Ëngjëll Musai: Shëndetësia dhe Artisti i Popullit tim Robert Ndrenika

652
Të marrësh iniciativën dhe të shkruash për Robert Ndrenikën është një mision i vështirë në mos i pamundur, pasi ai është jo vetëm një kolos i artit, kinematografisë, teatrit por mbi të gjitha edhe kujtesë e vlerave kombëtare, humane, familjare dhe gjithçka që mishërohet me të mirën dhe fisnikërinë. Në rolet e tij gjendet “Babai” dhe të gjithë përloten teksa kujtojnë atin e tyre. Ai mishëron shokun, profesorin, ai me rolet e tij përfaqëson luftëtarin, punëtorin e përkushtuar, njeriun që përndoq, karakterin e hershëm të burrërisë, fukarain që edhe pse pëshpëriste me të famshmen shprehje “Mishi tretet ,kocka mbetet” nuk pranojë të blihej nga shovinistët dhe antishqiptarët. Ai me rolet e tij na tregon se njeriu në jetë të jetëve duhet të bëjë zgjidhje dhe zgjedhje që nuk e turpërojnë atë dhe familjen e tij. Ky është Robert Ndrenika, i cili dje u pa në një foto më shumë se mjeruese teksa priste në korridoret e spitalit, i vetmuar dhe pa humanizmin e shtetit, të cilit po i jep kaq shumë. U la i vetëm ai që me artin e vet bashkon rreth kinemasë, teatrit, ekranit miliona njerëz teksa luan me aq art dhe realizëm personazhin e radhës. Robert Ndrenika së bashku me Arben Derhemin po kalojnë një gjendje virale dhe për këtë arsye u shty edhe premiera “Mendohu Xhakomino”. Ndoshta fotua që tregon pritjen në një korridor të QSUT “Nënë Tereza” mundet të mos jetë e ditës së djeshme dhe unë e besoj, që nuk është e këtyre ditëve. Por ajo na qenkërka foto e bërë para 1 viti teksa Artisti i Popullit Robert Ndrenika priste të vizitohej. Po çfarë rëndësie ka, nëse qenka e djeshmja apo e para 1 viti? A nuk janë të njëjtët drejtues në QSUT, Ministër Shëndetësie, i njëjti person, i njëjti spital, dhe i njëjti personazh që po diskutojmë? Aq më keq dhe akoma më turp që ne e marrim veshë pas 1 viti që Nderi i Kombit Robert Ndrenika është trajtuar në mënyrë shpërfillëse para 1 viti dhe sot kjo foto tregoi të vërtetën dhe shkak u bë anulimi i shfaqjes së radhës. Pra po të mos kishte shfaqje dhe po të mos ishte shtyrë, ne kurrë nuk do e merrnim vesh një veprim të tillë, të ulët dhe të pështirë nga delenxhinjtë e QSUT dhe tutkunët e politikave shëndetësore që pretendojnë se shëndetësia është falas dhe me parametra më të mira në këto 27 vite. Të trajtosh në një mënyrë të tillë vlera kombëtare që numërohen me gishta ,ndërkohë që politikanët çojnë me avion gratë dhe të dashurat e tyre të lindin jashtë shtetit apo për të bërë një vaksinë, kjo është më shumë se mizore. Të paguash miliona për politikanët hajdutë në klinikat më të mirë të botës dhe të mos kurosh Robert Ndrenikën kjo është turp dhe faqe e zezë. Reagimi i djeshëm në rrjetet sociale për të madhin Robert Ndrenika ishte mësimi më i mirë për politikanët e pagdhendur dhe kura më e mirë popullore për vetë artistin. Por çfarë e shtyu publikun të reagojë me kaq forcë për ikonën e kinematografisë Robert Ndrenika? E shtyu humanizmi dhe mjeshtëria e jashtëzakonshme në interpretimin e personazheve nga Robert Ndrenika, të cilët ai i gdhendi në mendjen e shikuesve aq fort, sa vetë Roberti shpesh herë thirrej me emrat e personazheve të tij. E shtyu portreti i tij i dashur dhe zërin që di të futet në shpirtin e çdo personazhi, rolet e tij të shumta në numër e të interpretuar gjatë jetës, e bënë që të shpaloste shpirtin dhe botën e madhe brenda tij, artin që nuk blihet dhe nuk mësohet dot as nga praktika e jetës. I lindur për të qenë një yll në kinemanë dhe skenën shqiptare, përmes personazheve, ai ka provuar të jetë në rolin e të gjithë karaktereve njerëzore. Së fundmi, Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit, por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij. Të shkuara dhe shërim të shpejtë Artisti i Popullit tim, Robert Ndrenika!


Sigal