Engjëll MUSAI/ Nafta jo vetëm të nxin, por edhe të helmon z.Ministër!

569
Të mbërthyer nga dara e babëzisë, disa nga ministrat aktualë të qeverisë së “Rilindjes” kanë vendosur të mbushin xhepat, pavarësisht kostos dhe plagëve që lënë nga pas. Dje miliona shqiptarë panë në dritë të diellit sesi marrëzia dhe etja për të fituar jo vetëm që nuk njeh kufi, por tashmë ka filluar të shkelë dhe përdhosë humanizmin njerëzor, si të vetmin virtyt me të cilin shqiptarët mburreshin gjatë gjithë historisë së tyre. Mikpritëm investitorët e huaj bashkë me kompanitë e tyre në Marinëz të Fierit me qëllimin e mirë që të investohet, të fitohet prej tyre, por të rritet edhe mirqënia e banorëve. Megjithatë faktet tregojnë të kundërtën dhe shpërthimet plasën kapakun që mbulonte prej vitesh masakrën e kompanisë “Bankers Petrolium” duke shkatërruar pronat, pasurinë dhe helmuar banorët e zonës. Kanë qenë të shumta protestat e banorëve të zonës dhe peticionet e tyre, por shteti jo vetëm që nuk çante kokë për banorët e këtyre zonave, por përkundrazi mbronte bashibozukët që kishin si qëllim vetëm fitimet maramendëse, pavarësisht se në institucionet e tatimeve kjo kompani rezultonte me humbje. Atëherë lind pyetja: Përse punon me humbje kjo kompani e adhur nga fundi i botës, apo për për t’u bërë sevap shqiptarëve të varfër?! Ministri Gjiknuri deklaronte, para ardhjes në pushtet të “Rilindjes”, se kjo kompani do kalojë në filtrin e drejtësisë dhe nuk do lejohet të përdhos jetën dhe dinjitetin e banorëve të zonës së Marinzës. Por sapo erdhi në pushtet, ai jo vetëm që e harroi premtimin, por përkundrazi, i joshur me sa duket nga “Banker Petrolium”, u bë palë me të. Para disa muajsh banorët protestuan për shpërthimet e bëra nga kjo kompani, shpërthime që regjistroheshin deri në qendrat sizmologjike të Mesdheut, pasi po shkatërroheshin dhe po çaheshin muret e shtëpive. Por zëri i tyre mbytej nga fontana e naftës dhe tritolit, i cili nuk pyeste as për zërin e qytetarëve të varfër dhe as për jetën e banorëve të saj. Sikur të mos mjaftonte heshtja e turpshme e Ministrit Gjiknuri të nxirë kokë e këmbë nga bloza dhe nafta, një tjetër Ministër, Saimir Tahiri u bë palë me batakçinjtë e kompanisë kur dërgoi policinë dhe shoqëroi në komisariat me dhjetra banorë të kësaj zone. Arsyeja e shoqërimit ishte se duhet të rrinin urtë, të mos protestonin dhe po të ishte nevoja edhe të jepnin jetën e tyre, të fëmijve të tyre dhe të shkatërronin pasurinë, mjafton që të pangopurve të kompanisë “Bankers Petrolium” dhe Ministrit të Energjitikës të mos u prisheshin shifrat që mbushnin thasët pa fund. Në këtë mënyrë banorët janë të tradhtuar dy herë: Nga Ministria e linjës dhe kreu i saj Gjiknuri si dhe nga Ministria e Brendshme e Saimir Tahirit. Prokuroria e Përgjithshme të ndërhyjë energjikisht dhe të nisë procedimet dhe arrestimet për drejtuesit e kompanisë “Bankers Petrolium” që kanë vazhduar punën, megjithë urdhër-bllokimin e Ministrisë së Mjedisit si dhe të hetojë Ministrin Gjiknuri që ka lejuar me ndërgjegje apo nga paaftësia (shpërdorim detyre) këtë katastrofë. Të bllokohen të gjitha llogaritë e kompanisë dhe daljet jashtë vendit deri në zhdëmtimin dhe rikthim në normalitet të kësaj katrahure që ka pushtuar zonat e Fierit. Llumi me të cilin janë përlyer politikanët e djeshëm dhe vazhduesit e sotëm nuk ka sapunë dhe dezifektantë që i zbardh. I vetmi që mund t’i pastrojë janë prangat dhe qelia, të cilën e kanë shumë pak.
Sigal