Ëngjëll Musai: Presidenti që na duhej, për të ndërtuar shtetin që na duhet

582
Në fillim heshti Ilir Meta, tani po heshtin ata që u rraskapitën me pamflete e analiza për “paligjshmërinë” e pozicionit te tij gjate fushatës dhe me kërcënime për bllokim të marrjes së detyrës
Në Shqipëri, Presidenti i Republikës Ilir Meta është rasti i rrallë, që brenda pak ditësh, bëri të zbehen e të shuhen zërat “zhurmues” mediatikë, politikë, partiakë dhe publikë, që, sipas traditës cinike shqiptare, adresohen qëllimisht ndaj një figure shtetërore, e cila votë-besohet dhe merr një detyrë të lartë, me pozicion kushtetues mbi “kokat” e krerëve të politikës dhe mbi “çatitë” e “kullave” partiake apo qeverisëse. Sot, pas 1 jave nga betimi dhe marrja e detyrës, për Ilir Metën President, ish-qeveritar e ish-politikan nuk po dëgjojmë të flasin më as analistë, as kronikanë, as “letra nga populli”, as parashikues fatesh, as fallxhorë ekranesh, as “gramafonë” të paguar, as “mbetje” të pa ricikluara që janë vetë-shpallur presidentë biznesesh, por nuk u bënë dot President Republike, për shkak të damkave të kohës së rinisë dhe nivelit të dobët gjenetik të një gjallese. Pas betimit dhe marrjes së detyrës, nuk po flasin as politikanë të plakur kërcënues që nuk trembin as laraskat e majë-plepave të Myzeqesë dhe të “xhelosurit” e listave të kryetarëve të partive. Për Ilir Metën president Republike, po mbahet qëndrim ndryshe nga 5 paraardhësit e tij të këtyre 26 viteve. Në fillim heshti Ilir Meta, kur ata së bashku dhe veç e veç, flisnin gjithë histeri e hamendje të instruktuara e të shumëpritura për të penguar zbatimin dhe celebrimin e tij si president. Ndërsa tani, po heshtin ata që u rraskapitën për ta kryqëzuar dhe kërcënuar me bllokim të marrjes së detyrës. Është rast i parë në historinë e parazgjedhjes, pas zgjedhjes dhe mandatit të çdo presidenti në Shqipëri, që “ndrikullat” mbyllin gojën. Kur Ramiz Alia u vetëvendos president, përveç një falënderimi që iu bë nga Sali Berisha në mitingun e qytetit “Studenti” duke e quajtur “sjellës të demokracisë në Shqipëri”, gjatë 29 muajve si president, ai u sulmua me lloj-lloj akuzash e epitetesh nga shqiptarët dhe nga vetë Berisha. Po kështu edhe Sali Berisha, që prej datës 3 prill 1992 kur u vetë-zgjodh president e deri ditën e dorëheqjes 4 muaj pas mandatit të dytë, ai ishte objekt sulmesh nga opozita dhe shqiptarët, media dhe ndërkombëtarët. Rexhep Mejdani është i vetmi president që nuk është sulmuar as para as pas zgjedhjes në këtë funksion, por është konsideruar, ish-vartës të Ramiz Alisë dhe “kukull” i Fatos Nanos edhe për shkak, të ushtrimit të detyrës presidenciale si… “Baba Teqeje”! Ndryshe ka ndodhur me 3 presidentët Moisiu, Topi e Nishani, të cilët kanë qenë objekt sulmesh para e pas zgjedhjes, si nga pozita edhe nga opozita që së bashku i kishin përzgjedhur e votuar! Ilir Meta që nuk u përzgjodh e nuk u vetë-zgjodh, por u votua pa asnjë “teshtimë” as nga pozita dhe as nga opozita, që nuk shkoi në seancën e votimit, u gjend përballë një skenari të përbashkët pozitë-opozitë për ta detyruar të dorë-hiqej nga betimi. U gjend përballë paralajmërimesh kërcënuese për bllokim të betimit, bërë nga opozita. U gjend përballë (k)analistësh të paguar që i binin “fyellit” të atyre që dihet se, kur dhe përse “lehin” ekraneve e publikojnë “letra të hapura” gazetave në shqip e në gjuhë të huaja, duke u vendosur edhe emra “letrash të mbyllura”, të kohës së rinisë së tyre. Fakti që nuk po belbëzon askush më, por edhe vetë “CV” 26-vjeçare e karrierës së pasur e kulmore politike-qeverisëse dhe diplomatike e Ilir Metës, ka krijuar bindjen e plotë tek të gjithë, që Ilir Meta është “standardi” presidencial që duhej, i cili garanton ndërtimin dhe instalimin e shtetit që na duhet! Ndryshe nga paraardhësit, Ilir Meta president është profil që nuk hipi në këtë “kolltuk” nga “hiçi” apo shërbesat partiake protokollare ndaj shefave të politikës për të qenë shërbestar i tyre, por vjen nga një përvojë e gjatë prej shtetari e politikani të formuar e provuar në shumë funksione të larta! Ka një ndryshim të madh e esencial mes Ilir Metës dhe 5 para-ardhësve të tij në postin e Presidentit të Republikës, mbasi Meta vjen në këtë post prej një përvoje në politikë, qeverisje, diplomaci e raporte të shumta e të frytshme 25 vjeçare me personalitet ndërkombëtare, ndërsa paraardhësit e tij janë vetë-vendosur ose vendosur në atë detyrë me “CV” vetëm gjendjen civile dhe disa pozicione pune zyrtare e politike tepër minimale!
Rruga drejt presidencës
RAMIZ ALIA: U vetë-emërua president, në një situatë kur sundimi 45-vjeçar komunist diktatorial izolues që ai përfaqësonte, kishte rënë. Ishte me “CV” e përvojë, vetëm si shërbestar i përjetshëm në paradhomën e Enver Hoxhës, krejt i padëshiruar dhe i pa pranueshëm për shqiptarët dhe ndërkombëtarët.

SALI BERISHA: U vetë-emërua president, duke ardhur nga një punë si mjek, me CV” ish-sekretar i PPSH, pa asnjë përvojë politike e shtetërore, krejt “nul” nga qeverisjet, shtet-formimi, diplomacia….. dhe raportet bashkëpunuese me personalitetet ndërkombëtare, gjatë mandatit presidencial krijoji shumë konflikte me mediet, opozitën, ndërkombëtarët dhe popullin! Mandatin e dytë presidencial e vetë-morri në gjendje të jashtëzakonshme!

REXHEP MEJDANI: U përzgjodh dhe u votua si president, me një përvojë dhe karrierë më të lartë “profesor universiteti”, i panjohur në publik por i respektuar në mjediset akademike. Para zgjedhjes detyra më e lartë që kishte pasur ishte “Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri, kryetar i KQZ më 31 mars 1991-1992 dhe Sekretar i Përgjithshëm i PS”.

ALFRED MOISIU: U përzgjodh për president Republike nga PD në marrëveshje me PS dhe “CV” e tij ishte ish-zv/ministër i Mbrojtës para vitit 1990, ish ideator i bunkerëve të vetë-mbrojtjes popullore dhe në momentin e zgjedhjes president ishte kryetar i shoqatës së Atlantikut Verior dhe drejtues i departamentit të Mbrojtjes në PD.

BAMIR TOPI: E çuan në drejtimin e Presidencës, pas propozimit të PD, pa “frimën” e PS, por të mbështetur edhe me 10 vota deputetësh të PS, të “deleguara” privatisht nga Fatos Nano, që na atë kohë “ishte puthur” me Berishën. Ishte me “CV” të kufizuar si zooteknik ish-kooperative, si drejtor i Institutit të Veterinarisë, deputet dhe nënkryetar i PD.
BUJAR NISHANI: U përzgjodh për postin e presidentit të Republikës prej PD. Kishte një “CV” si ish-ushtarak i thjeshtë, si drejtues i departamentit ushtarak të PD, si sekretar i PD të Tiranës, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Jashtëm, si Zëdhënës i Grupit Parlamentar të PD.

ILIR META: U votua si president Republike, duke ardhur nga një përvojë e gjatë, aktive dhe produktive partiake, politike diplomatike e shtetërore, që në vitet e pas studimeve universitare. Ka qenë në detyra të larta si drejtues rinor, si drejtues partiak, si përfaqësues politik në nivel kombëtar, si ministër i Jashtëm, deputet, zv/kryeministër, kryeministër, themelues dhe drejtues i një partie që ka ekuilibruar raportet ndër-partiake në Shqipëri, ka zgjidhur ngërçet dhe krizat politike kombëtare, ka afruar dhe siguruar terren stabiliteti për shumë probleme kombëtare e rajon, mbajtës dhe zhvillues i një dialogu diplomatik produktiv me institucionet dhe personalitetet ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin zhvillimet shqiptare! Ka krijuar, ofruar dhe instaluar modelin e një shtet-drejtuesi aktiv e bashkëpunues. Ndaj Ilir Meta edhe prej ndërkombëtarëve “me “mend” e që vendosin, konsiderohet si “Presidenti që duhej, për të ndërtuar shtetin që duhet”!
Tre fakte presidenciale
1. Ramiz Alia dhe Sali Berisha, janë dy presidentët e Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë ikur nga detyra me dorëheqje të detyruar politike në situata krizash të rënda të vendit, shkaktuar prej revoltave anti-komuniste popullore dhe prej fitores së PD më 22 mars 1992 dhe për shkak të krizës kombëtare dhe revoltave mbarë-popullore, që u shkaktuan në janar-qershor 1997 prej falimentimit të piramidave financiare!

2. Berisha ka hyrë në historinë presidenciale shqiptare, si si presidenti i sistemit demokratik, i rizgjedhur në këtë detyrë të lartë, kur vendi ishte në kushtet e shpallura të “Gjendjes së Jashtëzakonshme” dhe kur populli ishte përfshirë në kaos dhe konflikt total politik-social e (anti)shtetëror.

3. Rexhep Mejdani, do të mbahet mend në historinë presidenciale shqiptare, si presidenti që në prill 1999, u detyrua të rrotullohej për 75 minuta mbi Aeroportin e Rinasit, për shkak se avioni me të cilin ai kthehej nga Austria, nuk ulej dot në pistë, mbasi Sindikata e Pavarur e Agjencisë së Ndërkombëtare të Transportit Ajror (ANTA) në Rinas, kishte organizuar grevën me të cilën i bënte presion Mejdanit, që të anulonte dekretin për shitjen e Kantierit Detar “Gdansk-sh.a-Durrës”!
Sigal