Engjëll MUSAI/ Mos luani me gjakun dhe amanetin e Dëshmorëve të Kombit

504
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare shpresuan në rikthimin e Partisë Socialiste në pushtet, dhe për arritjen e këtij rezultati ata investuan në grupime lagjesh, shtëpi më shtëpi duke bindur familjarët e partizanëve, dëshmorëve dhe heronjve të luftës dhe Punës Socialiste. Qëllimi ishte i thjeshtë, largimi i Partisë Demokratike dhe kryeministrit demokrat Sali Berisha nga pushteti. Dhe kishin deri diku një të vërtetë, pasi gjatë qeverisjes së demokratëve u morën me vendime arbitrare-qeverie, Spitali Ushtarak, Shtëpitë e Pushimit, Shtëpia Qendrore e Ushtarakëve në Tiranë dhe në rrethe, u shkulën nga vendi 5 Heronjtë e Vigut, duke i lënë në vendin e plehrave.

Dhe veteranët e nderuar të LANÇ, familjet e dëshmorëve të luftës, si dhe veteranët e Punës Socialiste besuan tek trashëgimtarët e vërtetë të këtyre heronjve, të cilët personifikohen me pasardhësit me emrin Socialistë. Kishin të drejtë të besonin, sepse për Partinë Socialiste e quajtur me një emër kuptimplotë “Rilindje” dhe votuan për të, por koha tregoi se “Rilindja” nuk kishte të bënte me “Rilindasit” e vërtetë të pushkës dhe penës. Nuk kishte të bënte as me Naimin, as me Samiun, as me Abdylin, as me Pashko Vasën, as Veqilarxhin, as me Koto Hoxhin, madje as edhe me heronjtë e mëvonshëm të Cerçiz Topullit, as me antizogistët e Nolit dhe Avni Rustemit. Me pak fjalë, këta “Rilindasit “ e sotëm e kanë mendjen tek koncesionet dhe tenderat, ndryshe nga rilindasit e vërtetë që shkrin pasurinë për shtetin dhe Shqipërinë. Dhe kjo rrugë e “Rilindasve” të sotëm ose Socialistëve të rinj vazhdoi dhe veteranët, luftëtarët dhe familjet e dëshmorëve po zhgënjehen nga dita në ditë. U harrua Spitali Ushtarak, u harrua SHQU-i, u harrua statusi i ushtarakëve, u harruan pensionet, u harrua, madje u gradua drejtoresha e ISSH, që torturonte ushtarakët në kohën e PD dhe u emërua si drejtoreshë për sigurimet shëndetësore etj., etj. 

Rilindasit e rinj tentuan të shkrijnë Organizatën e LANÇ, e cila është simboli i qëndresës kombëtare, tentuan ta bashkojnë më pulaxhinjtë e ballit dhe zogistët, që vodhën floririn dhe lanë atdheun në mëshirë të fatit. Që të gjitha këto janë denoncuar nga gazeta “Telegraf” në bashkëpunim me drejtuesit e Organizatës së Komitetit të Veteranëve të LANÇ dhe që të gjitha kanë dalë të vërteta. Në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit qeveria e Edi Ramës, nuk hodhi asnjë lekë për riparimin e Lapidarëve dhe Varrezave të Dëshmorëve, që janë thyer dhe shkretuar, ndërkohë që po ngrihen lapidarë për ballistët dhe bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit, madje duke çuar pllakatat e tyre me helikopterë në majat më të larta. Madje edhe një ashensor për tu ngjitur veteranët në zyrat e tyre nuk vendoset, sepse duan që veteranët të largohen dhe të mos shkelin në zyrat e tyre, por ajo që para dy ditësh më shqetësoi dhe sot më bëri të shkruaj disa rreshta, pasi do merremi më gjatë në ditët në vijim, ka të bëjë me faktin e testimit të veteranëve dhe familjeve të tyre, se si do sillen ata po të heqin Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Largimi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, do të jetë turpi i “RILINDJES” dhe tradhtisë së radhës, ndaj së majtës, si dhe pabesia që po i bëhet heronjve, dëshmorëve, shokëve të luftëtarëve të rënë dhe pasardhësve të familjeve të dëshmorëve. Pasi ja morën një pjesë të territorit me letra fallco, për t’u ndërtuar vila, “Rilindasve”, nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i largojnë dëshmorët dhe t’i çojnë diku nga Paskuqani, duke përsëritur zhvarrimet e vitit 1992 të bëra nga PD. A do e pranojë Dash Peza dhe shokët e tij këtë tradhti të dytë? 
Sigal