Ëngjëll Musai: Skandali i ISSH me pensionet shtetërore suplementare

1489
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ndërprerë (pezulluar) pensionin shtetëror suplementar të personave që e kanë përfituar atë në bazë të ligjit nr. 8097, datë 21.03.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të cilët janë punësuar si pedagogë në institucionet e arsimit të lartë universitar, publik e privat, si dhe në profesionet e lira (avokat, noter, kontabilist, mjek, etj).Ndonëse nuk janë komunikuar ende njoftimet me shkrim, nga burime konfindenciale kemi mësuar se ndërprerja mbështetet në paragrafët e fundit të neneve 8 e 10 të ligjit të mësipërm (shtesë), në të cilët është shtuar si kusht për përfitimin e këtij pensioni që “personi të ketë ndërprerë veprimtarinë ekonomike”. Mendojmë se ndërprerja është e paligjshme, për shkak të interpretimit të gabuar të ligjit, të moskuptimit të përmbajtjes së termit “veprimtari ekonomike” apo të ngatërrimit të tij me termin “i punësuar”. Njëkohësisht, në interpretimin e këtij paragrafi shtesë nuk janë mbajtur parasysh dispozitat e tjera të këtij ligji, që të çojnë në përfundime të kundërta. Në gjuhën juridike, është anashkaluar interpretimi sistematik dhe krahasues. Ligji për pensionet shtetërore suplementare e bën dallimin mes personave që ushtrojnë “veprimtari ekonomike” dhe “personave të punësuar”. Këto terma nuk janë sinonime, por kanë kuptime krejt të ndryshme. Kështu, në kuptim të ligjit në fjalë, në nenin 1/10 të tij thuhet: “Në termin “Persona të punësuar” do të përfshihen gjithë personat që janë përcaktuar në pikat 8 dhe 9 të këtij neni.” Këta persona janë përcaktuar në mënyrë nominative për çdo funksion kushtetues dhe detyrë tjetër në shtet, ku nuk përfshihen të punësuarit në institucionet e arsimit të lartë universitar apo të punësuar të tjerë, tej atyre të parashikuar në nenin 1/10 të sipër cituar, aq më pak të punësuarit në mësimdhënie në institucionet private të arsimit të lartë universitar. Termi “veprimtari ekonomike” nuk jepet në përkufizimet që bëhen në nenin 1 të ligjit nr. 8097, datë 21.03.1996, i ndryshuar. Në këtë rast, i referohemi Ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, i ndryshuar, i cili e dallon veprimtarinë ekonomike nga profesionet e pavarura dhe të punësuarit, duke e klasifikuar atë në një grup të veçantë, të ndarë nga veprimtaritë e tjera. Kështu, në nenin 2/16 të tij “veprimtaria” ndahet në veprimtari ekonomike të pavarur, veprimtari profesionale dhe tregtare. Gjithashtu, neni 22/c i ligjit 9723, që parashikon detyrimin e personave që duhet të regjistrohen në QKB, veprimtarinë ekonomike e veçon nga veprimtaritë apo profesionet e tjera. Në këtë nen thuhet se detyrohen të regjistrohen në QKB “personat fizikë, sipas kuptimit të Kodit Civil, që nuk kanë cilësinë e tregtarit, që ushtrojnë veprimtari ekonomike apo një profesion të pavarur.” Siç shihet, veprimtaria ekonomike ushtrohet me licencë të veçantë, të regjistruar në QKB, ashtu sikurse dhe profesionet e lira që dallohen prej saj. Ajo nuk mund të identifikohet me punën që bëjnë personat e punësuar, aq më pak me mësimdhënien apo aktivitetin tjetër shkencor të personave të punësuar në institucionet arsimore, e cila lejohet të ushtrohet paralelisht edhe nga personat që kryejnë funksione kushtetuese apo detyra të tjera në shtet, të cilëve u ndalohet çdo veprimtari tjetër, veç mësimdhënies. Do të sqaronim këtu se veprimtaria ekonomike ushtrohet nga personi juridik i licencuar për hapjen e institucionit përkatës, nga punëdhënësi, jo nga të punësuarit prej tij. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka gabuar në përfshirjen e të punësuarve në si pedagogë në institucionet e arsimit të lartë universitar edhe për faktin se e ka shkëputur interpretimin e termit “veprimtari ekonomike” nga përmbajtja e nenit 18 të ligjit për pensionet shtetërore suplementare. Ky nen i ka përcaktuar në mënyrë taksative rastet kur ndërpritet pensioni shtetëror suplementar, i cili parashikon: “Pagesa e pensionit shtetëror suplementar ndërpritet kur personi zgjidhet ose caktohet në funksionet a detyrat e grupit të parë ose të dytë. Në këtë rast, pas përfundimit të shërbimit në funksion a detyrë, pensioni shtetëror suplementar do të rillogaritet.” Në këtë vështrim, lidhur edhe me nenin1/10 të këtij ligji, pedagogët e punësuar në institucionet e arsimit të lartë universitar nuk përfshihen në kategorinë e personave të punësuar, të cilëve u ndërpritet pensioni shtetëror suplementar në rast punësimi. Nuk dimë nismëtarin e këtij qëndrimi, që ndryshon papritmas praktikën dhe zbatimin e unifikuar shumëvjeçar të ligjit për pensionet shtetërore suplementare, duke krijuar pështjellim dhe një shqetësim masiv të padrejtë. Por, po të jetë rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, sikurse thonë disa burime joformale, do të ishte problem i madh që vë në dyshim aftësitë profesionale të juristëve dhe ekonomistëve të këtij institucioni të rëndësishëm, të cilët kanë bërë një interpretim të tillë të gabuar të ligjit në fjalë.
Sigal