Engjëll Musai/ Skadimi i mandatit të opozitës dhe rregullorja e Parlamentit

90

Bojkoti i tejzgjatur i demokratëve duket se po i afrohet finishit të përcaktuar në rregulloren e Parlamentit dhe se afrimi i kësaj date ka për të vënë në pozitë të vështirë jo vetëm grupin parlamentar të PD-së por edhe vetë Kryesinë e Parlamentit dhe maxhorancën. Kësaj situate duket se po i paraprijnë edhe faktori ndërkombëtar me deklaratat e vazhdueshme të këtyre ditëve. Shkak i këtij bojkoti sikurse dihet u bë goditja e deputetit të PD-së Strazimiri më 10 korrik 2014 në ambientet e Kuvendit. Ne nuk do analizojmë shkaqet dhe arsyet pse ndodhën, pasi për të ka filluar edhe procedimi penal i nisur me iniciativën e grupit Parlamentar te PD-së, kallëzim i cili është dorëzuar në Prokurori më 14 Korrik 2014 nga kreu i saj Edi Paloka. Nëse opozita nuk do të kthehet në Kuvend gjatë këtij muaji i bie që dhjetë ditshi i parë i Janarit 2015 duket të jetë fundi i mandatit parlamentar të këtyre deputetëve dhe  fillimi i procedurave për zëvendësimin e tyre me listën pasardhëse. Por a mund të ndodhë një gjë e tillë dhe si do veprohet nëse deputetët pasardhës i paraqesin KQZ-së zhvendosjen e tyre dhe mospranimin e mandatit. Këto zhvillime që më shumë janë hamendësi por edhe një realitet, kërkojnë padiskutim vëmendjen e maxhorancës për ti dhënë një zgjidhje ngërçit të krijuar. Strukturat politike të BE-së dhe KiE-së po kërkojnë me ngulm gjetjen e një rruge të përbashkët për të dalë nga kjo situatë e cila më së shumti ka dëmtuar rëndë imazhin e politikës shqiptare jo vetëm të Tiranës por edhe të mbarë trevave shqiptare në rajon. Në Kosovë u bënë muaj të tërë që parlamenti nuk mblidhet dhe duhej deklarata e ambasadores amerikane në Prishtinë që tu nxirrte gjumin politikanëve por edhe tu thoshte votuesve se nuk ecet më me këto mënyra. Në Maqedoni, dy partitë politike Shqiptare vihen në qendër të vëmendjes të publikut me aktet rrugaçërore të deputetëve që u rrahën e u gjakosën brenda në sallën e Parlamentit. Po kështu partitë politike në Malin e Zi nuk merren vesh mes njëri tjetrit dhe në një popullsi prej 80 mijë votuesish shqiptarë kandidojnë 5 parti, të cilat në vend që të bashkohen dhe të nxjerrin 2 deri në 3 deputetë ,nuk marrin asnjë sepse janë ndarë si “zogjtë e klloçkës”. Përfundimisht kësaj situate i shtohen edhe deklaratat anti-shqiptare të Presidentit serb i cili menjëherë pas incidentit në ndeshjen e futbollit, deklaronte se shqiptarët nuk dinë të formojnë shtet. E gjithë kjo analizë tregon  përgjegjësinë e madhe  të  Parlamentit shqiptar dhe Tiranës  si qendra kryesore e kombit. Kjo situatë as më shumë dhe as më pak i ngjanë asaj të krijuar një mandat më  parë nga  socialistët të cilët filluan grevën e urisë me çadra, përpara Kryeministrisë. Në atë kohë BE  i kishte  vënë 12 kushte qeverisë shqiptare dhe mosplotësimi qoftë edhe një kushti të vetëm do ishte i mjaftueshëm për të bllokuar pranimin e kërkesës  për stabilizim-asociimin dhe nisjen e rrugës për integrimin në BE. Nga ana e saj, me gjithë përpëlitjet e vazhdueshme  PD-ja pranoi dhe Shqipërisë ju hap rruga për stabilizim asociimin por që u bë realitet pas ardhjes në pushtet të socialistëve. E njëjta situatë është edhe sot në Shqipëri. Një Kuvend i braktisur nga opozita dhe një deklaratë e fortë e BE-së se nuk ka Europë pa marrëveshje pozitë –opozitë. Qetësia e Metës dhe angazhimi i tij duket se nuk po jep rezultatet e duhura pasi ai po pëson “ fatin e Kalasë së Rozafës e cila ndërtohej ditën dhe prishej natën”. Pra kjo tregon se ka faktorë që nuk e shohin dhe  nuk u vjen për shtatë suksesi dhe qetësia e Kryeparlamentarit në menaxhimin dhe drejtimin e Kuvendit . Në këto kushte edhe përplasja që u bë shkak për daljen nga Parlamenti të deputetëve të djathtë më shumë se sa një gjaknxehtësi e  çastit ngjante me një kombinacion të menduar mirë par pasojat që do vinin pas sajë. Por le ti kthehemi situatës aktuale e cila pas 30 ditësh do futet në rreth vicioz dhe të paparashikuar nëse nuk i jepet zgjidhja e duhur. Opozita ka kërkuar dhe vendosur disa kushte të cilat duhen marrë me shumë qetësi dhe duhen trajtuar jo me forcë por me shumë durim. Pasi kokëfortësia nuk do të bëjë  gjë tjetër vetëm sa do trazojë ujërat në këtë situatë të rëndë ekonomike për vendin dhe do jetë një arsye më shumë për të mbajtur opozitën në protesta. Kjo gjë do të vazhdojë edhe në muajt që do pasojnë, dhe mosnjohja nga opozita e ndarjes së re administrative do të bëjë që zgjedhjet lokale të  qershorit të kenë një fat edhe më të zi nëse bojkotohen. Europa nuk mund të pranojë një situatë të tillë dhe donatorët nuk mund të japin para kur shohin një klimë të papërshtatshme politike dhe shoqërore. Dhe që pozita tu paraprijmë këtyre situatave  të rrezikshme për stabilitetin e vendit duhet të ulet dhe të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën,në të mirë të vendit,qytetarëve dhe kombit në tërësi.

Në Shqipëri, deputetët e opozitës kanë 5 muaj që e kanë bojkotuar Parlamentin, në Kosovë po ashtu u bënë muaj të tërë që parlamenti nuk mblidhet, në Maqedoni, dy partitë politike shqiptare vihen në qendër të vëmendjes së publikut me aktet rrugaçërore të deputetëve që u rrahën e u gjakosën brenda në sallën e Parlamentit. Edhe në Malin e Zi nga tre mandate shqiptarët nuk marrin asnjë, madje humbasin se konkurrojnë me 5 parti …