Engjëll MUSAI*/Që Rama nesër, para se të dorëzojë PS-në, të mos fajësojë Berishën

57

Berati dhe Kukësi janë 2 qytetet që do të përcaktojnë për së shumti  se kush do të jetë më afër pushtetit,  pas 23 qershorit të 2013-s. Sigurisht, ka edhe faktorë të tjerë dhe, mbi të gjitha aleancat e partive, emrat e kandidatëve, mbrojtja e votës, nxitja e të pavendosurve, bindja e të pakënaqurve dhe shumë  e shumë faktorë të tjerë. Duke mos pretenduar se jemi profetët e gjetjes së të vërtetës,  por edhe pa anashkaluar parashikimet tona reale, të cilat kanë rezultuar  98% të përafërta në të gjitha zgjedhjet lokale apo të përgjithshme. Sigurisht, këto do jenë pjesë e analizave të kësaj fushate, deri në 23 qershorin e 2013-s. Kemi përcaktuar me ekzaktësi të gjitha mandatet e 2009-s, ato lokale, për kryebashkiakët e  2011-s,  madje edhe humbjen e z.Rama me 0.01%.  Në ditët vijuese do pasqyrojmë faksimile të gazetës për këto sondazhe,  për të treguar realitetin dhe ftohtësinë, kur bëhet fjalë për të mos humbur imazhin tënd dhe larg tifozllëkut, pavarësisht dëshirave personale.  Sigurisht, që sondazhet e reja ende nuk kanë filluar dhe ndoshta në 3-mujorin e fundit, pikërisht atëherë kur fushata fillon të marrë atmosferë  elektrizuese do të llogariten se për kë do të votojnë të pavendosurit, apo indiferentët, pasi  militantët e të gjitha partive në shumicën absolute  nuk ndryshojnë  preferencën e tyre.  Por deri atëherë ka edhe 3 muaj kohë dhe ne i kthehemi analizës së  përgatitjeve, të cilat do të ndikojnë seriozisht në rezultatin final të zgjedhjeve të 2013-s. Më 7 nëntor 2012 ishte afati i fundit i ndarjes së mandateve dhe duhej të kishte përfunduar  caktimi i numrit të deputetëve për çdo qark. Megjithëse kanë kaluar  45 ditë dhe përsëri  gjithçka është e bllokuar. Arsyeja dihet dhe partitë po bëjnë llogaritë që ta fillojnë startin me deputetë të sigurt, që e konvertuar në numër votuesish është rreth 30 mijë votues për 1 mandat deputeti. Partia në pushtet kërkon që në Qarkun e Kukësit të ruajë mandatin e katërt, i cili edhe në zgjedhjet e 2009 nuk duhej të ishte në këtë qark po të kemi parasysh që në disa qarqe me prirje të majta kanë mbetur nga tre deri katër mijë votues mbi  mesataren e përcaktuar. Dhe po të mbledhësh pesë qarqe nga katër mijë e ca votues, i takon që edhe një deputet i së majtës rrjedh në mënyrë të heshtur, pasi sistemi është i tillë që votat e qarkut digjen pavarësisht  sa i madh është ky numër, pasi mbetjet nuk mund të shfrytëzohen sipas sistemit të përzierë, që kishim në zgjedhjet e para 2009-s.  Argumentet se, heqja e një mandati nga Berati nuk i prek deputetët e PS-së është qesharake. Po të kemi parasysh faktin që 8 mandatet në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e fundit janë ndarë 4 për PS-në, 1 për LSI-në dhe 3 për PD-në . Por po të mos ndodhte pavlefshmëria e votave të korrigjuara rreth 3000 të tilla të Erion Velisë, rezultati do ishte 5 deputetë PS-ja , 2 deputetë PD-ja (aq sa pretendon edhe këtë radhë) dhe një LSI-ja. Pra PS-së i hiqet 1 deputet i sigurt në  Berat dhe jo sikurse pretendon PD-ja se neve humbasim 1 deputet. Absolutisht  ky deputet u mor nga PD-ja prej qejfmbetjeve dhe papërgjegjshmërisë së deputetëve socialistë të qarkut Berat. Dhe po të ecim në logjikën e zgjedhjeve 2009, ku rezultati ishte 70 për PD-në dhe 66 për PS-në,  me këto ndryshime i bie që një deputet i Kukësit i larguar nga ky qark  e çon në 69 numrin e deputetëve të PD-së, po  t’i heqësh edhe 1 të Beratit që e merr PS-ja, rezultati vete 68 me 68. Por po të kemi parasysh ato që thamë më lart, se socialistëve  u rrjedh 1 deputet nga  gjashtë qarqet  me ato mbetjet  në dukje të vogla,  1 deputet kërkon ta marrë PD-ja në   Kukës si dhe 1 i hiqet Beratit dhe kjo bën që socialistët dhe Edi Rama të futen  në zgjedhje me 3 deputetë më pak, apo e thënë ndryshe, të fituara në tavolinë nga PD-ja, ende pa filluar fushata elektorale. I vetëm, i preokupuar në komisionin e ligjeve gjatë kësaj periudhe është  deputeti Gjiknuri, i cili me sa duket  po zbardh atë që në mënyrë konfidenciale ka deklaruar, se fati im si deputet dhe qënia ime në PS varet për shumë arsye, edhe me qëndrimin e Ramës në krye të saj. Ndaj, dhe ai sulmohet egërsisht nga grupi i PD-së dhe fyhet prej tyre, ndërkohë që, deputetët e tjerë të PS-së e lënë pa mbështetje, a thua se u intereson një humbje tjetër e socialistëve. Përfundimisht, 3 mandate deputetësh në këtë klimë politike, blerje dhe shitje vote, oferta për vende pune, dalje partish të reja e shumë e shumë arsye të tjera e bëjnë përfundimisht të parikuperueshme  për socialistët, duke i lënë në opozitë për herë të tretë rresht.  Ndaj, Edi Rama nuk duhet të tërhiqet dhe më mirë të mos futet në zgjedhje pa u  vendosur drejtësia, se sa të nënshkruajë kapitullimin e tij dhe largimin nga Kreu i PS-së, pas 23 Qershorit të 2013-s. Dhe atëherë mund të ketë të drejtë të thotë se vërtetë më rivodhën, por faji  është  i  hajdutit  dhe  përgjegjësia e  rojës.

* Drejtor i Gazetës Telegraf