Ëngjëll Musai: Pse po e anashkalon Tiranën gjatë vizitës në Ballkan, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Dr. Wes Mitchell

572
Ëngjëll Musai
Drejtor i Telegraf
Sot Ndihmës Sekretari i Shtetit Wes Mitchel nis një tur vizitash në kryeqytetet e pesë vendeve ballkanike ku përfshihen Prishtina, Shkupi, Beogradi, Athina dhe Nikosia. Kjo është vizita e dytë që Dr. Mitchell zhvillon në Evropë, pasi të parën e zhvilloi në fillim të Nëntorit 2017, gjatë së cilës ai zhvilloi takime në disa prej kryeqyteteve perëndimore, që sipas njoftimit të DASH kishte si qëllim “për të nënvizuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë transatlantike dhe ndaj partneritetit tonë” me vendet e evropiane dhe euroaziatike. Ndërsa vizita e dytë do të zhvillohet pikërisht në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë dhe Qipron, ndërkohë që Shqipëria nuk bën pjesë në agjendën e Ndihmës Sekretarit Mitchell. Mundet të jetë edhe rastësi lënia jashtë kësaj agjente e Shqipërisë, por qëndrimi i Tiranës zyrtare dhe politikat e saj ndaj qeverisë amerikane që nga koha e fitores të Presidentit Donald Trump kanë qenë diametralisht të kundërta dhe në shumë raste fyese ndaj integritetit dhe vetë personalitetit të Presidentit të SHBA. Edhe qëndrimi i Tiranës zyrtare në votimin për mos njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit ra ndeshë me politikën amerikane dhe kjo bëri që vetë Presidenti Trump dhe Ambasadorja e SHBA në OKB Nikki Haley të deklaronte se të gjitha vendet që votuan pro rezolutës anti-Trump që refuzon njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të regjistrohen dhe do mbahen shënim, pasi ky votim do të bëjë dallimin në atë se si amerikanët e shikojnë OKB dhe se si ne i shikojmë vendet që janë pro nesh apo kundër Amerikës. Madje ambasadores Haley iu kërkua nga Presidenti Trump që të përgatiste një raport mbi vendet që votuan kundër SHBA, mes të cilave ishte edhe Shqipëria. Pikërisht ky qëndrim i Tiranës zyrtare ndoshta mund të jetë një arsye më shumë se, përse zyrtari më i lartë amerikan dhe pasues i Victoria Nuland anashkaloi vizitën në Shqipëri çka do të thotë se marrëdhëniet e vendit tonë me me SHBA janë në situatën më të vështirë pas asaj të 1996-1997. Ndryshe nga deklaratat publike të Thaçit dhe Haradinajt të cilët deklaruan, se nëse Kosova do të kishte të drejtë vote, ajo do të ishte pro SHBA-ve, qeveria Rama dhe ministri Bushati ende dhe sot e kësaj dite nuk ka kërkuar ndjesë, por është justifikuar se kjo votë nuk ndikon në marrëdhëniet me SHBA-të, a thua se z.Bushati menaxhon edhe politikën e jashtme amerikane dhe flet në emër të saj?!…

DASH : Ndihmës Sekretari Mitchell do të udhëtojë në Prishtinë, Shkup, Beograd, Athinë dhe Nikosia
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë; Shkup, Maqedoni; Beograd, Serbi; Athinë, Greqi; dhe Nicosia, Qipro 12-17 mars.
Më 12 mars në Prishtinë: Dr. Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës, duke përfshirë Presidentin Thaçi, Kryeministrin Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë politikës dhe shoqërisë civile për të riafirmuar lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai do të inkurajojë qeverinë e Kosovës për të avancuar marrëdhëniet e normalizuara me Serbinë, për të forcuar sundimin e ligjit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të kapërcyer sfidat rajonale në favor të stabilitetit dhe integrimit perëndimor.
Në 13 mars në Shkup: Ai do të takohet me Kryeministrin Zaev dhe Ministrin e Jashtëm Dimitrov. Ai do të riafirmojë mbështetjen e SHBA për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë, do të ofrojë mbështetje për negociatat e vazhdueshme me Greqinë dhe do të kërkojë nga qeveria maqedonase të zbatojë reformat për të përmirësuar qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit dhe një media të lirë.
Më 14 mars në Beograd: Dr. Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë serbë, duke përfshirë presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Brnabiç dhe udhëheqësit e opozitës. Ai do të riafirmojë marrëdhënien e fortë midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe të nxisë qeverinë serbe të shtyjë përpara për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, për të bërë reformat e nevojshme për të arritur qëllimin e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për të mbështetur në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.
Në 15 mars Athinë: Asistent Sekretari Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë grekë për të diskutuar thellimin e lidhjeve strategjike të SHBA-së dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë fushat e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe investimeve.
Së fundi, më 16 mars në Nikosia: Dr. Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë të Republikës së Qipros për të diskutuar çështjet dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë zhvillimin e burimeve energjetike në Mesdheun Lindor. Ai do të takohet gjithashtu me krerët grekë qipriotë dhe turq qipriotë, si dhe me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara.
Sigurisht që vizita në Ballkan e Dr. Mitchell dhe lënia jashtë kësaj agjende e Shqipërisë të krijon një trishtim, pasi SHBA kanë qenë dhe do të mbeten aleati më strategjik dhe ndoshta i vetmi që ka përkrahur dhe mbështetur vendin tonë që nga koha e pavarësisë, ka qenë i vetmi që ka kundërshtuar copëtimin e trojeve shqiptare, nuk i harroi shqiptarët edhe gjatë kohës së diktaturës, i mbështeti në ardhjen e demokracisë në vitet 1990, çliroi Kosovën dhe mbi të gjitha: 90% e shqiptarëve janë pro Amerikës. SHBA-të në analizën e tyre ndoshta i kanë parasysh faktorët e brendshëm në Shqipëri, por edhe faktorë të jashtëm me ndikim në politikën e brendshme shqiptare që u intereson ky akull në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Koha do të tregojë se shumë shpejt Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë vendin e merituar në marrëdhëniet me aleatin më strategjik të kombit, Amerikën.
Emërimi i Dr. A. Wess Mitchell në postin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit
Dr. A. Wess Mitchell, i cili me 12 tetor bëri betimin duke filluar detyrën e tij të re si Ndihmës Sekretar i Shtetit me përgjegjësi për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 50 shtete të Evropës dhe Euroazisë si edhe me organizatat shumëkombëshe, siç janë Aleanca ushtarake NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Në këtë detyrë, Dr. Mitchell zëvendëson ish-ambasadoren Victoria Nuland, e cila kishte shërbyer në atë detyrë nga shtatori i vitit 2013. Në njoftimin e DASH për emërimin e tij në detyrën e lartë diplomatike thuhet se para se të fillonte nga detyra e re në Departamentin Amerikan të Shtetit muajin që kaloi, si përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme amerikane në Evropë dhe në Euroazi, Dr. Mitchell ka punuar për 12 vjet pranë entit të studimeve dhe çështjeve evropiane të quajtur “Center for European Policy Analysis”, si bashkëthemelues i këtij enti, ndërkohë që ka shërbyer edhe si President i tij nga viti 2006 deri më 2017, kur u emërua në detyrën e lartë të Departamentit të Shtetit.
Analiza nga Frank Shkreli, më 7 nëntor 2017
Në një analizë të tijën, më 7 Nëntor 2017, menjëherë pas emërimit të Dr. A. Wess Mitchell në postin Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, ish-Drejtori i VOA-s për Euroazinë, Frank Shkreli do të theksonte se: “Politika e jashtme amerikane ndaj shqiptarëve në Ballkan ka qenë gjithnjë konsekuente dhe mbështetëse nga të gjitha administratat amerikane të çerek shekullit të kaluar dhe si rrjedhim, asgjë nuk pritet të ndryshojë as me emërimin e Dr. Wess Mitchell në detyrën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova, si pjesë e mandatit të tij. Por, jam i bindur se edhe nën drejtimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor nga Dr. Wes Mitchell, prioriteti i politikës amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës për t’u bërë pjesë e integrimit të plotë euro-atlantik – me përgjegjësi dhe të drejta të barabarta – nuk do të ndryshojë, siç nuk do ndryshojnë as thirrjet amerikane për përpjekje më të mëdha dhe më serioze nga ana e autoriteteve në Tiranë dhe në Prishtinë, për të bërë më shumë kundër korrupsionit, ndaj luftës kundër drogës, për një angazhim më serioz ndaj reformave në drejtësi, e tjera çështje që prekin negativisht marrëdhëniet bilaterale – çështje, të cilat autoritetet qeveritare dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, i dinë fare mirë, se ato janë njëkohësisht edhe prioritete të politikës amerikane, pikësëpari për të mirën e vetë shqiptarëve, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore historike midis dy kombeve”. 
Sigal