Engjëll Musai: Qeverinë që kemi ne, mos e past’ as hasmi !

Engjëll Musai
Drejtor i "Telegraf"

Para 25 qershorit 2017, shqiptarët ishin krejt të lirë të përcaktonin qeverisjen që donin dhe që u duhej, për të mos mbetur në këtë “moçal” social-ekonomik, ku i ka zhytur e po i mban qëllimisht politika “sulltanat”, ndarë në “pashallëqe” me mirëkuptim interesash. Pas hedhjes së votës, përsëri “na mbeti në derë” qeverisja e “Rilindjes”, por me logon “Shqipëria që duam” dhe që pas pazarit të 18 majit, u la të bënte siç deshi me votën popullore. Referuar edhe modelit shterp që na ofroi qeveria e 4 viteve që ikën, duhet të kuptojmë e pranojmë më së fundi, se prej 25 vitesh po jetojmë me shpresën “litar”, të stërzgjatur pa fund e pa “koma” (ndalesa), duke rendur nëpër “shkretëtirën” tranzicion, në kërkim dhe ëndërrim të Shqipërisë që duam, pak për vehten dhe shumë për brezin e sotëm pas nesh e për të tjerët pas tyre.

Ëndrra dhe shpresa boshe, qeveri që i ikën populli 

Me këtë ëndërr boshe, kemi mbajtur frymën gjallë deri sot. Për ata që në vitin ‘90 ishin 20-25 vjeçar, prindërit thoshin: “Jeta jonë iku kot, të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve”. Tani që ata 20-25-vjeçar, janë bërë vetë prindër, me fëmijë të rritur pa asnjë shpresë ndryshimi për jetën, po përsërisin ëndrrën dhe shpresën boshe të prindërve të tyre, të 27 viteve më parë: “Mbase bëhet mirë për fëmijët”. Por nuk po bëhet mirë dhe ka shenja, se nuk do të bëhet më mirë, paçka sa fjalimet e shtetarëve janë shumë të mira!! Mos shkoftë më tej ky refren zhgënjimi popullor që po përcillet në çdo brez, mbasi jo shumë vonë nëse nuk gabohemi, ka gjasa të ndodh që ato urdhëresat “defterë bakalli”, të nxjerra prej policisë me kritere kufizuese udhëtimi jashtë shtetit dhe postblloqet e ushtrisë në kufi, mund të kthejnë mbrapa 1, 2, 10, 15, 30 e 100 persona apo familje, por nuk mund të ndalin dot gjithë shqiptarët e tërbuar për bukën e gojës dhe pasigurinë e të ardhmes së fëmijëve! Të mos harrojmë që vetëm në 3 vitet e fundit, kësaj qeverie i kanë ikur afro 300 mijë shqiptarë, 60% e të cilëve të rinj në moshë aktive pune, 30% specialistë universitarë, ekspertë e akademikë të çdo fushe, 20% fëmijë të moshës 7-13 vjeç, 5% mjekë e infermierë, 40% profesionistë të mesëm! 

Shqipëria që duam dhe qeveria që nuk na do...

Shqiptarët kanë ikur e po ikin dhe siç duken “retë”, do të vazhdojnë të ikin, të detyruar prej “stuhisë” së shpërfilljes dhe denigrimit të klanit qeverisës. Përse? As profesorët dhe shkencëtarët e klasit të lartë, nuk kanë gjetur dot një vend pune në institucionet shkencore, as në zyrat e pushtetit familjar e as në shërbimet publike të nivelit të ulët, paçka se janë të shkolluar, të kualifikuar e të aftë! Kanë ikur, mbasi prej qeverisjes e cila trumbeton se “do shumë Shqipërinë”, nuk është investuar “asnjë qindarkë” për krijim vendesh pune në ekonomi e shërbim. Biznesi i mbijetuar që ka punësuar aq sa mundet, vazhdon të jetë i sulmuar me taksa, presione politike, gjoba shtetërore, bllokim kreditimesh, lejim kërcënimesh, dhune administrative, seri peng-marrjesh, gjobë-vëniesh, grabitjesh e pasigurie prej krimit, që shpesh kanë rezultuar se janë “komando” të individëve dhe klaneve në pushtet e politikë! Deri sot, kemi një Shqipëri që ende vazhdojmë ta duam, sepse e kemi vendin tonë! Por kemi një qeveri, që nuk na do, që na detyron ta braktisim duke na nxitur të mos mendojmë më për të! Pse? Sepse edhe 4 vitet e “rilindjes”, ashtu si pesë 4 vjeçarët e tranzicionit para tij, ishin vazhdim i thellimit të rënies ekonomike. Ishin rritje e borxheve dhe çmimeve. Ishin model aktiv dhe barabar i shtimit të padrejtësive në çdo shërbim publik. Qeverisja “Rilindja” ofroi dhe zbatoi pushtetin e shpërfilljes, harbutërisë, pabarazisë e ryshfeteve në administratën publike. Ishin 4 vitet e shtimit dhe rritjes së taksave deri tek uji, ajri e buka! Ishin 4 vite qeverisjeje, me “rilindje” dhe vërshim të krimeve “popullore”, për shkaqe sociale-ekonomike, kryer nga pjesëtarë familjesh në varfëri ekstreme. Ishin vitet e sundimit dhe veprimit të monopoleve shkatërruese e bllokuese të individëve dhe klaneve qeveritare, kundër biznesit të ndershëm. Katër vitet që duan edhe afro 4 javë të mbyllen, ishin “mbretërimi” i koncesioneve në shëndetësi, dogana, tatime, polici, arsim, kulturë, turizëm, ekonomi e kudo, të cilat zhvatën miliona euro taksa të shqiptarëve. Katër vitet e “rilindjes”, ishin instalim dhe veprim i një qeverie që nuk do ta dëshironte asnjë popull, mbasi ofroi korrupsion, varfëri e papunësi ekstreme, me pasojë largimet masive nga Shqipëria! Asnjë popull nuk ikën kot nga vendi i tij! Ndryshe, do të shikonim që do të braktisnin vendin e tyre gjermanët, anglezët që dolën nga BE, austriakët, francezët, amerikanët, italianët, danezët, holandezët, norvegjezët, suedezet, belgët e madje edhe grekët me shtet aq të shkrehur ekonomikisht, sa qeveria e tyre po blen me kredi të BE edhe letrat higjienike për tualetet e zyrave! Që edhe kjo qeverisje, nuk e do këtë popull dhe nuk punoi për interesat e vendit, u dëshmua me ligjet dhe vendimet që ka hartuar, me privilegjet e shumta për klanin e saj, me pagat dhe pensionet e larta për veten, me lidhjet e dyshimta për biznese kriminale deri anti-mjedisore, me pazaret e fshehta mes njeri-tjetrit dhe me të huajt, me investimet klienteliste dhe braktisjen e interesave të vendit! Provë është lënia e të huajve, për të zhvatur pasuritë nëntokësore “flori”, për të kontrolluar portet, aeroportet, pyjet, burimet ujore me HEC-e, ushqimet me 97% importe, bankat, universitetet, vlerat kulturore kombëtare e deri... kishat! Të qëndruar në pushtet me 25% të 50% të votave të shqiptarëve, “rilindësit” e Shqipërisë që ata duan, po vazhdojnë të tallen me Shqipërinë që duam ne dhe me ne, si popull! Troç, qeverinë që kemi ne, mos e past’ as hasmi!


Ja çfarë qeverie kemi? 

- Kemi një qeveri, që nuk shqetësohet kur vdes apo vritet një shqiptar në emigracion, duke i lënë rrugëve e morgjeve të botës! 
- Kemi një qeveri, që ka frikë të reagoj kur Pasaporta e Republikës, i griset dhe i hidhet në halet e pikave policore kufitare fqinje! 
- Kemi një qeveri, që hesht e nuk alarmon botën, kur fqinjët edhe pas 150 vjetësh po vazhdojnë të na djegin librat shqip, në shkollat e hapura në emigracion! 
- Kemi një qeveri, që lejon bandat e bankave të huaja të bllokojnë kreditimin e biznesit shqiptar, të rrjepin kursimet e shqiptarëve me interesa të larta depozitash dhe të çojnë në vendet e tyre, miliardat që fitojnë në vendin tonë! 
- Kemi një qeveri, që nuk trishtohet kur dëgjon, se qindra adoleshentë e kryefamiljarë grabisin dhe vjedhin nga varfëria, apo kur dëgjon se brenda familjeve shqiptare vriten për konflikte me bazë papunësinë! 
- Kemi një qeveri, që nuk reagon me masa mbështetëse sociale-ekonomike kur dëgjon, se shumë kryefamiljarë në varfëri ekstreme, vetëvriten mbasi nuk paguajnë dot tarifën e energjisë elektrike dhe zgjedhin... varrin para burgut të ofruar prej qeverisë! 
- Kemi një qeveri, që nuk pajis dot me karroca invalidët dhe nuk ushqen dot të moshuarit e braktisur! 
- Kemi një qeveri, që nuk shuan do zjarret! 
- Kemi një qeveri, që importon, shet dhe përdor ilaçe të skaduara në spitale! 
- Kemi qeveri, që nuk çon asnjë fëmijë për kurim jashtë shtetit! 
- Kemi një qeveri, që për çdo person të papunë jep vetëm 60 lekë të reja ndihmë ekonomike në ditë! 
- Kemi një qeveri, që bën ligj për të mbrojtur zaptuesit dhe hajdutët e tokave të pronarëve legjitim! 
- Kemi një qeveri, që na sjell mbetjet kancerogjene radioaktive dhe plehrat e botës
-Kemi një qeveri që nuk zhbënë një akt normativ që diskriminon ushtarakët shqiptar
-Kemi një qeveri që harron lapidarët dhe varrezat e dëshmorëve dhe u ngre përmendore tradhëtarëve dhe kolaboracionistëve 
-Kemi një qeveri që mbanë me para Akademi dhe Komitete duke mos i dhënë asnjë kontribut shtetit dhe politikave kombëtare 


Largimi i të rinjve

Së fundmi dhe ndoshta më e rëndësishmjë është se në këto 25 vite kemi pasur një qeverisje dhe një klasë politike në tërësi të papërgjegjshme e cila largimin e popullatës dhe sidomos të të rinjve jashtë trojeve e trajton si një valvul shkarkimi për pakënaqsitë dhe zullimet që bënë vetë shtetarët , ndërkohë që duhet të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të frenuar këtë fenomen, pra largimi rinisë nga trojet shqiptare i cili mund të jetë rreziku më i madh që i kanoset kombit. E kam thënë edhe më heret se ky mund të jetë një rrezik shumë më i madh se kërcënimet tjera, cilat do qofshin ato. Kjo klasë politike duhet të zgjohet nga gjumi dhe ta trajtojë këtë çështje si një prioritet të lartë të sigurimit kombëtar të popullit shqipëtar.