Engjëll MUSAI/ Rilindja” do t’i trajtojë ushtarakët me ligjin e Ritvan Bode

882
Miratimi i projektligjit për faljen e detyrimeve të ish- ushtarakëve, ishte një akt i vonuar, por mëse i merituar për shtresën më atdhetare të kombit shqiptar. Por ky vendim i “Rilindjes” është i pamjaftueshëm dhe mbi të gjitha një akt, të cilin ushtarakët do e kishin fituar në gjykatë, edhe nëse e majta nuk do e kalonte në Kuvendin e Shqipërisë. E themi se ushtarakët do i fitonin vetë, pasi ky përbën rastin më unikal në botë, ku ushtarakëve shqiptarë u mbahet paga disa vite, pasi është miratuar ligji dhe ata e kishin të fituar me ligj të drejtën e pensionit. Pra, nuk ka ligj në botë, por edhe në Shqipëri është e përcaktuar që efektet e një ligji të jenë prapavepruese. Ajo që ushtarakët tanë kërkojnë aktualisht ka të bëjë me faktin se si do veprohet tani e tutje dhe se me çfarë pagese do trajtohen ushtarakët në rezervë apo lirim. Është qesharake që t’u thuash ushtarakëve, që ju nuk do ktheni paratë që një shtet tentoi t’ua vendoste si gjobë, për faktin e vetëm se ju trajtoi si kundërshtarë politikë dhe se ju ishit e vetmja fuqi që mbrojtët kombin dhe kufijtë e Shqipërisë nga shovinizmi grek, serb dhe kushdo që tentoi të shkelë qoftë edhe një pëllëmbë të tokës dhe ujërave tanë detarë. Ahmet Zogu vodhi floririn dhe shiti Vermoshin, Shën Naunin bashkë me 1/3 e liqenit të Pogradecit dhe ju bë memorial në bulevardin kryesor të Tiranës, kurse ushtarakëve tanë ju vendoset gjobë, se mbrojtën lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut dhe i treguan kujtdoqoftë, se kjo tokë ka bijtë e sajë si shqiponja mali, që nuk lejojnë të kapërcehen piramidat e kufirit shqiptar. Por këto shprehje dhe këtë pak analizë e bëmë për të treguar se Shqipëria dhe shqiptarët u janë borxhli në jetë të jetëve bijve të sajë, që sakrifikuan natë e ditë, festa dhe gëzime, që ndenjën pa gjumë, apo fjetën në llogore dhe trashet, në shi dhe në borë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë. 

Por si qëndron problemi me dy ligjet kryesore të ushtarakëve? Të atij që u trajtua në fillim dhe të këtij që do mbetet në fuqi dhe sipas tij do trajtohen të gjithë ushtarakët me pension. 1- Sipas ligjit 8087, datë 13. 03. 1996, femrat dalin 42 vjeçe në pension të parakohshëm dhe me 12 vjet punë, ndërsa meshkujt duhet të kenë mbushur moshën 47 vjeç dhe jo më pak se 15 vjet punë. Pas kësaj moshe dhe këtyre viteve, 2 muajt e parë të daljes në pension trajtohen me rrogë të plotë dhe 22 muajt e tjerë me 50 % të rrogës. Dita e parë e muajt të 25 të pensionit të parakohshëm do të llogaritet: 50% e rrogës për 15 vjet punë. Për çdo vit pune mbi 15 vjet vjetërsi, meshkujt përfitonin 2% të pagës shtesë, por jo më shumë se 25 vite pune. Pra, sipas llogarive nëse një ushtarak ka punuar 25 vjet, do t’i llogaritet pensioni si më poshtë. 25 vjet -15 vjet = 10 vjet. Edhe nëse ka më shumë, qoftë edhe 30 vjet prapë do i llogariten për pension vetëm 25 vjet. Atëherë 10 vjet x 2 % = 20 % + 50 % ( për 15 vitet e punës = 70 % e pagës. Kjo i takonte ligjit 8087, datë 13 mars 1996. Pikërisht ky ligj, me të cilin ushtarakët janë trajtuar, u rrëzua dhe në fuqi hyri ligji i ri 10142, datë 15 maj 2009. Ky ligj bëri që të suprimohen të gjitha përfitimet me ligjin e mëparshëm dhe se ata që e përfituan të drejtën me vendime gjykate, por edhe në mbështetje të ligjit të mëparshëm, apo edhe në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese tashmë duhet të kthenin paratë, pasi ushtarakët do trajtoheshin me ligjin 10142, datë 15. 5. 2009. Sipas këtij ligji femrat dhe meshkujt dalin në pension 42 dhe 47 vjeç dhe me 12, dhe 15 vjet punë. Edhe 2 mujori i parë edhe 22 mujori me 50 % nuk ndryshon. Ajo që rëndon dhe dëmton ushtarakët ka të bëjë me llogaritjen e pensionit, ku çdo vit nga 15 vjet e sipër, por jo më shumë se 25 vjet do të shumëzohen me koeficientin 1. 5%. 

Pra, nëse një ushtarak ka punuar 15 vjet, do përfitojë për çdo vit 1. 5 %. Pra 15 vjet x 1. 5 % = 22. 5 % të pagës në momentin e daljes në pension. Pra nëse paga ka qenë 350 mijë lekë të vjetra dhe ish-ushtaraku (apo ushtaraku në rezervë apo lirim ) do të marrë 22. 5 % të 350 mijë lekëve = 78 750 lekë. Nëse ka 25 vjet punë do të marrë 25 vjet x 1. 5 % = 37. 5 % të pagës. Dhe nëse paga e tij ishte 500 mijë lekë do të marrë: 37. 5% të 500 mijë lekëve = 187. 500 lekë të vjetra. Nëse një ushtarak ka 20 vjet punë do të marrë x 1. 5 % =30 %. Dhe nëse rroga, fjala bie është 600 mijë lekë x 30 % = 180 mijë lekë pension. E kështu me radhë për çdo rast. Por ku qëndron diferenca mes dy ligjeve dhe që ky i fundit dëmtoi ushtarakët dhe ua uli ndjeshëm pensionin, duke i barazuar pak a shumë me sanitaret e institucioneve. 

1- Sipas ligjit të parë 8087, datë 13 mars 1996 ushtarakët merrnin: Për 15 vjet punë =50% të pagës dhe për çdo vit x 2%, dhe nëse kishin 25 vjet punë do merrnin; 25 vjet -15 që trajtohet me 50% = 10 vjet. Këto 10 vjet do shumëzohen x 2 % për çdo vit = 20 %. Plus 50 % = 70 % të pagës. 
2- Ligji i dytë 10142, datë 15 maj 2009 i trajton 25 vjet punë x1. 5 % = 37. 5 %
Diferenca: Ligji i parë 70% – Ligji i dytë 35 % = 25 % është diferenca që ligji i dytë ua heqë ushtarakëve. Pikërisht kjo ulje është skandaloze, kur sot edhe nëpunësit më të rëndomtë marrin nga 200 mijë lekë pension, pa llogaritur pedagogë e profesorë me diploma dhe grada fallco, që marrin nga 500 mijë lekë pension, a thua se pak kanë rrjepur në shkolla, duke shpërndarë diploma fallco, si ata të Italisë etj. Por këtë veprim duhej ta kishin parandaluar ish ushtarakët-deputetë në Kuvend. Por këtë të fundit me urdhër partie u fshehën, sepse për vete marrin nga 50 deri në 60 % të rrogës së deputetit. Pra, nëse një deputet ka dalë në pension në 1996 dhe rroga e tij ka qenë në atë kohë, fjala bie 500 mijë lekë të vjetra, ai sot merr 50 deri në 60 % të rrogës së deputetit aktual. Deputetët aktualë marrin afërsisht 2 milion lekë dhe pensioni i atij që ka dalë në 1996 është 1 milion lekë. Nëse deputetët aktualë dalin sot në pension ata edhe në vitin 2025 do të marrin 50 deri në 60 % të rrogës së deputetit të vitit 2025. Dhe nëse rroga e tyre do të jetë 4 mijë euro, këta ish-ushtarakët e sotëm do të marrin 60 % të 4mijë eurove = 2400 euro pension. Kjo është arsyeja që ushtarakët e sotëm të nxjerrë në lirim apo hedhur në rrugë, nuk u përkrahën dhe po diskriminohen. Ndaj “Rilindja” ka për detyrë t’iu rikthejë dinjitetin intelektualëve dhe personaliteteve të vendit, atdhetarëve dhe heronjve të këtij kombi. Të mos harrojmë se janë me qindra ushtarakë të Ushtrisë, Policisë së Shtetit, Burgjeve, Shërbimeve Sekretë, atyre Speciale dhe të gjitha forcave të tjera, që duan vënien në vend të drejtësisë dhe dinjitetit. Atyre sot u dridhet dora të pinë një kafe, por deri dje, nuk iu drodh gishti dhe syri në mbrojtje të kufijve, territorit, rendit dhe sigurisë së brendshme. Të mos harrojmë dhe të kujtojmë me mirënjohje dhe përulje të thellë, ata dhjetëra-qindra ushtarakë të Mbrojtjes, Rendit dhe Shërbimeve Sekrete që kanë dhënë jetën e tyre për Atdheun dhe kombin. 

*Drejtor i Gazetës “Telegraf” 
Sigal