Ëngjëll MUSAI/ Rrugët, Rrugorët dhe vota e qytetarëve

537
Sigal

Dikur lideri i opozitës Edi Rama, sot Kryeministër i vendit i drejtohej qytetarëve para fillimit të fushatës elektorale se, “as fjalëve të mija dhe as të pushtetarëve të Saliut mos u besoni, por  ditën e zgjedhjeve atje tek kutia hidheni votën dhe gjithçka rregullohet”.  E kishte fjalën për vuajtjet që kishte sjellë pushteti i PD-së dhe premtimet që po bënte vetë e Majta nëpërmjet programit të Rilindjes. Sigurisht që, kjo analizë është e gjatë, e thellë dhe ka lidhje jo vetëm me realitetin që lindi pas “mbarsjes” së kutisë me votën elektorale, por edhe koalicionet e dyshimta që lindën pas kësaj periudhe. Ne do nisim dalëngadalë në ditët dhe muajt në vijim të analizojmë në detaje gjithçka, që u tha dhe iu premtua  qytetarëve  taksapagues, pensionistëve dhe të varfërve të këtij vendi rreth 2 vjet më parë, kur nisi, edhe të prezantohej program i Rilindjes. Por sot ne do ndalemi shkurtimisht tek një fenomen skandalozë  që ka lidhje me implikimin dhe babëzinë e pushtetarëve dhe të afërmve të një deputeti të Majtë më “kutinë e ndihmës së shpejtë”. Të respektosh shtetin dhe ligjet është detyrim  madhor pasi ato ligje normojnë aktivitetin e përditshëm  të shtetasve dhe garantojnë jetën e qytetarëve. Ndaj taksapaguesve, sa herë që u kërkohet respektimi i një rregulli të lënë në harresë, paraprakisht i tërhiqet vëmendja për një fenomen, dukuri apo një të metë që ndikon fuqimisht në jetën e përditshme dhe në sigurinë e saj. E tillë është edhe “aksioni” i Policisë Rrugore (shtetit), të cilët në vend që të merren me kriminelët dhe trafikantët sulen në mes të rrugës, në mes të ditës, duke vënë gjoba sepse u vjen keq për jetën e drejtuesve të mjeteve!! Kësaj i shkon për shtatë ajo shprehja popullore dhe që nuk vdesë kurrë: “Të rrah se të dua”.  Sa mirë do ishte sikur Policia Rrugore të kishte kapur motorin me të cilin u krye vrasja e bankierit Santo, apo të parandalonte dhjetëra aksidente me pasojë vdekjen e qytetarëve dhe udhëtarëve. Por në policinë e Tahirit funksionon e njëjta metodë, tek rendi numërohen gëzhojat dhe plumbat që është kryer vrasja, ndërsa në rrugë  kërkohet fashoja për t’u lidhur gojën atyre që humbasin jetën nga mungesa e sigurisë rrugore. Përpara se Policia Rrugore të merret me kutinë e ndihmës së shpejtë, duhet të kërkonte trekëndëshin fosforeshent të çdo mjeti, i cili ndriçon sa herë ka një defekt, mjafton që ai të vendoset  dhe kjo shërben si masë parandaluese për një aksident. A duhet edhe një bluzë apo veshje fosforeshente ? Nuk do ishte keq dhe madje, një masë më shumë për të garantuar jetën e drejtuesit dhe parandaluar një aksident. Por ajo që është më kryesorja ka të bëjë me maskaradën qeveritare dhe urdhrat që jepen nga pushtetarët aktualë dhe Policia e Shtetit verbërisht i bindet. Përse nuk dalin specialistët dhe punonjësit e Policisë Shtetit në rrugët e Shqipërisë, brenda qyteteve dhe ato nacionale?  Përse nuk dalin të kontrollojnë urat dhe kryqëzimet e komunave me rrugët nacionale, të shqyera si mos më keq? Përse mungon në qytete sinjalistika horizontale,vertikale dhe semaforët nuk punojnë ? Përse lejohen të qarkullojnë karroca dhe lloj –lloj rrotaçilesh nëpër rrugë të ngarkuar  dhe pa një shenjë ndriçuese?!

Këto janë shqetësime dhe këto janë problem, pasi për këto drejtuesi i mjetit i paguan shtetit paratë dhe “shtet mavria” nuk e çan menderen, por e ka  mendjen te gjobat. A e di policia se me Kodin Rrugor të gjitha  akset rrugore që kanë rrezik për jetën, duhet të mbulohen me sinjalistikë dhe guardjela për të mos përfunduar makinat në kanalet anës rrugës? Mjafton të shikohet rruga Tiranë-Durrës dhe e kupton se sa përgjegjësi ka Policia e Shtetit (Rrugore) për jetën e qytetarëve. Policia duhet të çojë para drejtësisë Entin Rrugor, të Drejtorisë së Rrugëve, bashkive dhe komunave për mos marrjen e masave të sigurisë në akset rrugore, ku qarkullojnë mjete, të cilat i paguajnë taksa shtetit. Ja pra këto janë primare dhe jo maskarallëqet e atyre që dalin dhe kërkojnë paturpësisht të mbrojnë hajdutët e lidhur me deputetë dhe politikanë të fëlliqur. Përse nuk bënë aksion Policia Rrugore dhe patrullat e policisë për të gjitha rrugët që janë me gropa dhe shkatërrojnë makinat, por janë edhe burim aksidenti? Sepse nuk kanë se çfarë të vjedhin dhe kjo është një e vërteta e hidhur. Ndaj, qytetarët, kanë kohë që për të gjitha këto mangësi kanë filluar t’i drejtohen gjykatave për dëmshpërblime në lidhje me humbjet e jetës dhe plagosjet, të cilat kanë ardhur për shkak të mungesës së sigurisë rrugore. E nisëm këtë debat, duke marrë shkasë nga qindra gjoba të vëna  me vlera të kripura dhe nëpunësit e Shtetit që paguhen nga taksapaguesit dalin dhe dërdëllisin lart e poshtë duke u mbushur mendjen qytetarëve se policia ka të drejtë, ndërkohë që, qytetarët e shkretë lënë vakte të tëra pa ngrënë që të paguajnë gjobat e këtyre batakçinjve. E pra, këto, Kryeministri Rama ndoshta, nuk i di dhe se kur të vijë qershori ata, qytetarët që i besuan Edi Ramës mund ta shprehin dëshpërimin tek kutia e votimit, pasi shpresën dhe besimin e kishin tek Rama dhe jo deputetët që përveç bizneseve të shkollave i janë futur edhe asaj të “kutisë së ndihmës së shpejtë”. Ka edhe më keq! Polici Rrugor kërkon në kutinë e ndihmës së shpejtë shishen e alkoolit?! Po ç’e do mor zotëri shishen e alkoolit në automjet ? Çfarë do bësh me alkool?! Po alkoolin nuk e lejon as paketa origjinale e fabrikës? Arsyeja rrezik për shpërthim dhe zjarr? Ka rregulla dhe kushte se ku mbahet alkooli. Le që ndihma e parë ka të tjera rregulla dhe mjaftojnë fashat, pambuku, leukoplasti, madje, fasha llastiku janë të përshtatshme për të ndaluar më fatalen që është hemorragjia e jashtme, pasi mund të ketë edhe hemorragji të brendshme dhe i vetmi kusht është nisja menjëherë në spital dhe kujdesi në rastet e frakturave të mundshme. Sigurisht që, këto janë shumë profesionale, por kaq mjafton dhe jo të veprohet në mënyrë të turpshme më shtetasit e t’u, të cilët të kanë besuar votën duke i grabitur edhe pikën e fundit të gjakut për të mbushur xhepat e të paudhëve,  të cilët përfitojnë nga pushteti me të cilën u graduan nga vetë këta që sot po sulmohen me  gjoba. Ndoshta në një analizë tjetër do merremi edhe me shkollat publike, çmimeve të tyre dhe ndikimet e privatëve oligarkë. Do merremi edhe me dritat dhe fashat (jo të ndihmës së shpejtë ) por të asaj që do varen me të ndershmit që paguajnë energjinë me….shumë e shumë premtime, por besoj se do jetë vonë për këtë qeveri, e cila çfarëdo që të thotë nuk do jetë e besueshme nëse nuk kërkon ndjesë dhe nuk u pret hovin Rrugorëve, që pak a shumë, u ngjajnë në sjellje dhe vese rrugorëve me maska dhe kallashnikovë të vitit të mbrapsht të 1997.