Ëngjëll Musai: Rilindja, kolaboracionistët dhe harresa e qëllimshme për Kiço Mustaqin

981
Sigal

Para pak ditësh u nda nga jeta një nga figurat më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare Kiço Mustaqi! Për të gjithë ushtarakët shqiptarë, emri i Kiço Mustaqit ishte dhe do të mbetet simbol i karrierës ushtarake, vlerave dhe sakrificës individuale dhe familjare të tyre. Për të gjithë ushtarakët Kiço Mustaqi personalizon shkallët se si mund të ngrihet në karrierë një ushtarak . E filloi marshimin e tij nga shkolla e lavdishme “Skënderbej” , shkolla e Bashkuar e Oficerëve deri tek Akademia e Lartë. E veshi uniformën e oficerit të Ushtrisë Popullore në bazë dhe e përfundoi si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe në fund në krye të piramidës shtetërore si Ministër i Mbrojtjes Popullore.

Ky model i Kiço Mustaqit përpara 30 vitesh, është pikërisht i njëjti model që sot shohim tek ministrat e mbrojtjes amerikanë, si me Colin Powell apo shembulli më i fundit, ai i administratës Trump, ish-gjenerali James Mattis që u bë ministër i mbrojtjes së SHBA-ve. Dhe jo pa qëllim këto personalitete, zgjidhen në nivelet më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, pasi ata e duan atdheun e tyre, janë betuar për mbrojtjen dhe integritetin e kufijve të vendit, qoftë edhe duke dhënë jetën për tokën që i lindi. Dhe Kiço Mustaqi ishte dhe do të mbetet një atdhetar i vërtetë. Ajo u pa nga solidariteti i ushtarakëve, duke filluar nga bashkëkohësit e tij dhe deri tek më të rinjtë, të cilët shprehën pikëllimin dhe vlerësimin për shokun e tyre të llogoreve dhe idealeve kombëtare. Ish-ushtarakët e nderuan shokun e tyre, sepse tek ai ata kanë parë vëllanë, mikun, eprorin dhe drejtuesin që nuk i la kurrë në mëshirë të fatit. Për ta Kiço Mustaqi përfaqësonte njeriun e drejtë, të paanshëm, objektiv, të besueshëm, eprorin që i njihte problemet dhe ballafaqohej me kolegët. Ajo që mungoi dhe ishte trishtuese kishte të bënte me faktin që, figurat më të larta shtetërore dhe në mënyrë të veçantë klasa e “rilindësve” të sotëm e anashkaluan dhe shpërfillën duke fyer në radhë të parë veten e tyre ,pasi me këtë treguan se socialistët shtresën e ish-ushtarakëve e duan vetëm për vota. Sa turp! Sa e rëndë ! Sa e poshtër! E gjithë qeveria heshti. Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka po ashtu. Kryeministri Rama e përçmoi, kurse ‘portokolli i tij’ mendonte për eksozitën e kryerilindasit në Berlin. Ajo shprehja popullore me fshatin që digjet… është më aktuale se kurrë. Keqardhje edhe kryebashkiakun që vjen nga familje ushtarakësh. Po si ka mundësi që qeveria dhe vetë z.Rama angazhohet për të sjellë me ceremoni kryetarin e Ballit Kombëtar? Pse Kryeministri i sotëm dhe ish-kryebashkiaku i djeshëm Edi Rama u angazhuan për të sjellë me solemnitet eshtrat e Kryezogistit dhe njeriut që tradhtoi atdheun e vodhi floririn ? Ngritën monumentin e turpit duke zëvendësuar një pjesë të bulevardit dëshmorëve e Kombit më atë “Zogu i Parë”? Vendosën emrin e bashkëshortes së tij maternitetit etj., etj. Deputeti rilindës i Vlorës dhe ish-këshilltar i z.Rama solli eshtrat e kundërshtarit të Ismail Qemalit, kurse monumenti i Babait të Kombit gjendet i fshehur pas ferrave në bulevard. Por bëmat e “rilindësve aktualë” që s’i lidh gjë me socialistët përveç mashtrimit për votën, janë pa fund. Heshtje për zhvarrimet e dëshmorëve të kombit, prishjen e lapidarëve, shkatërrimi i varrezave të kombit dhe atyre në rrethe, memorialëve si ai “Heronjtë e Vigut’, mos respektimi i historisë dhe vlerave të 29 Nëntorit si dita e çlirimit të kombit nga bishat nazi-fashiste dhe kuislingët e tyre, janë treguesi i përçmimit ndaj simboleve të së majtës. Por le të kthehemi tek heshtja për Kiço Mustaqin.

Ai menjëherë pas proceseve demokratike u largua jashtë vendit për t’i shpëtuar burgosjes politike, ashtu sikurse iku edhe Kryetari aktual i Parlamentit Gramoz Ruçi. Por, nëse ky i fundit vazhdon të jetë në krye të “pushtetit popullor” , Kiço Mustaqi si ish- koleg në qeverisjen e Ramiz Alisë, u nda nga kjo jetë dhe z. Ruçi nuk gjeti kurajën t’i vendoste një kurorë me lule. Por atë që nuk bënë këta palo-interesaxhinj të politikës “rilindëse’ e bënë shokët e Kiços, me të cilin ndanë në kohë të mirë e të vështirë, edhe gëzimet, por edhe hidhërimet. Sepse për ta Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore dhe ish-ministri i Mbrojtjes e meritonte nderimin mbi shtratin e topit. Për Kiço Mustaqin, vlerësimi i ushtarakëve ishte i matshëm dhe jo në bazë të perceptimeve. Tek Kiço Mustaqi vartësit dhe shokët e tij shikonin ushtarakun model me tërësinë e vlerave dhe cilësive morale, njeriun me karakter, profesionistin e talentuar, intelektualin e kulturuar, besnikun në kryerjen e detyrave funksionale dhe realizimin e objektivave. Kiço Mustaqi ishte i pari që përpunoi dhe miratoi Ligjin për Statusin e Ushtarakut, i cili i jepte vendin e merituar ushtarakëve dhe u kthente dinjitetin. Koha tregoi se të gjithë që erdhën pas tij, që nga qeveria e djathtë dhe deri në ditët e sotme, ushtarakët i kanë përdhosur, fyer, keqpërdorur, hedhur në rrugë, pa të drejta, pa pensionin e merituar për kontributet që kanë dhënë, për gjakun që kanë derdhur dhe sakrificat e panumërta për veten dhe familjarët e tyre.