Engjëll Musai: Reformim të drejtësisë apo gjueti shtrigash?

530
“Nëse drafti për Reformën në Drejtësi do të dështojë dhe nuk do e kalojë klasën në Venecia, atëherë unë do të japë dorëheqjen nga ky komision”, kishte deklaruar kohë më parë kreu i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë Fatmir Xhafa. Dhe komisioni i Venecias, pasi e shqyrtoi me kujdes projektin e komisionit partiak të drejtësisë, pasi u njohë me sugjerimet e grupeve të interesi, opozitës etj. i tha një “Jo” të fortë “draftit Xhafa” . Sigurisht që deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe dhe se të dështosh në politikë nga mosdija apo nga qëllime të caktuara, qoftë edhe të diktuara, pranohet. Dhe Fatmir Xhafa nuk njihet si ekspert i së drejtës, por si një njohës i saj, sigurisht që po. Ndaj do të ishte në nderin e tij personal dhe të integritetit të tij moral që ai të jepte dorëheqjen dhe të gjithë do e kuptonin që Xhafa këtë veprim e bëri për të mos nxirë të dyja faqet. Por Xhafa me faqe të nxirë vazhdon të mbrojë në mënyrë të pakuptimtë padronët e tij, qoftë brenda “korporatës” së Rilindjes, ashtu edhe në qarqet antikombëtare shqiptare. Komisioni i Venecias e ka shpartalluar projekt-draftin e nisur nga Konisioni i Ligjeve dhe ka kërkuar të ndërhyhet pothuajse në të gjitha nenet e tij. Ndërsa vetë Xhafa deklaron, se ky komision na ka dhënë bekimin dhe se në parim është dakord për atë çka ne kemi dërguar.

Epo kjo, do të thoshte dikur i madhi Roland Trebicka tek “Pallati 176” që “kësaj i thonë t’ia japësh vetes bam me dorën tënde”. Por ne nuk do merremi shumë me analizën dhe individualitetin e Z.Xhafa edhe për të mos e personalizuar dështimin, por do të na duhej t’i kujtonim kryekomisionerit parlamentar të ligjeve një shprehje të urte popullore, e cila thotë se:“ Dielli duket që në mëngjes”. Dhe ky diell u pa në të gdhirë dhe në të ngrysur. U pa kur nuk e pranuan si relator dhe u bë fakt kur i dhanë mandatën se ky ligj, më shumë se demokratik ka nuanca diktatoriale dhe është rudiment i sistemit komunist. Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço dha dorëheqjen për dy arsye kryesore: E para se nuk u respektuan dispozitat ligjore, ku Ministri i Drejtësisë është iniciatori i çdo projekti apo mendimi ligjor, duke ia marrë kompetencat Fatmir Xhafa, sigurisht me miratimin e kreut të tij, Rama dhe së dyti, sepse z. Naço nuk pranoi dhe denoncoi publikisht Kreun e Qeverisë dhe ministren e koordinimit qeveri-kuvend Ermonela Felaj për ligjin më famëkeq të shpifjes, ku deri më sot vetëm Erdogani dhe Putini e kanë këtë paketë. Por le t’i kthehemi fakteve pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias. Mendimi i juristëve, konstitucionistëve, ekspertëve që merren me drejtësinë, por që nuk kanë marrë pjesë në hartimin e reformës në drejtësi, ka qenë shumë i kualifikuar dhe të gjitha problemet që kanë ngritur me kohë, thuajse përputhen me opinionet e Komisionit të Venecias. Nga ana tjetër të vjen keq, por kjo është e vërtetë, e pamohueshme, që në rekomandimet e Komisionit të Venecias, drafti që ka hartuar Komisioni Parlamentar është hedhur totalisht poshtë. Janë justifikimet e atyre që duan ta mbrojnë tani, që thonë se Komisioni i Venecias ka kërkuar të bëjë përmirësime dhe ndryshime në draft. Në fakt, po të vëresh një e nga një opinionet, shikon që në të gjitha dispozitat e draftit, Komisioni i Veneceias është shprehur se “kjo është e papranueshme”, “kjo është e paqartë”, “kjo nuk kuptohet, se si do të zgjidhë problemet”. Pra, drafti i reformës në drejtësi, tani ka nevojë të rishikohet plotësisht, të ristrukturohet nga e para dhe dorëheqja vullnetare e Xhafës, do të regjistrohej si një gjest human. Por le t’i analizojmë disa nga çështjet e ngritura pas këtij dështimi.
Së pari: Personazhet e tryezës së ‘90 janë edhe sot, në 2015
Ka një mungesë përgjegjësie për këtë dështim, pasi taksapaguesi shqiptar paguan qoftë deputetët,qoftë ekspertët për punë cilësore dhe rendiment në të mirë dhe shërbim të qytetarëve, drejtësisë së vonuar apo munguar. Atëherë lind pyetja, kush janë këta ekspertë, subjekt të përgatitjes së këtij projekti? A ndjejnë ndopak përgjegjësi këta ekspertë për dështimin dhe keqpërdorjen nga politika? Shqiptarët kanë një shprehje që të fyen, por që është e vërtetë “të lëpish atë që ke pështyrë vetë”. Që nga 1991, me ndihmën dhe orientimin e ndërkombëtarëve, nën mbikëqyrjen e tyre kemi përshtatur gjithë legjislacionin tonë, me legjislacionin Europian. Bëhen ndryshime 2 herë në vit në Kodin Penal, në Procedurën Penale, Civile, janë miratuar ligje kundër krimit të organizuar, korrupsionit, u krijuan gjykatat administrative, ajo e Krimeve të Rënda me prokurorinë e saj, që janë institucione anti-korrupsion dhe këto janë bërë me iniciativën e drejtpërdrejtë të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nëse kërkojnë të bëjnë sërish ndryshime kaq të thella, duhet së pari të pranojnë dështimin e tyre në 25 vjet, ku të njëjtët emra kanë firmosur nga kushtetuta e parë pluraliste e viteve 1990 e deri më sot. Përse nuk dalin dhe t’i thonë politikës, që ju nuk keni të drejtë të zhbëni me disa deputetë të inkriminuar, atë që vota qytetare e konsideroi pasaportën e këtij populli dhe vendi në 1998? Pse nuk i thonë politikës, bollë luajtët me dinjitetin tonë? Sigurisht joshen nga projektet që marrin nga shteti, ndërkombëtarët dhe fondacionet famëkeqe dhe antishqiptare.
Së dyti: Politika shqiptare, SOROS, ekspertët e huaj dhe grupet e interesit 
– Kam frikë që palët politike do të qëndrojnë kokëfortë. Janë të detyruar të bëjnë ndryshime, që ka rekomanduar “Venecia”, por aty ku do të mundin t’i kapërcejnë këto rekomandime, palët politike nuk do të heqin dorë nga qëndrimi i tyre. Edhe ndërkombëtarët këmbëngulin me të madhe që t’i përmbahen këtij drafti, që ata e kanë hartuar fillimisht, sepse është edhe kontributi i tyre në këtë draft edhe pse u hodh thuajse tërësisht nga “Venecia” dhe ndërkombëtarët nuk mund ta pranojnë këtë, sepse përndryshe, u duhet të pranojnë të gjithë ndërkombëtarët që hartuan këtë draft të reformës në drejtësi edhe dështimin e tyre, sepse është një draft me të meta të theksuara, pothuajse antikushtetues, që bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, që bie ndesh me parimet themelore të ndarjes së pushteteve. Ky është shqetësimi edhe i juristëve, të gjyqtarëve, të prokurorëve, të avokatëve, të cilët janë shprehur edhe në takimet e përbashkëta, se fillimisht u bë më tepër një propagandë, sikur u është marrë edhe atyre mendimi, por në realitet, ata u shpërfillën. Deklarata e Xhafës, se falënderoj ekspertët e “SOROS” për mbështetjen tregon strategjinë djallëzore të ‘Rilindasve” dhe nga ana tjetër të disa grupeve “sorosiane” brenda opozitës për të shtënë përfundimisht Shqipërinë dhe pasuritë e sajë në dorë, por që fatmirësisht kartat e së cilës i dogji me shumë profesionalizëm Komisioni i Venecias. Por edhe dështimi i ambasadores së BE, së shumëpërfolururës, Vlautin vlen të trajtohet në ditët në vijim.
Së treti: Ky draft do t’i ketë ditët e numëruara
Nuk ka as më të voglin dyshim që ky draft do të bjerë poshtë, për një kohë shumë të shkurtër dhe kjo për faktin e thjeshtë, se ai po përgatitet i tillë që t’i shërbejë individëve dhe kastës politike e cila edhe kur të largohet nga pushteti, të jetë e mbrojtur nga llogaridhënia dhe ndëshkimi qytetar dhe i vërtetë ligjor. Mjafton të shihen përplasja dhe paqartësia e kompetencave dhe krijimi i strukturave paralele në Gjykatën e Larte (Civile,Administrative) Kompetencat e Inspektoriatit, vjetërsia e të zgjedhurve, Prokurori i Përgjithshëm, vënia nën kontroll nga Ministri i Drejtësisë Inspektoriatit, roli i Gjykatës Kushtetuese etj. Komisioni i Venecias thotë që në kushtet kur ministri i Drejtësisë ka këtë iniciativë, ai nuk mund të jetë njëkohësisht edhe vendimmarrësi, të ketë të drejtën e votës, prandaj rekomandon që prania e roli i ministrit të Drejtësisë në këto institucione të Gjyqësorit të jetë sa më i kufizuar. Ministri i Drejtësisë ka të drejtën të bëjë proçedimin disiplinor dhe të jenë të tjerë, ata që do të marrin vendimin. Jo vetëm kaq. Por në rekomandimet që jep për Tribunalin Gjyqësor, Komisioni i Venecias konstaton problem edhe praninë e Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe për persona të tjerë, pa i përmendur, por që është kryetari i Dhomës së Avokatëve, të cilët nuk kanë punë me sistemin gjyqësor, në kuptimin e pjesëmarrjes në këto institucione, që marrin masa disiplinore për gjyqtarët. Në fund të fundit, Prokurori i Përgjithshëm dhe kryetari i Dhomës së Avokatisë janë dy drejtuesit e atyre organeve që janë palë në procesin gjyqësor. Gjithmonë, prokuroria ka pakënaqësi ndaj gjykatës, Avokatia ka edhe ajo pakënaqësi nga gjykata për vendimet e marra, por ndryshimet kushtetuese që propozohen i japin palëve, që janë në konflikt interesi me gjykatën, të marrin masa disiplinore ndaj gjyqtarëve. Kjo është krejtësisht anormale. Ndaj Komisioni i Venecias thotë që këto duhet të shmangen, sepse cenojnë pavarësinë e gjykatës, por edhe krijojnë probleme që i bëjnë dëm drejtësisë. 
Së katërti: Ndryshimet kushtetuese, kryeministri dhe gjuetia e shtrigave
Nëse politika do i kishte seriozisht këto ndryshime, atëherë i takonte që një pjesë e mirë e politikanëve të përgatisnin vetë qelitë e burgut dhe disa të tjerë të bënin gati litarin rreth qafës së tyre. Mendoj dhe gjykoj, se do ishte mirë që përpara se të merreshin me ndryshimet kushtetuese, të përgatitnin dhe shpallnin ligjin për hapjen e dosjeve dhe atë të dekriminalizimit. Pasi të mbylleshin këto dy ligje, atëherë besojë, se do i hapej rruga nismës së plotë për reformën në drejtësi. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe “nga e thëna në të bërë, na ndanë në mes një mal i tërë”, do të thoshte para ca kohesh kryeministri Rama, i cili deklaroi se “as e kamë lexuar draftin”. Nëse është e vërtetë, atëherë kjo është fyerje për ata që të kanë zgjedhur apo të mbajnë në krye me taksat e tyre. Nëse është diversion, kjo po, është më e pranueshme. Personalisht mendoj, se diversion është më afër të vërtetës. Ndaj dhe ndërkombëtarët nuk duan as rikthimin e diktaturës dhe as “prerjen e kokave të turkut” apo larjen e hesapeve brenda llojit, nëpërmjet gjuetisë së shtrigave. Ky projekt tentoj të uzurponte të gjithë drejtësinë me qëllimin final, të burgosjes dhe syrgjynosjes së kundërshtarëve politikë brenda ‘korporatës’ së Rilindjes dhe opozitës së turbullt.
Sigal