çlirimtare sikurse është edhe ajo e Shpëtim Gjikës dhe ta lësh pa asnjë përfaqësim këtë qytet hero është turp dhe përbuzje. Socialistët vlonjatë  ashtu sikurse hodhën në det në 1920-n një perandori si ajo e Italisë, çliruan vendin nga bisha nazi-fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmbysën Berishën në vitin 1997 po kështu do të triumfojnë ndaj të gjithë drejtuesve të kupolës rozë që e duanë Vlorën dhe vlonjatët të përulur të nëpërkëmbur dhe pa dinjitet. Rasti i lënies së sekretarit të socialistëve të Vlorës dhe 3 herë Kryetar i Bashkisë jashtë kryesisë së PS-së është shembulli më i mirë i urrejtjes ndaj Vlorës dhe vlonjatëve.